Kontrolli i Lartë i Shtetit njoftoi sot se ka kallëzuar në Prokurori drejtuesin dhe 7 specialistë të Komisionit Vendor të Vlerësimit të Titujve të Pronësisë (Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi) në Prefekturën e Qarkut të Korçës.
Kallëzimi penal u bë pas shkeljeve të gjetura nga procesi i auditit. Këta specialistë, në 57 raste, nuk kanë bërë kalimin në pronësi të shtetit për tokat e përfituara në kundërshtim me ligjin nga persona fizikë dhe juridikë. Janë kapërcyer tagrat ligjorë, duke marrë vendime mbi deklarimin e përfundimit të procedimit administrativ për shkak të pamundësive të zhvillimit të mëtejshëm të procedurës hetimore, edhe pse ligji nuk i njeh të drejtën e përfundimit të procedimit administrativ pa një vendimmarrje.
Në 37 raste, nuk kanë bërë kallëzimin penal në organet e drejtësisë, ndaj komisioneve të ndarjes së tokës, për sipërfaqen prej 8.4 ha, të cilët kanë tejkaluar kompetencat ligjore, duke ndarë tokë bujqësore më shumë se norma për frymë, në dëm të interesave të shtetit.
Në 37 raste, për dorëzimin në mënyrë fiktive të tokave të kaluara në pronësi të shtetit, pasi toka vazhdon të përdoret nga persona të cilët e kanë përfituar në mënyrë të paligjshme.
Në 6 raste, për sipërfaqen prej 43.1 ha, për lejimin e poseduesve të titujve të pronësisë të gëzojnë të pacenuar tokën e përfituar, në kundërshtim me ligjin, edhe pse Këshilli i Qarkut të Korçës ka konfirmuar se Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) janë dhënë brenda vijave kufizuese të qytetit të Korçës, miratuar me vendim të KRRTRSH-së nr. 3, datë 04.02.1994, “Për përcaktimin e vijave kufizuese të qytetit të Korçës” pra nuk janë objekti i ligjit “Për tokën”.
Në 4 raste, për sipërfaqen prej 2200 m2 të lejimit të përfituesve të AMTP-ve të gëzojnë të pacenuar tokën e përfituar në kundërshtim me ligjin, kur toka rezulton në zërin kadastral “Tokë Truall”, “Mal” apo “Gjemb”, pra jo objekt i ligjit “Për tokën”.
Në 2 raste, nuk ka marrë vendim për kalimin në pronësi të shtetit të sipërfaqes së tokës prej 1050 m2, përfituar më tepër se përcaktimet e ligjit “Për tokën”.
Në 2 raste, të lejimit të përfituesve të AMTP-ve të gëzojnë të pacenuar tokën e përfituar në kundërshtim me ligjin, kur toka rezulton në zërin kadastral “Tokë e Pafrytshme”, pra jo objekt i ligjit “Për tokën”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.