Viti 2016 rriti me të paktën 41% borxhin tatimor dhe doganor së bashku me borxhin në skemën e sigurimeve shoqërore gjatë 2016-s në raport me një vit më parë. Është ky konstatimi i bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në buletinin e auditimeve për periudhën janar-shtator 2017.
Në këtë buletin, KLSH vlerëson se “për vitin 2016 rritja e detyrimeve ndaj tatimeve dhe doganave (borxhi tatimor dhe doganor) si dhe skemës së sigurimeve shoqërore është në vlerën 51,175,458 mijë lekë ose 41% më e lartë se viti 2015”
Dëmi ekonomik 720 milionë euro
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dalë në përfundimin se nga auditimet që kanë kontrolluar periudhën ekonomike 2014-2016 të institucioneve, dëmi total llogaritet në 720 milionë euro. Ky dëm është i ndarë në dy kategori, ku e para lidhet me mënyrën sesi janë kryer shpenzimet dhe e dyta me performancën e ulët që ka dhënë efekt tek të ardhurat e munguara.
“Nga auditimet e ushtruara gjatë kësaj periudhe janë konstatuar: parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 9,226 milionë lekë ose 69 milionë euro.
Po kështu, shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 86,961 milionë lekë, afërsisht 651,3 milionë euro nga e cila: 81,244 milionë lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 608,5 milionë euro dhe 5,717 milionë lekë afërsisht 42,8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve.
Në total janë konstatuar shkelje në shumën 96,188 milionë lekë ose afërsisht 720,5 milionë euro” vlerëson KLSH.
Në një renditje të përgjithshme, fushat me shkeljen më të lartë janë ato të riblerjes së pasurisë shtetërore, si dhe shitblerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, kurse shkeljet më të ulëta tek urbanistika.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.