Intervistë me Dorian Mersini, avokat për çështjet detare
Shqipëria duhet të lehtësojë procedurat, të përmirësojë infrastrukturën dhe t’u përgjigjet kërkesave të kohës lidhur me zhvillimin e nautikës shqiptare. Sot ka një rritje të interesit nga milionerët shqiptarë “për t’u arratisur” nga rutina me një jaht privat, por burokracitë që hasin e kthejnë aventurën e relaksit në një stres më vete.
Në një intervistë për “Monitor”, Dorian Mersini, avokat për çështjet detare, shprehet se interesi ka ardhur në rritje, por transaksionet që bëhen nuk kalojnë përmes Shqipërisë. Të paktën nga 20 milionë euro blerje jahtesh që janë bërë, Shqipëria ka humbur 4 milionë vetëm nga mosarkëtimi i TVSH-së së zhdoganimit. Më problematike sesa kjo janë burokracitë në vend, në rast se kërkon të kryesh një blerje të tillë luksoze. Gjithsesi, sipas Mersinit nuk i ka kufizuar shqiptarët që të blejnë superjahte dhe t’i regjistrojnë nën flamuj të tjerë.
“Kjo praktikë regjistrimi nëpërmjet dhënies së flamurit, u lejon këtyre shteteve të kanalizojnë në sistemet e tyre fiskale transaksionet mbi shitje-blerjen e barkave, shërbimeve që lidhen me to, si dhe t’u ofrojnë mundësinë e akostimit të tyre në marinat dhe portet e vendit të flamurit. Ndërsa për fatin tonë të keq, Shqipëria qëndron në heshtje si një spektatore, e cila ende nuk e konsideron sektorin si një burim të rëndësishëm të ardhurash, dhe nuk parashikon asnjë strategji shtetërore”, – shprehet Mersini.
Si shfaqet sot tendenca e jahteve në vend?
Përpara se t’ju sqaroj për pyetjen tuaj, ju përgëzoj dhe më vjen mirë që revista juaj gjithnjë ka shkruar rreth kësaj teme, për të ndihmuar lexuesin të kuptojë sa më shumë rreth jahteve, që fatkeqësisht për shqiptarët, ndër vite e për shumë arsye janë konsideruar si një “mollë e ndaluar”. Gjithsesi, le të fokusohemi tek e ardhmja e këtij sektori në Shqipëri dhe të harrojmë të kaluarën, pasi vetëm kështu mund të përcjellim një frymë pozitive dhe relaksi, tepër e rëndësishme për shqiptarët këtë sezon vere.
Le t’i rikthehemi pyetjes. Tendenca për të zotëruar një jaht sot është përhapur ndjeshëm te një pjesë e mirë e biznesmenëve shqiptarë, të cilët sot, pas dekadave pune në biznes, kanë mundësinë financiare të eksperimentojnë në investime të tilla. Ata më shumë se kurrë sot kanë nevojë të ndiejnë lirinë, qetësinë, privatësinë dhe luksin që ofron deti në bordin e një jahti.
Për më tepër nuk duhet harruar se bregdeti shqiptar ka një magji të veçantë, në mungesë të infrastrukturës rrugore përgjatë vijës bregdetare, pjesa më e madhe e tij paraqitet krejtësisht e virgjër dhe mund të aksesohet vetëm me rrugë detare. Pikërisht ky fakt e bën udhëtimin detar me jaht, të duket si një lloj aventure për eksplorimin e vendeve të reja. Kjo tendencë është tepër e vlerësuar nga turistët e huaj të jahteve, të cilët këtë përvojë mund ta realizojnë vetëm në Shqipëri, pasi në vendet e tjera, popullsia është zhvilluar përgjatë vijës bregdetare.
Nga të dhënat që dispononi a është rritur kërkesa për blerje jahtesh dhe kush po i ble?
