Për shkak të koronavirus, janë shitur më pak iPhone në Kinë. Siç bën të ditur Bloomberg, analistët e UBS besojnë që kërkesa për iPhone ka rënë me 28% në janar krahasuar me muajin paraardhës.
Dhe me siguri, “shifrat në shkurt do të jenë edhe më negative, për shkak të problemeve të furnizimit dhe ofertës si pasojë e përhapjes së virusit” – thekson UBS. Dërgesat totale të smartphone-ve në Kinë, në janar, ranë me 37% me bazë vjetore.
Shoqëria me seli në Cupertino ka publikuar së fundi parashikimet për të ardhurat në tremujorin e parë 2020, duke nënvizuar që koronavirus ka ngadalësuar shitjet dhe prodhimin. Ndër të tjera, kompania ka mbyllur të gjithë 42 dyqanet e saj fizikë në Kinë, për shkak të epidemisë dhe po nis t’i rihapë tani.
Në lidhje me tregun kinez të smartphone-ve, disa ditë më parë, analistët e IDC llogaritën një rënie më shumë se 30%, duke folur edhe për efektin “mjellma e zezë”. Kjo është një metaforë që përdoret për të përshkruar një ngjarje të paparashikuar me pasoja të mëdha.
Burimi: ANSA