Metalet e rralla janë bërë gjithnjë e më shpesh shkak për konflikte tregtare. Aktualisht Kina kontrollon 97% të prodhimit botëror, por zotëron vetëm 1/3 e rezervave botërore të metaleve të rralla.
Politika bllokuese kineze u bë shkas që Bashkimi Europian së bashku me SHBA-në dhe Japoninë kanë dorëzuar në mars një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) në Gjenevë.
Sipas tyre politika kineze e eksporteve dhe çmimeve shkel rregullat ndërkombëtare të përcaktuara për tregtinë. Pekini i mban ilegalisht të ulëta eksportet, me qëllim që t’i krijojë avantazhe industrisë vendase.
Kina i ka hedhur poshtë këto akuza.
Kina u kundërpërgjigj duke themeluar Organizatën e Industrisë së Metaleve të Rralla, bëri të ditur Ministria kineze për Industrinë dhe Teknologjinë e Informacionit në Pekin.
Sipas mediave kineze, kjo organizatë, tek e cila janë bashkuar 155 anëtarë, përfshirë edhe tri kompanitë më të mëdha si Korporata e Aluminit të Kinës dhe Korporata Kineze e Mineraleve duhet të koordinojë përftimin dhe përpunimin e metaleve të rralla.
Nga ana tjetër, ajo duhet të zhvillojë “një mekanizëm bindës çmimesh”, njofton ministria përkatëse kineze, por edhe të trajtojë konfliktet ndërkombëtare lidhur me tregtinë e metaleve të rralla.
Presidenti i emëruar i Organizatës Kineze të Metaleve të Rralla, Gan Yong, tha se institucioni i tij do të përmirësojë komunikimin në nivel ndërkombëtar dhe do të veprojë me kujdes ndaj tensioneve në këtë fushë.
“Shumë vende në botë kanë rezerva të metaleve të rralla. Nxjerrja e tyre nuk mund të varet nga Kina”, tha Gan. Metalet e rralla janë të nevojshme për prodhimin e shumë produkteve elektronike moderne.
Me to prodhohen smartphonët, kompjuterët-tabaka dhe monitorët e sheshtë të kompjuterëve të zakonshëm./(Deutche Welle)