Po, sot mund të themi me siguri se kërkesa për të blerë jahte apo për t’i marrë ato me qira, është në rritje, kjo referuar pikërisht asaj çka përmenda më lart, rritjes ekonomike të vendit tonë dhe të bizneseve shqiptare. Gjithsesi, duhet pasur parasysh se mungesa e kulturës dhe përvojave të shqiptarëve me barka, e bën kërkesën të jetë disi e brishtë. Jo mirë e menduar. Në shumicën e rasteve, emocionale. Më shumë tendencë momenti ose mode, se sa stil jetese. E rëndësishme është që shqiptarët që kanë mundësinë financiare, së fundmi kanë filluar të hedhin hapat e parë në zotërimin e barkave dhe marrjen me qira të tyre. Me kalimin e kohës, patjetër që kjo tendencë do të kthehet në një stil jetese për ta dhe fëmijët e tyre. Çdo kulturë e re kërkon kohën e vet për t’u zhvilluar me qëndrueshmëri.
Gjatë 10 viteve të fundit mund të shprehemi se transaksionet e shitblerjes së jahteve në Shqipëri kanë njohur një rritje të ndjeshme, pasi kanë kaluar shifrën e 20 milionë eurove. Kjo shifër, edhe pse e lartë në dukje, është e papërfillshme, nëse i referohemi vlerës së lartë të tyre për njësi. Gjithashtu, nëse do të krahasonim ecurinë e kësaj tendence në vendet fqinje si: Greqi, Itali, Mal i Zi apo Kroaci do të vërenim që Shqipëria është shumë mbrapa në këtë drejtim. Arsyet pse vendi ynë nuk po arrin ta përvetësojë maksimalisht këtë tendencë, referuar vendeve fqinje konkurrente, është se në Shqipëri, ky sektor është zhvilluar në mënyrë rudimentale, sipas iniciativave sporadike nga vetë biznesmenët shqiptarë. Ende sot nuk kemi një strategji të qartë investimesh konkrete dhe afatgjatë. Nuk ekzistojnë marina apo porte të përshtatshme për pritjen dhe shërbimin e jahteve, sipas kërkesave të kohës.
I vetmi port në vend që mund të quhet marinë jahtesh, është ai i Orikumit. Një vend si Shqipëria, me 450 kilometra vijë bregdetare duhet të zotëronte minimalisht 10 porte të tillë, me rreth 4000 vende akostimi, vetëm për nevojat vendase. Ndërsa për të qenë konkurrues në rajon duhet të zotëronte të paktën 30 porte, me një kapacitet kompleksiv prej gati 18.000 vende akostimi. Nuk duhet harruar se sot, në Shqipëri, rezultojnë të regjistruar rreth 5000 barka të dimensioneve nga 5 metra deri në 20 metra.
Klientela e jahteve luksoze, përpara se të vendosë për regjistrimin dhe flamurin e mjetit lundrues, nëpërmjet agjencive të specializuara që merren me menaxhimin e mjetit, studion paraprakisht alternativat dhe avantazhet fiskale të ofruara nga vende të ndryshme të botës që kanë interesa në ekonominë detare. Këto vende, si Malta, Holanda, Belgjika, Britania e Madhe, Kroacia, Mali i Zi, etj., prej vitesh janë futur në një garë globale për të përthithur sa më shumë jahte pranë regjistrave të tyre detare. Kjo praktikë regjistrimi nëpërmjet dhënies së flamurit, u lejon këtyre shteteve të kanalizojnë në sistemet fiskale transaksionet mbi shitje-blerjen e barkave, shërbimeve që lidhen me to, si dhe t’u ofrojnë mundësinë e akostimit në marinat dhe portet e vendit të flamurit.
Ndërsa për fatin tonë të keq, Shqipëria qëndron në heshtje si një spektatore, e cila ende nuk e konsideron sektorin si një burim të rëndësishëm të ardhurash dhe nuk parashikon asnjë strategji shtetërore apo partneritet publik – privat, për zhvillimin e kësaj pjese të rëndësishme të ekonomisë shqiptare.
Mjafton të shikojmë zhvillimin e porteve të jahteve në fqinjin tonë Malin e Zi, veçanërisht Porto Montenegro në Tivat. Ky është një investim që ka kapur vlerën e 100 milionë eurove, i realizuar në më pak se 10 vjet, me mbështetjen e qeverise malazeze nëpërmjet projekteve koncesionare dhënë investitorëve të huaj. Ky port, që më parë ka qenë në shërbim të ushtrisë, pasi u dha me koncesion, ka zhvilluar një zonë krejtësisht të harruar më parë, tepër të varfër. Pas 10 viteve, banorët e Tivatit nuk kanë më probleme punësimi, kanë shndërruar banesat e tyre në hotele dhe sot kjo zonë frekuentohet nga një nivel elitar turimi, që gjeneron të ardhura të shumta jo vetëm për komunitetin e zonës, por edhe për shtetin e Malit të Zi.
