Thirrja nga Kryeministri, Li Keqiang, vjen ndërsa marrëdhëniet BE-Kinë përkeqësohen për shkak të Xinjiang dhe Hong Kong. Kryeministri kinez Li Keqiang i ka kërkuar Kancelares gjermane Angela Merkel të rrisë lidhjet tregtare por të qëndrojë larg “çështjeve të brendshme” siç janë të drejtat e njeriut dhe situata politike në Hong Kong.
Paralajmërimi i Li ndaj Gjermanisë vjen në mes të tensioneve të rritura midis Europës dhe Kinës për shtypjen e Pekinit ndaj pakicës Muslimane të Ujgurit në rajonin perëndimor të Xinjiang. Muajin e kaluar, BE-ja vendosi sanksione kundër katër zyrtarëve kinezë në Xinjiang, ndaj të cilave Pekini reagoi me kundër-sanksione të ashpra kundër diplomatëve, ligjvënësve dhe akademikëve të BE-s. Konsumatorët kinezë gjithashtu kanë reaguar me bojkot kundër disa kompanive perëndimore. Në Gjermani, një Komision Parlamentar do të mbajë një seancë dëgjimore publike mbi “shkeljet e të drejtave të njeriut kundër ujgurëve”.
“Dihet në fakt që Kina dhe Gjermania kanë mosmarrëveshje në drejtim të disa çështjeve”, tha Li gjatë fjalimit tij hapës në Konsultimet e 6-ta të Qeverisë Gjermane-Kineze.
“Por mendimi im është që për sa kohë të dyja palët respektojnë interesat thelbësore të njëri-tjetrit dhe shqetësimet e rëndësishme, për sa kohë që ne komunikojmë në bazë të trajtimit të barabartë dhe mosndërhyrjes reciproke në punët e brendshme të njëri-tjetrit … zvogëlojmë dallimet dhe ne përqendrohemi në bashkëpunimin reciprok , atëherë mund të krijojmë kushte të favorshme për dialog dhe bashkëpunim të qetë”, vazhdoi më tej z. Li.
Li theksoi tregtinë si një territor i frytshëm për bashkëpunim sepse “njerëzit në të dy vendet përfitojnë në mënyrë direkte prej saj”.
Një “bashkëpunim i favorshëm”, tha ai, do të ndihmonte për të arritur një rritje të shpejtë ekonomike pas pandemisë së koronavirusit.
Kancelarja gjermane e qetësoi situatën nëpërmjet fjalëve të saj gjatë Konsultimeve, duke theksuar rëndësinë e tregtisë dhe “dialogut” për të drejtat e njeriut. Ajo përshëndeti marrëveshjen e investimeve BE-Kinë, të rënë dakord në parim në dhjetor, si “një gur themeli” i marrëdhënieve ekonomike që krijon “hyrje të ndërsjellë në treg dhe reciprocitet” si dhe “siguri ligjore dhe transparence”.
Sidoqoftë, Merkel ngriti rëndësinë e respektimit të normave të Organizatës Ndërkombëtare të Punës për punën e detyruar, të cilat Kina ende duhet t’i ratifikojë dhe tha se “kushtet e arsyeshme të punës kudo dhe për të gjithë njerëzit në Gjermani dhe në Kinë janë të një rëndësie të madhe”. Ajo shmangu çdo referim të drejtpërdrejtë për Ujgurët ose Xinjiangun. Kancelarja përmendi më gjerë të drejtat e njeriut, duke folur për “ndryshime mendimesh, veçanërisht kur mendojmë për situatën në Hong Kong”, ku autoritetet kineze kanë kufizuar të drejtat demokratike të opozitës dhe kanë goditur demonstruesit dhe lirinë e fjalës.
“Deri më tani, ne gjithmonë kemi arritur t’i adresojmë këto çështje”, tha Merkel, duke shtuar se “Unë do të doja që ne të rifillonim sa më shpejt të ishte e mundur dialogun gjermano-kinez mbi të drejtat e njeriut”.
Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha pas konsultimeve që të dy udhëheqësit diskutuan “zhvillimet në shoqërinë civile dhe të drejtat e njeriut”.
Gjermania dhe Kina nënshkruan gjithashtu “letra qëllimi” për bashkëpunim të shtuar në fushat e kërkimit klimatik dhe mjedisit, politikën shëndetësore, sigurinë e ushqimit, politikën e zhvillimit dhe transportin, përfundoi zëdhënësi./Politico EU