Grupi kinez “Shig-Weichai” ka marrë kontrollin e prodhuesit më të madh botëror të jahteve të luksit, kompanisë italiane “Ferretti”. Në publikimin e lajmit nga kompania, thuhet se prodhuesi kinez i makinerive “Shandong Heavy Industry Group” (Shig), falë një marrëveshje të arritur me kreditorët, për një kosto të përgjithshme prej 374 milionë eurosh, nga të cilat 178 milionë euro investime e 196 milionë për financimin e borxhit të grupit, ka marrë 75% të shoqërisë italiane. Kreditorëve, më saktë, bankës britanike “Rbs” dhe fondeve strategjike “Value Partners”, i përkasin gjithsecilit 12,5% të aksioneve “Ferretti”.
Struktura financiare e grupit italian do të ristrukturohet tërësisht përmes një rritje të kapitalit me 100 milionë euro dhe reduktimit të ekspozimit me rreth 100 milionë euro. “Një nga objektivat strategjikë të grupit tonë është që të zhvillojnë sektorin e jahteve në pesë vitet e ardhshme”, ka deklaruar Tan Xuguang, president i “Shig”.
Ndërsa “Ferretti” ka nënvizuar se ky hap do ta ndihmojë “të rritet me efikasitet në vendet në zhvillim, një zonë thelbësore për rritjen e mundshme të kompanisë së jahteve”. Norberto Ferretti, presidenti i grupit italian, tha se “jam i bindur që ky partneritet do të sjellë rezultate shumë të kënaqshme dhe do t´i japë “Ferretti” një bazë të fortë kapitali për të mbështetur planet e saj të zhvillimit në një periudhë afatgjatë”. “Citigroup”, “Holihan Lockey” e “Icbc International” kanë punuar si konsulentë financiarë të “Shig-Weichai Group”, ndërsa “Rothschild e Ernst & Young” si konsulentë financiarë të “Rbs” e “Strategic Value Partners”.
I themeluar në 1946-n, grupi “Shig” është një prej shoqërive më të mëdha kineze që operon në fushën e prodhimit të pjesëve të makinave e mjeteve të rënda. Sipas të dhënave të “Bloomberg” shoqëria kineze do të marrë përsipër borxhin e “Ferretti”-t prej 580 milionë eurosh. John Davison, shefi në nivel botëror i investimeve strategjike të grupit “Rbs”, flet për mbledhjen e 100 milionë eurove aksione të reja dhe 80 milionë euro hua. “Ferretti” do të mbajë administrimin aktual me qendrën dhe stabilimentet prodhuese në Itali.
Pekini, drejt një tremujori të vështirë
Treguesi i sektorit të shërbimeve (PMI) në muajin dhjetor arriti 56 pikë, duke shënuar rritje të fortë krahasuar me 49,7 pikë që shënonte në nëntor, sipas të dhënave zyrtare të Kinës. Në të njëjtën periudhë, treguesi i porosive të reja është rritur në 50,5 pikë (nga 47,2 pikë në nëntor) duke kaluar kufirin 50 që tregon zakonisht ndarjen mes tkurrjes dhe rritjes. Lind pyetja nëse ka ndryshim të tendencës. Sipas të dhënave të fundit duket se po përballemi me një ndryshim të tendencës së ekonomisë kineze, e shfaqur së fundi me pak frymëmarrje. Kujdesi është i detyrueshëm edhe për faktin se në rritjen kineze rëndon ngadalësimi i ekonomisë globale. Siç tregohet edhe nga statistikat, në 2011-n, suficiti i ekonomisë së dytë botërore është reduktuar në rreth 160 miliardë dollarë (nga më shumë se 183 miliardë dollarë të regjistruar një vit më parë), edhe pse volumi i tregtisë së jashtme është rritur gjithsesi në vitin e fundit më shumë se 20%, duke arritur në 3.600 miliardë dollarë.
Duke këshilluar kujdes në vlerësimin e perspektivës së Dragoit, Kryeministri Wen Jiabao ka thënë se tremujori i parë i këtij viti është i vështirë për shkak të ngadalësimit global. “Jemi në një situatë ku ndiejmë presion të dyfishtë, ka thënë Kryeministri, si nga ana e çmimeve, edhe të ngadalësimit ekonomik”. Sipas tij, tregu është relativisht i ftohtë dhe ky është thelbi i problemeve aktuale.
Për të kundërbalancuar rënien e eksporteve, Wen ka theksuar se qeveria po kërkon të forcojë rritjen e kërkesës së brendshme.
Në të njëjtën kohë, Kina ka vendosur të rrisë pagën minimale në disa qytete e provinca të vendit, për t´iu kundërvënë dobësimit të fuqisë punëtore. Në qytetin e Shenzhen, qendër e madhe e fabrikave në kufi me Kong, pagat do të rriten 15$ që nga shkurti, duke arritur në 1.500 yuan (185 euro). Në Pekin pagat janë rritur gati 9% që nga janari i vitit të kaluar, duke arritur në 1.260 yuan (155 euro).
“Politika e qeverisë kineze bazohet në ndryshimet e tregjeve”, është shprehur Stephen Green, ekonomist për Kinën te “Standard Chartered Bank” në Hong-Kong. Sipas tij, “tregu kinez i punës ka pësuar ndryshime të mëdha në pesë vitet e fundit. Mungesa e krahut të punës është bërë një fenomen i njohur”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.