Duke parë këto përvoja, fare mirë mund të kuptojmë lehtësisht se ku janë gabimet tona dhe të ndërmarrim rrugën e duhur për zhvillimin e sektorit.
Ende sot, klientela e jahteve në Shqipëri përballet me një sërë problemesh burokratike që janë trashëguar ndër vite. Asnjë qeveri nuk ka marrë dhe nuk po merr iniciativën për t’i reduktuar, ose qoftë t’i eliminojë, pasi paraqiten jo konform praktikave ndërkombëtare të detit, referuar jahteve.
Nëse një barkë kërkon të lundrojë në ujërat shqiptare, bazuar në kërkesat ligjore, duhet të bëjë raportime duke paraqitur dokumentacionin e kërkuar në mënyrë të vazhdueshme pranë Policisë Kufitare, Kapitanerisë, Administratës së Portit etj. Kjo praktikë është e kërkuar për anijet e mallrave dhe nuk mund të jetë gjithashtu kërkesë detyruese për barkat që lundrojnë brenda ujërave territoriale. Njoftimi i institucioneve në të gjithë vendet e botës, kur nuk kemi kalim të kufirit shtetëror, bëhet nëpërmjet komunikimit radio, nga kapiteni i jahtit. Ndërsa në Shqipëri duhet të lajmërohen institucionet 24 orë përpara nisjes, duhen dërguar një sërë dokumentesh (letrat e skafit, dokumentet e identifikimit të personave në bord, dëshmitë, lejet, etj.) dhe më pas të merret konfirmim nga të gjitha institucionet për nisjen e skafit. Duhet kuptuar se një mjet lundrues është gjithnjë i identifikuar nëpërmjet numrit të matrikulës dhe komunikimit radio që kapiteni kryen me kapitaneritë e porteve në vazhdimësi.
Kjo praktikë është trashëguar nga koha kur skafet shikoheshin si mjete të angazhuara në aktivitete të jashtëligjshme. E kundërta, sot. Skafet janë në pronësi të personaliteteve të biznesit, artit, sportit. Të ushtrosh kontrolle është një praktikë e mirë, pasi ndihmon sigurinë e lundrimit. Por të kërkosh paraqitjen e dokumenteve institucionale, sa herë që skafi do të niset në lundrim, e bën këtë përvojë të shndërrohet nga kënaqësi në një makth. Si rrjedhojë i detyron pronarët shqiptarë të heqin dorë nga zotërimi i barkës, ose nga regjistrimi i saj me flamur shqiptar, si dhe të mos i marrin më këto barka me qira në Shqipëri, por të zgjedhin vendet fqinje, ku këto praktika janë tërësisht të liberalizuara.
Duke qenë se Shqipëria zotëron rreth 460 kilometra vijë bregdetare, e ka të gjithë potencialin gjeografik dhe ekonomik për ta zhvilluar sektorin e nautikës, jo sipas shpikjeve të zyrtarëve shqiptarë, por sipas përvojave më të mira të realizuara në vendet fqinje, ku ky sektor ka marrë një zhvillim të qëndrueshëm, me standarde bashkëkohore, në kushte konkurrence tregu.
Po në lidhje me qiradhënien, si është ky raport? Si paraqiten çmimet e qiramarrjes dhe blerjes? Kush merr jahte me qira sot?
Qiradhënia e jahteve, duke pasur parasysh problematikat e adresuara më lart, sot paraqitet si një alternativë e pronësisë së barkës. Klientela, për të mos u përballur me vështirësitë që ka sot nautika në Shqipëri, preferon t’i marrë barkat me qira dhe të shijojë vetëm pjesën e kënaqësisë që këto mjete luksoze dhurojnë. Personat që zgjedhin qiranë, më shumë se sa pronësinë e barkës, janë individët që rishtas kanë filluar t’i kalojnë pushimet me jahte dhe ende nuk ndihen të gatshëm të përqafojnë të dyja aspektet e të pasurit të një barke. Pjesa e vështirë: mirëmbajtja dhe administrimi i barkës, kostot dhe pjesa e bukur: përdorimi për kënaqësi. Në kategorinë e personave që marrin barka me qira bëjnë pjesë edhe individët që e kanë kohën e kushtëzuar, si rrjedhojë e impenjimeve që kanë në jetën e tyre të përditshme. Këta persona e shikojnë alternativen e qirasë si një mundësi më pak të kushtueshme dhe më pak impenjative, krahasuar me zotërimin e pronësisë së një jahti.
