Kina do të vendosë taksa mbi verën australiane deri në 212%, duke filluar nga e shtuna.
Ministria e saj e Tregtisë tha se këto ishin masa të përkohshme anti-dumping* për të ndaluar importet e subvencionuara të verës australiane.
Taksat do të lëvizin nga 107% në 212%, duke intensifikuar tensionet tregtare midis dy vendeve.
Në muajt e fundit, Pekini ka vënë nën shënjestër importet Australiane duke përfshirë qymyrin, sheqerin, elbin dhe gaforret.
Zyrtarët në Kinë kanë argumentuar se disa verëra australiane po shiten më lirë në Kinë sesa në tregun vendas përmes përdorimit të subvencioneve. Australia e ka hedhur poshtë këtë akuzë.
Kina është destinacioni më i madh për eksportet e verës nga Australia, duke zënë 39% në nëntë muajt e parë të vitit 2020, sipas Wine Australia.
Kina ka kryer një hetim një vjeçar anti-dumping, ku ka vërejtur se verërat që shiten në Kinë kanë çmim më të ulët se në Australi. Ministria e Tregtisë së Kinës nuk specifikoi për sa kohë do të zgjasnin masat.
‘Ekstremisht i zhgënjyer’
Ministri i Bujqësisë australiane David Littleproud reagoi ndaj njoftimit përmes një postimi në Twitter, duke thënë se qeveria ishte “jashtëzakonisht e zhgënjyer”.
“Qeveria Australiane hedh poshtë kategorikisht çdo pretendim se prodhuesit tanë të verës po tregtojnë më lirë produktin në Kinë. Vera australiane është jashtëzakonisht e popullarizuar si në Kinë dhe në të gjithë globin për shkak të cilësisë së saj të lartë dhe ne jemi të bindur se një hetim i plotë do ta konfirmojë këtë.”
Ministri i tregtisë i Australisë Simon Birmingham tha se tarifat e reja e bëjnë verën australiane të paqëndrueshme dhe të pa tregtueshme në Kinë.
“Kjo është një kohë shumë shqetësuese për shumë qindra prodhues australianë të verës, të cilët kanë ndërtuar, me mirëbesim, një treg të shëndetshëm në Kinë”.
Tensione në rritje
Marrëdhëniet politike midis Kinës dhe Australisë janë përkeqësuar këtë vit në pikën më të ulët në një dekadë, thonë ekspertët.
Australia mbështeti një hetim global për origjinën e koronavirusit në prill dhe në mënyrë efektive veçoi Kinën, sipas diplomatit të lartë kinez. Që atëherë, importet australiane kanë qenë në qendër të vëmendjes ndërsa studentët dhe turistët kinezë u paralajmëruan të mos udhëtonin në Australi duke përmendur frikën e racizmit./BBC
*Anti-dumping, është një politikë që lejon ngritjen e tarifave doganore ose vendosjen e kufizimeve në import kur vihet re që prodhimi i një vendi të caktuar shitet në tregun e një vendi tjetër nën çmimin real të prodhimit.