Një nga shqetësimet kryesore të kritikëve të projektit ambicioz të Kinës “Një Rrip, Një Rrugë” është se investimet e drejtuara nga kinezët nuk do t’u përmbahen rregullave të konkurrencës së drejtë të BE-së dhe se vendet e Europës Lindore mund të marrin hua vlera të larta nga bankat kineze, aq sa të krijojnë varësi ndaj tyre. Ekzistojnë shqetësime edhe në lidhje me cilësinë e ndërtimit, masat mbrojtëse mjedisore që kompanitë kineze marrin kur fillojnë ndërtimet.
Kryeministri i Kinës premtoi së fundmi se qeveria e tij do të respektojë standardet europiane dhe tregtinë e ndershme. Ai u përpoq të qetësojë të gjithë Europën në lidhje me shqetësimet se Kina është duke kundërshtuar rregullat e konkurrencës së Bashkimit Europian nëpërmjet investimeve gjigante në kontinent, shkruan Associated Press. Në fillim të takimit vjetor midis vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore si dhe Kinës, Li Keqiang tha se shteti i tij synon të respektojë plotësisht standardet europiane.
Qeveria kineze është kritikuar edhe për mosdhënien e aksesit reciprok të kompanive europiane në tregjet kineze.
“Ne i kemi mirëpritur të gjitha kompanitë e huaja që operojnë në Kinë dhe do t’i trajtojmë ato në mënyrë të barabartë me kompanitë vendase, si dhe duam të rrisim eksportet nga shtetet europiane”, tha ai në samit. Kina është e hapur ndaj botës dhe ne e mirëpresim bashkëpunimin e dyanshëm.
Z. Li mbërriti në Kroaci, pas një takimi të zhvilluar në Bruksel ndërmjet BE dhe Kinës, ku zyrtarët europianë kërkuan vendosjen e lidhjeve më të balancuara ekonomike me një shtet të cilin kohët e fundit, ata e kanë etiketuar si “rival sistematik”. Kroacia, një prej shteteve anëtare të BE-së, organizoi një samit dyditor ndërmjet Kinës dhe 16 vendeve të rajonit mbi zgjerimin e biznesit, i quajtur 16+1. Disa vende të Europës Lindore janë pjesë e projektit ambicioz të Kinës “Një Rrip, Një Rrugë” që synon të rrisë aksesin ndaj tregjeve të Europës Perëndimore.
Projekti përfshin përmirësimin e infrastrukturës për të krijuar një rrjet të transportit dhe lidhjeve tregtare midis Azisë dhe Europës. Pekini lajmëroi se ka krijuar një fond prej 3 miliardë dollarësh dhe të një linje kredie prej 10 miliardë dollarësh për 16 vendet në rajon.
Një nga shqetësimet kryesore të kritikëve të këtij projekti është se investimet e drejtuara nga kinezët nuk do t’u përmbahen rregullave të konkurrencës së drejtë të BE-së dhe se vendet e Europës Lindore mund të marrin hua vlera të larta nga bankat kineze, aq sa të krijojnë varësi ndaj tyre. Ekzistojnë shqetësime edhe në lidhje me cilësinë e ndërtimit, masat mbrojtëse mjedisore që kompanitë kineze marrin kur fillojnë ndërtimet.
Në fillim të samitit, Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, u shpreh se për një kohë relativisht të shkurtër, kjo nismë “ka rezultuar në krijimin e lidhjeve dhe projekteve të reja”, si dhe duke u bërë një platformë për “dialog politik intensiv” midis shteteve pjesëmarrëse.
Ai tha se edhe Greqia do t’i bashkohet këtij koalicioni dhe nëpërmjet kësaj synohet që porti grek i Pireut, të kontrollohet nga Kina dhe të shndërrohet në pikën hyrëse të mallrave kineze në Europë, duke e lidhur atë me hekurudhat dhe autostradat që janë gjithashtu pjesë e investimeve të Kinës.
Kryeministri grek, Alexis Tsipras, iu referua vendimit për t’u bashkuar me nismën kineze si “një moment shumë i rëndësishëm të zhvillimeve globale dhe rajonale”. “Ne duhet të lëmë pas krizën dhe të gjejmë modele të reja të bashkëpunimit rajonal dhe global, veçanërisht duke u bazuar dhe duke respektuar plotësisht rregullat europiane”, përfundoi z. Tsipras.