Çmimet e qiramarrjes janë të përcaktuara nga vetë tregu i këtij sektori, për llojin e barkës, zonën e lundrimit, kapacitetin, kohëzgjatjen e qirasë etj. Ka një dallim të ndjeshëm ndërmjet barkave me vela dhe jahteve motorike. Të parat janë më të përshtatshme për shtresën e mesme dhe të lartë të shoqërisë, referuar mundësive ekonomike. Ndërsa jahtet motorike janë ekskluzivitet i të pasurve (ato fillojnë nga 1000 euro dita dhe kufi është imagjinata dhe portofoli i klientit).
Ajo çfarë influencon negativisht tregun shqiptar në ngritjen e çmimit të qirasë, është mungesa e infrastrukturës portuale të përshtatshme për shërbimin e jahteve. Ende kompanitë ndërkombëtare të sigurimeve nuk ofrojnë shërbim siguracioni për lundrim në ujërat shqiptare. Hartat detare ende rezultojnë të papërditësuara (publikime të vjetra) dhe shumë zona lundrimi aktualisht paraqiten si zona detare të minuara.
Gjithashtu mungon informacioni në portale apo faqet e internetit për këtë lloj turizmi në Shqipëri. Nuk ekzistojnë guida të specializuara dhe të certifikuara për të trajtuar dhe për t’i shërbyer turizmit të jahteve në rang vend. Në Shqipëri nuk kemi ende një distributor karburanti për jahtet që kalojnë tranzit dhe që kërkojnë të furnizohen me naftë të përjashtuar nga taksat. Mungojnë shërbimet e specializuara ndaj jahteve (mirëmbajtje, asistencë teknike në det, pastrim, etj.).
Vendi ynë nuk është pjesë e tregut ndërkombëtar për lëvizjen e jahteve çka sjell shumë pasiguri tek pronarët e tyre. Më të guximshmit, ata me shpirt eksploratori, zgjedhin të lundrojnë në ujërat shqiptare dhe padyshim kalojnë një përvojë mbresëlënëse, me të cilën më pas krenohen duke e treguar tek miqtë e tyre. Por kjo nuk është dhe nuk mund të jetë rruga e duhur për promovimin e këtij sektori.
Këto informacione në tregun ndërkombëtar të qiramarrjes (Yacht Charter) kanë ndikim tepër negativ, që nuk e ndihmon përqasjen e interesit të investitorëve të huaj drejt nautikës shqiptare. Nga ana tjetër vlen të theksohet se ky lloj turizmi do të shpërthejë vetë nga kërkesat e tregut të brendshëm, i cili tashmë ka filluar të fokusohet në këtë drejtim të ri. Shumë biznese shqiptare kanë ndërmarrë iniciativë për ndërtim të marinave të jahteve, përfshirë portet me rezidenca shumëfunksionale në shërbim të nautikës. Kanë filluar njëkohësisht 4 projekte të tilla, kryesisht përgjatë bregdetit Adriatik. Nesër këto nisma do të mbeten thjesht në letër apo të zbatohen së shpejti, koha do ta tregojë. Personalisht jam i mendimit që, nisur nga përvojat e gabuara të viteve të shkuara, nga koha e humbur e fitimi i munguar i këtij sektori të ekonomisë, do të jetë në interesin e qeverisë shqiptare të mundësojë dhe të mbështesë realizimin e këtyre investimeve, çka do t’i jepnin jetë nautikës shqiptare.
