Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë një auditimi të posaçëm, ka evidentuar se subjektet e industrisë së riciklimit po ndotin lumin Erzen dhe po përdorin ujin e tij jashtë çdo kontrolli të Agjencisë së Basenit Ujor Erzen (ABU).
KLSH ka vënë në dukje se mungesa e akteve nënligjore, veçanërisht mungesa e miratimit të tarifave për shkarkimet e lëngëta të prodhuara nga trajtimi i ujërave të përdorura industriale, ka ndikuar në mosidentifikimin e subjekteve që kryejnë veprimtarinë e shkarkimeve të lëngëta, sipas përcaktimeve në ligjin “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”.
KLSH i ka kërkuar ABU Ishëm-Erzen të marrë masa për të evidentuar subjekte që kryejnë veprimtari të shkarkimeve të lëngëta, të prodhuara nga trajtimi i ujërave të përdorura industriale dhe pas miratimit të tarifave nga organet përkatëse, të ndjekë në vazhdimësi arkëtimin e tyre nga subjektet që kryejnë këtë lloj veprimtarie.
Pas kontrollit është vërejtur se mungon formati TIP për lidhjen e kontratave koncesionare, për rrjedhojë ABU Ishëm-Erzen nuk ka lidhur kontratat përkatëse për përdorimin e ujit nga subjektet sh.a Ujësjellës – Kanalizime Kamëz; sh.a. Ujësjellës – Kanalizime Krujë dhe sh.a. Ujësjellës – Kanalizime Fushë-Krujë, megjithëse këto janë të evidentuar ndër vite si përdorues të ujit, duke u ngarkuar me debi për mosshlyerje të detyrimeve ndaj ABU-së, veprim në mospërputhje me nenin 14, të ligjit nr. 8093, datë 21.03.1996 “Për Rezervat Ujore”, i ndryshuar (për periudhën deri më 15.12.2013) dhe me pikën 1 neni 41, ligjit nr. 111/12, datë 15.11.2012.
KLSH rekomandon që, Drejtoria e Politikave të Burimeve Ujore në Ministrinë e Bujqësisë dhe KBU Ishëm Erzen në bashkëpunim me ABU Ishëm Erzen, të marrin masa dhe të ndjekin të gjitha hapat ligjorë, për të bërë të mundur realizimin e lidhjes së kontratave me subjektet sh.a. Ujësjellës – Kanalizime Kamëz, sh.a. Ujësjellës – Kanalizime Krujë dhe sh.a. Ujësjellës – Kanalizime Fushë-Krujë, të evidentuar si përdorues të ujit.
ABU Ishëm Erzen ka evidentuar një numër të madh subjektesh privatë që përdorin ujin në mënyrë të paligjshme, por rezulton se për shkak të mungesës së akteve nënligjore, nuk është bërë e mundur pajisja e tyre me Leje për përdorimin e ujit, sipas përcaktimeve në pikën 1, neni 41, ligjit nr. 111/12, datë 15.11.2012 “Për Menaxhimin e integruar të Burimeve Ujore” (Trajtuar më hollësisht në faqet 27-34 të Raportit përfundimtar të Auditimit).
ABU Ishëm Erzen në bashkëpunim me Drejtorinë e Politikave të Burimeve Ujore, në Ministrinë e Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, sipas rekomandimeve të KLSH-së të marrin masa për të përgatitur dokumentacionin tekniko-ligjor për të gjithë subjektet, që kanë aplikuar për t’u pajisur me leje, duke e dërguar për shqyrtim në mbledhjen më të afërt që do të zhvillojë KBU Ishëm Erzen, pas konstituimit të saj, për të marrë vendimet përkatëse në përputhje me kërkesat ligjore brenda 2016-s.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.