Kina thyen një rekord të ri, numëron 1 miliard përdorues të internetit

05/02/2021 4:02 PM 0 komente

Qeveria kineze deklaroi të mërkurën se vendi numëron thuajse 1 miliard përdorues të internetit, thuajse trefishi i së gjithë popullsisë së Shteteve të Bashkuara, me pandeminë që ka shtyrë miliona persona të bëjnë blerje dhe të shohin video online.

 

Fakte kryesore

Të mërkurën, agjencia qeveritare “China Internet Netëork Information Center” (CNNIC) deklaroi se në fund të dhjetorit 2020, vendi numëronte 989 milionë përdorues të internetit, në rritje me 85.4 milionë që nga marsi 2020. Kjo të bën të mendosh se pandemia ka detyruar dhjetëra milionë njerëz, që u izoluan në shtëpi, të adoptojnë zakone të reja, ndër to edhe blerjet online.

Sipas CNNIC, rreth 782 milionë kinezë përdorin sot internetin, kryesisht nga smartphone për të bërë blerje, duke shënuar rritje me 72.15 milionë që nga marsi, kur shpërtheu pandemia.

Numri i kinezëve që punojnë në smart working është rritur nga 199 milionë në qershor në 246 milionë në dhjetor.
Edhe kinezët që qëndrojnë në shtëpi kanë gjithashtu dëshirë të shikojnë video në internet. Kjo shifër është rritur me 76.33 milionë që nga marsi, në 927 milionë në dhjetor.

Numri i kinezëve që shikojnë prezantime e-commerce në livestreaming (promovimi dhe shitja e produkteve falë reklamimit të influencer në kanalet e tyre në rrjetet sociale) është më shumë se trefishuar, nga 123 milionë në mars në 388 milionë në dhjetor. Për më tepër, rreth dy të tretat e këtyre përdoruesve bëjnë një blerje pikërisht falë livestreaming.

Historiku

Kina është renditur si tregu më i madh i shitjeve me pakicë në internet, për tetë vite me radhë, sipas CNNIC. Shitjet e e-commerce u rritën me 10.9% në vitin 2020 krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur në 1,8 mijë miliardë dollarë.

Ndërkohë, autoriteti kryesor i kontrollit të internetit në Kinë, “The Cyberspace Administration of China”, po përpiqet të kuptojë nëse është i mundur rishikimi i rregullores së mbikëqyrjes në internet, e cila nuk ka ndryshuar prej më shumë se 20 vitesh. Ndër të tjera, autoriteti pranoi se do të jetë e nevojshme një mbikëqyrje më e madhe në monitorimin e pagesave e-commerce dhe livestreaming, pasi Kina po rrit kontrollin te gjigantët e teknologjisë.

Fakt befasues

Ndërkohë që Kina bllokon ende në internet faqe të huaja si Facebook, Twitter dhe Google, disa kinezë kanë kritikuar rrjetet sociale perëndimore për bllokimin e ish-presidentit të SHBA, Donald Trump, nga platformat e tyre.
“Një vend i madh si Shtetet e Bashkuara nuk mund ta tolerojë fjalën e Trump” – tha një komentues në Weibo, rrjet social në Kinë. Demokracia amerikane ka vdekur”.

Global Times, e cila kontrollohet nga Partia Komuniste, shkroi në një editorial se Trump “ka humbur të drejtën për të qenë një qytetar i thjeshtë amerikan. Kjo, natyrisht, bie ndesh me fjalën e lirë që elitat politike amerikane kanë mbrojtur “.

Burimi: Forbes

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of