Flet Ferid Shijaku, Drejtor i Komanduar i Divizionit të Biznesit, anëtar i Bordit të Menaxhimit i OTP Bank Albania
Sektori i qirasë financiare është dëmtuar rënë nga pandemia e Covid-19. Ferid Shijaku, Drejtor i Komanduar i Divizionit të Biznesit, anëtar i Bordit të Menaxhimit i OTP Bank Albania pohon se bizneset e financuara me leasing operojnë kryesisht në sektorët e prodhimit (linja makinerish), apo sektorët e transportit të mallrave ose njerëzve (mjete transporti) të cilët janë mjaft të goditur nga kriza e Covid-19.
Megjithatë, ai shton që me gjithë vështirësitë në likuiditet nga rënia e aktivitetit, klientët tanë kanë vazhduar rregullisht me shërbimin e qirasë financiare, vetëm një pakicë e tyre ka kërkuar dhe të shtyhen këstet.
Pandemia e COVID-19 preku pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë. Si e ka ndikuar tregun e qirasë financiare?
Tregu i qirave financiare (financial leasing) është padyshim shumë i prekur nga Covid-19, më shumë se format e tjera të financimit (kredive), për vete speficikat që ka, konkretisht:
Bizneset e financuara me leasing operojnë kryesisht në sektorët e prodhimit (linja makinerish), apo sektorët e transportit të mallrave ose njerëzve (mjete transporti) të cilët janë mjaft të goditur nga kriza e Covid-19. Gjithashtu, bizneset e makinave me qira, taksive, që po përjetonin një rritje të kënaqshme përpara krizës, janë ndërmjet subjekteve më të dëmtuara nga Covid-19.
Nga pikëpamja e kërkesës për leasing, siç dhe pritej blerja e veturave nga individët është në nivelet më të ulëta, ndërsa kompanitë kanë shtyrë investimet në linja apo flota për një periudhë më të mirë.
Si është interesi i individëve dhe bizneseve tani me rihapjen që nisi nga qershori?
Operatorët më të rëndësishëm në vend raportojnë shitje në rënie të veturave të reja dhe pas hapjes në Qershor. Normalisht, kjo reflektohet në kërkesë më të ulët për leasing. Njëlloj paraqitet dhe kërkesa nga bizneset, që kanë shtyrë investimet kapitale për më vonë.
Si e prisni në përgjithësi vitin 2020 duke pasur parasysh pasigurinë dhe paqartësinë që ekziston mbi pandeminë?
Ju me të drejtë e cilësoni këtë situatë si të paqartë dhe të pasigurtë për aq kohë sa nuk e dimë se si do të shkojë ecuria e përhapjes së Covid-19, vaksinës, lëvizjes së qytetarëve, etj.
Sidoqoftë, pasiguria është pjesë e pandarë e biznesit tonë. Pikërisht për këtë arsye bankierët janë mësuar të planifikojnë punën e tyre bazuar në disa skenarë parashikimi, nga më pesimisti, deri në optimizëm të moderuar. Si rrjedhojë, jemi të përgatitur që të ofrojmë më të mirën në një situatë të tillë për klientët dhe aksionerët tanë.
Padyshim presim një rënie të aktivitetit të kredidhënies në përgjithesi dhe të leasing-ut në veçanti, por kjo rënie do të jetë e moderuar, pasi ne kemi tashmë një bazë të mirë dhe të gjere klientësh, me të cilët po punojmë ngushtësisht për t’iu përshtatur nevojave të tyre tashmë të ndikuara nga pandemia.
Nga sektorët, transporti ishte ndër më të goditurit. Si është reflektuar kjo sa i takon rinovimit të flotave? Po ndërtimi si ka qenë në kërkesë duke qenë se ka vijuar?
Transporti është padyshim një nga sektorët më të prekur. Shumë operatorë do të ndiejnë për një kohë të gjatë pasojat e pandemisë. Me disa muaj pa operuar, ndërkohë të ngarkuar me kosto të rëndësishme fikse dhe këste kredie apo leasing-u, likuiditeti i tyre është orientuar drejt mbijetesës. Vendim-marrja për rinovim flotash është shtyrë.
Në përgjithësi ndërtimi ka vazhduar aktivitetin si në punët publike dhe në ndërtimet rezidenciale/komerciale. Pjesa e shëndoshë e ndërtueseve kanë krijuar një bazë të kompletuar të makinerive dhe pajisjeve. Presim që kërkesa nga ky sektor të vazhdojë normalisht në vazhdim, ndonëse pakëz e shtyrë në kohë.
Një sektor shumë i prekur ishte dhe ai i makinave me qira që gjatë viteve të fundit kanë përjetuar një rritje të lartë duke shoqëruar dhe rritjen e turistëve në vend. Për ata është një vit totalisht i humbur.
Si ka qenë shuma mesatare e kërkuar për financim në rritje apo në ulje në raport me një vit më parë?
Shumat që trajtojmë këto muajt e fundit janë më të vogla për një financim, sepse dhe investimet bëhen të pjesshme, shtyhen për një kohë më të mirë.
Ka më shumë kërkesë për pajisje të përdorura apo për të reja?
Ne trajtojmë me leasing kryesisht pajisje, mjete të reja, ose fare pak të përdorura. Nuk vemë re ndonjë ndryshim të tendencës së viteve të fundit. Të re ose të përdorur, tanimë varet më shumë nga cikli i jetës së një biznesi, sa më shumë konsolidohen aq më shumë shkojnë drejt mjeteve dhe pajisjeve të reja.
A ka ndikuar situata e pandemisë në vështirësi pagese nga palët përfituese dhe si është zgjidhur kjo duke pasur parasysh fleksibilitetin që ekziston?
Më kënaqesi vëmë re që me gjithë vështirësitë në likuiditet nga rënia e aktivitetit, klientët tanë kanë vazhduar rregullisht me shërbimin e qirasë financiare, vetëm një pakicë e tyre ka kërkuar dhe të shtyhen këstet (moratorium). Duke u maturuar bizneset, por dhe individët, e respektojnë gjithmonë e më shumë marrëdhëniet kontraktuale të detyrimeve.
Normalisht, nga ana jonë fleksibiliteti dhe gatishmëria për të ndihmuar ka qenë dhe do të jetë në çdo moment. Biznesi ynë është të financojmë dhe shërbëjme klientët tanë që të rriten e pasurohen; pikërisht prosperiteti tyre sjell dhe prosperitetin e bankës, punonjësve të saj dhe aksionerëve tanë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.