Ekipi i auditimit i KLSH gjeti në bashkitë dhe komunat e lartpërmendura shkeljet si vijojnë:
– Mangësi të theksuara në procedurat e prokurimit për rikonstruksione rrugësh dhe shkollash publike;
– Pagesa për punime publike të pakryera nga sipërmarrës privatë;
– Ndërtim urash pa projekt teknik, pa studim hartografik e kritere teknike;
– Shpallje të vlerës limit të kontratës me vlerë më të lartë, në kundërshtim me VKM nr. 30, dt. 20.01.2010 “Për miratimin e manualeve teknike të çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe të analizave teknike te tyre”;
– Lejim të veprimtarisë së shfrytëzimit minerar për subjekte private që nuk kanë marrë leje dhe nuk kanë derdhur të ardhura për komunën;
– Lidhje kontratash për leje shfrytëzimi të shkëmbinjve gëlqerorë, ndërkohë që kjo e drejtë i përket vetëm Ministrisë së Tregtisë, Ekonomisë dhe Energjetikës;
– Të ardhura të munguara për bashkitë dhe komunat, nga dhënia e lejeve të ndërtimit pa aplikuar tarifën prej 1 % të vlerës së ndërtimit për financimin e studimeve urbanistike, sipas ligjit nr. 8405, datë 17.9.1998, neni 51.
– Shkelje të ligjit nr. 8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën” me ndryshime, në miratimin e 30 lejeve të ndërtimit pa dokumentacionin e përcaktuar ligjor, etj..
Si rezultat i këtyre shkeljeve, Shtetit i është shkaktuar një dëm ekonomik përmbledhës në masën 31.477.096 lekë, e cila është shumë për dy bashki të vogla dhe dy komuna. Ndërkohë, për konsumimin e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes se barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” parashikuar nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal, KLSH ka përgatitur dhe dërguar katër kallëzime penale në organet e prokurorisë për 8 drejtues të bashkive dhe komunave të lartpërmendura, respektivisht 1 ish-kryetar bashkie i bashkisë Prrenjas , 2-ish kryetarë të komunave Qukës dhe Kukur, 1 ish Drejtor Departamenti Ekonomik në bashkinë Rrëshen dhe drejtues të tjerë.
Për përmirësimin e gjendjes, KLSH ka rekomanduar një sërë masash te natyres organizative, administrative dhe disiplinore, si dhe të shpërblimit të dëmit të shkaktuar. Auditime të tilla po kryhen dhe do të vijojnë të kryhen dhe në shumë bashki e komuna të tjera të vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.