Projekti për rehabilitimin e segmentit rrugor nga mbikalimi te Pallati me Shigjeta te rreth-rrotullimi Shqiponja është kthyer në mollë sherri prej ditësh mes institucioneve publike dhe më shumë se 300 familjeve të cilat preken nga ndërhyrja.
Por përtej ngërçit të krijuar, Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar të martën e kësaj jave lejen zhvillimore për Bashkinë e Tiranës për këtë projekt, ndërkohë që subjekti zhvillues është Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Lista e vendimeve të miratuara nga KKT këtë herë ka qenë më modeste me vetëm katër në total ku dy të tjerët kanë të bëjnë me ndërtimin e mbikalimeve për këmbësorët në aksion Kukës-Morinë dhe Thumanë-Milot.
Lista e plotë e vendimeve të miratuara më 20 nëntor
1.Leje Zhvillimi për objektin: “Rehabilitimi i segmentit rrugor ‘Mbikalimi i Pallatit me Shigjeta rreth-rrotullimi Shqiponja’, Bashkia e Tiranës”, me subjekt zhvillues Autoritetin Rrugor Shqiptar.
- Leje Ndërtimi Infrastrukture për objektin: “Mbikalim këmbësorësh në aksin Kukës-Morinë”, me subjekt zhvillues Autoritetin Rrugor Shqiptar.
- Leje Ndërtimi Infrastrukture për objektin: “Mbikalim këmbësorësh në aksin Thumanë -Milot”, me subjekt zhvillues Autoritetin Rrugor Shqiptar.
- Njoftim anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Territorit mbi kërkesat për kontroll përputhshmërie të shqyrtuara nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, për periudhën 06.11.2018 deri më tani, sipas Vendimit Nr. 1, datë 30.07.2015 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave që do të ndiqen nga Autoritetet e Zhvillimit të Territorit për shqyrtimin e kërkesave për Leje Ndërtimi deri në miratimin e Planeve të Përgjithshme Vendore”, i ndryshuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.