KKR blen gjigantin ballkanik të internetit dhe televizionit

18/11/2013 2:07 PM 0 komente

Kompania amerikane KKR blen gjigantin ballkanik të internetit dhe televizionit me pagesë për 1 miliard euro

Kompania amerikane e investimeve private Kohlbergu Kravis Roberts (KKR) po kërkon zgjerim të mundshëm në Ballkan, kjo pas blerjes së një prej grupeve më të mëdha të ofrimit të shërbimit të televizionit me pagesë dhe internetit SBB/Telemach, me qendër në Serbi, por me shtrirje në shtatë shtete të rajonit.

“Tashmë ne e përfunduam punën tonë në aspektin makro, kjo do të na hapë dyert për mundësi të tjera në këtë rajon”, u shpreh pas shpalljes së kompanisë fituese, Henrik Kraft, që drejton skuadrën e teknologjisë dhe të Telekomit të KKR në Europë. Ndërsa Henry Kravis, bashkëthemelues i KKR-së thotë se “kjo është shenja e besimit që na dha SBB/Telemach”.

Kompania amerikane që drejtohet nga Henry Kravis dhe George Roberts konkurroi me Telekom Austria, operator i telefonisë mobile, e cila ka prani në ish-Jugosllavi dhe që u tërhoq nga procesi i tenderimit. Në listën e firmave të interesuara sipas Bloomberg ishin: Providence Equity Partners, Cinven Advisers dhe Altice Finco. Por, ajo që e mbajti larg kompaninë austriake nga vendi i parë kishte të bënte me rënien e të ardhurave të saj në tremujorin e dytë të vitit.

Në një pjesë të saj, Telekom Austria zotërohet nga operatori telefonik i Amerikës Latine, América Móvil, e cila bleu 21% të aksioneve.

Por, amerikania KKR demonstroi se ishte e gatshme për këtë sipërmarrje nisur nga bazat e saj të forta dhe kështu nisi “gjuetia” me një blerje prej 1 miliard eurosh të kompanisë më të madhe kabllore të Serbisë, investimi i saj i parë në Europën Lindore. Ky investim ka të ngjarë që t’i mundësojë grupit me seli në Nju Jork bazën për të filluar ngritjen e një fondi të ri për Europën. Në muajin qershor, KKR pati deklaruar se do të shpenzonte për blerjen e grupit serb rreth 1.73 miliardë dollarë ose rreth 29% të fondit të saj europian të ngritur në vitin 2008. Mësohet se marrëveshja e fundit e grupit pjesërisht do të financohet me borxh.

Kompanitë e kapitaleve private, të cilat në mënyrë tipike duhet të investojnë fondet e tyre brenda pesë-gjashtë viteve, kanë luftuar fort për të investuar paratë e tyre në Europë, pas krizës globale financiare të vitit 2008 dhe asaj të mëvonshme të borxhit të Eurozonës. Vlera e investimeve të realizuara nga ana e tyre për këtë vit në Europë arriti në rreth 40 miliardë euro, një shifër kjo e njëjtë në të njëjtën periudhë një vit më parë. Shifra e investimeve arriti kulmin në vitin 2007 kur u llogarit në 172 miliardë euro.

Kompania amerikane KKR arriti të fitojë ndaj konkurrentëve si Liberty Global, Providence Private dhe Cinven për të blerë Beograd SBB/Telemach nga një kompani tjetër e kapitalit privat, Mid Europa, e cila ka trefishuar fondet e saj nga realizimi i kësaj shitjeje.

“Shërbimet e tyre janë moderne dhe të sofistikuara, sikundër janë edhe ato në tregjet perëndimore, por kanë vepruar në një treg me penetrim të ulët të broadband shërbimeve të televizionit me pagesë”, tha Henrik Kraft, kreu i ekipit të teknologjisë për Europën. “Ne kemi parë se historia zhvillohet në tregjet perëndimore, këtu ka shumë potencial rritjeje. SBB numëron rreth 1.5 milionë abonentë në të gjitha tregjet e ish-Jugosllavisë”, tha Kraft. Grupi Mid Europa e pati blerë SBB-në në vitin 2007 dhe më pas i shtriu shërbimet në gjashtë vende. Ndërsa vetë SBB arriti të përfshijë edhe 18 biznese duke rritur fitimet para taksave, interesave, zhvlerësimit dhe amortizimit me 37% gjatë këtij viti. Drejtuesit e KKR thonë se do të ndjekin një strategji konsolidimi me qëllim për ta renditur kompaninë në bursën e Varshavës ose për ta shitur atë për një operator të telefonisë mobile të gatshëm për të ofruar shërbime të tjera për klientët e saj.

 

Blerja

Ky transaksion është një tjetër shembull i interesit në rritje për investime kabllore në Europë, pas blerjes së aksioneve të operatorit polak kabllor INEA nga Warburg Pincus, në fillim të këtij viti, por edhe të blerjes së Vodafone Kabel Deutschland në Gjermani. Ky transaksion do të shërbejë edhe për futjen në tregun europian për KKR, e cili, në muajin maj, shiti aksionet e tij në median australiane Seven West Media. Blerja e SBB/Telemach tregon një ndryshim në fokusin e KKR-së ndaj medias kabllore. Kjo marrëveshje nuk ishte e para Mid Europa, por ndjek atë të vitit 2010 me shitjen e Aster të Polonisë, nga e cila u gjenerua një kthim investimi në masën 23%.

Grupi SBB/Telemach rezultoi një aset i çmuar dhe një kthim i shëndetshëm për Mid Europa, ndërsa ka të ngjarë të sigurojë edhe një shtesë të fortë në portofolin e KKR-së. SBB është aktualisht lidere në shërbimet televizive kabllore. Në Serbi janë rreth 614,000 shtëpi që kanë shërbimin e kësaj kompanie, që përbëjnë 54% të totalit të rrjetit televiziv me parapagesë. Kjo kompani është gjithashtu një “lojtar” i madh i platformës satelitore në Serbi. Ndërsa në Slloveni ajo ofron shërbime për rreth 127,000 familje.

 

Kush është SBB-Telemach Group

Kompania ka prani në shtatë vende: në Serbi, Slloveni, Bosnjë, Kroaci, Malin e Zi dhe Maqedoni. Në një popullsi në total mbi 20 milionë numërohen rreth 1.7 milionë konsumatorë të shërbimeve kabllore dhe satelitore, broadband dhe telefonisë mobile.

Pjesa më e madhe e aseteve janë në Serbi, ku është ofruesi kryesor me shërbime kabllore.

SBB-Telemach Group dhe Telemach formojnë platformën kryesore televizive rajonale të paguar në Europën Juglindore. Kompanitë e grupit kanë krijuar reputacion të mirë në treg për përmbajtjen dhe cilësinë. Kompanitë e grupit ofrojnë edhe të dhëna kërkimore për kompanitë e vogla, të mesme dhe të mëdha.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of