Siç u shpreha dhe më lart, personat të cilët kanë vendosur të blejnë një jaht, u adresohen agjencive të specializuar, për të vendosur mbi: shtetin e regjistrimit të barkës, portin e akostimit, shtetësinë dhe certifikimin e ekuipazhit që do të mbajnë në bord, vendin për kryerjen e kantierit detar. Nëse në vendet fqinje, për të gjitha këto shërbime ofrohen dhe ekzistojnë lehtësi burokratike dhe fiskale, atëherë zgjedhja e alternativës më të mirë është në dorë të klientelës. Vetëm nëse vendi ynë do të bëjë hapa përpara në këtë drejtim, duke krijuar mundësinë e investimeve të huaja për ndërtimin e marinave me kushte bashkëkohore, lidhjen e infrastrukturës së marinave me rrjetin rrugor dhe atë ajror, ofrimin e shërbimeve të specializuara të jahteve, reduktimin ose heqjen e burokracive administrative që nuk përkojnë me praktikat ndërkombëtare, ndryshimin e sistemit fiskal për shërbimet dhe zotërimin e jahteve, si dhe promovimin e këtij sektori në Panairet e Turizmit, atëherë mund t’i kërkojmë kësaj klientele të vlerësojë krahas alternativave të shumta, edhe variantin tonë për zotërimin e një Jahti me Flamur Shqiptar.
Cilat janë zonat më të bukura për t’u përshkuar me jaht?
Zonat më të bukura të vendit tonë për të udhëtuar me jaht janë gjiret dhe shpellat që gjenden në detin Jon (Gjiri i Karaburunit, Sazani, Gjiri i Gramës, Arushës, Shpella e Haxhi Aliut, Gjipe, Kështjella e Ali Pashë Tepelenës, bregdeti i Dhërmiut, Himarës, Sarandës). Këto gjire, përveç bukurive mahnitëse natyrore, janë të mbushur dhe me histori dhe site arkeologjike.
Në këtë drejtim, shteti duhet të bëjë sa më parë ruajtjen dhe kontrollin e tyre, mbrojtjen mjedisore, katalogimin e pasurive arkeologjike mbi dhe nënujore, si dhe të nxirren ligjet përkatëse me sanksione të rrepta, nëse këto pasuri cenohen nga turistë, qofshin këta shtetas shqiptarë apo të huaj.
Gjithashtu zona të bukura ka dhe deti Adriatik, ku mund të përmendet Kepi i Rodonit me kalanë e Skënderbeut, Rana e Hedhun në Shëngjin.
———————
Këshillat e të huajve për Shqipërinë: Mos e lini jahtin pa roje
Nëse je një i huaj dhe do të vizitosh Shqipërinë me jaht mund të jetë një sfidë më vete që të gjesh informacion se çfarë dokumentesh të duhen, çfarë detyrimesh ke për të paguar, çfarë lejesh duhet të sigurosh, çfarë të vizitosh dhe ku të akostohesh. Informacioni është i shpërndarë gjithandej nëpër copëza orientimesh në internet, por që më shumë të bëjnë konfuz sesa të ndihmojnë. Por ka edhe nga ato faqe që të japin dy-tre ide sesi të ambientohesh në një terren shqiptar dhe çfarë gjërash pikante duhet të kesh parasysh kur mbërrin me jaht në brigjet shqiptare. Noonsite.com, një web i cilësuar si një sajt global për të pasionuarit pas udhëtimeve në det, jep disa këshilla edhe për Shqipërinë.
- Shqipëria u ka hapur dyert turistëve të huaj dhe numri i atyre që e vizitojnë me jahte po rritet. E ndërsa ajo që do të gjeni është një mirëseardhje e ngrohtë, mos u çudisni nëse trajtoheni me dyshim nga zyrtarët.
- Portet kryesore të hyrjes janë në Durrës, Vlorë dhe Sarandë që janë tregtarë dhe kanë shumë pak ose aspak lehtësi për jahtet. Ka një port në Orikum afër Vlorës, më i përshtatshëm për këtë pjesë.
- Mjetet që lundrojnë në Adriatik ose Jon duhet të kenë parasysh që mund të hasin edhe në mjete të tjera të fikura në mes të detit. Dikur kjo ishte më evidente, për shkak të transportit ilegal drejt Greqisë dhe Italisë.
- Nuk rekomandohet që nëse akostoni jahtin, ta lini atë pa dikë që t’i hedhë një sy kur s’jeni aty.
- Kini parasysh që jo gjithë bregdeti përmbush kriteret sipas sistemit IALA (shënjim, drita etj.) në zonat e ankorimit, dhe në disa zona ku shënohet ende “të minuara” edhe pse shumica të pastra, më mirë t’i shmangni.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.