Kina synon një normë të rritjes ekonomike mbi 6 për qind këtë vit, një kthim ky i fortë pas ndikimit të pandemisë vitin e kaluar.
Gjatë vitit 2020 ekonomia e Kinës u rri vetëm 2.3%, rezultati i saj më i dobët në dekada.
Objektivi i ri thekson reagimin e fortë të ekonomisë kineze pas mbylljes nga pandemia, e cila çoi në tkurrjen e mprehtë prej 6.8% në tremujorin e parë të vitit 2020.
Ekonomia u rrit në gjysmën e dytë të vitit 2020 dhe Kina ishte e vetmja ekonomi e madhe globale që shënoi fitime, megjithëse ishin shifra të ulta në krahasim me vitet e mëparshme.
“Një objektiv mbi 6% do të na lejojë të gjithëve t’i kushtojmë energji të plotë promovimit të reformave, inovacionit dhe zhvillimit me cilësi të lartë,” tha kryeministri Li Keqiang.
“Në vendosjen e këtij objektivi, ne kemi marrë parasysh rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik.”
Sipas disa llogaritjeve, synimi duket modest, duke rënë shumë poshtë vlerësimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për një rritje prej 8.1% të ekonomisë këtë vit.
Analistë të tjerë gjithashtu po parashikojnë një rritje më të fortë.
“Ne mendojmë se ka të ngjarë që synimi do të arrihet, duke treguar që autoritetet po zhvendosin vëmendjen në cilësinë e rritjes në vend të shpejtësisë,” tha analisti Bruce Pang në bankën e investimeve China Renaissance.
Kryeministri gjithashtu vendosi një normë të synuar të papunësisë urbane prej rreth 5.5%, me një qëllim për më shumë se 11 milion vende të reja pune, nga nëntë milion vitin e kaluar.
Ai përcaktoi gjithashtu një nivel të deficitit buxhetor prej rreth 3.2% të prodhimit të brendshëm bruto.
Sidoqoftë, ministria e financave shprehu shqetësimin për gjendjen e buxhetit të qeverisë.
“Parashikimi për të ardhurat dhe shpenzimet e qeverisë në vitin 2021 duket mjaft i rëndë, me vështirësi edhe më të mëdha në balancimin e buxhetit dhe rreziqeve në fushat kryesore siç është borxhi që nuk mund të neglizhohet”./BBC