Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kontrolluar veprimtarinë financiare të Kuvendit të Shqipërisë për periudhën 2015 -2016 dhe parregullsia kryesore që është gjetur lidhet me faktin se deputetët janë tatuar padrejtësisht nga Administrata e Kuvendit.
Nga auditimi u konstatua se, për pagesën e të ardhurave për pjesëmarrje në komisionet parlamentare të deputetëve është mbajtur tatim në burim, në masën 15% e shumës së përfituar, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 8438 datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar.
KLSH sqaron se administrata e Kuvendit kur ka vjelë tatimin ka zbatuar pikën 5, germa “c” të vendimit të Kuvendit nr. 114/2014, datë 24.12.2014, “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve”, ku parashikohet se: “Tatimi i shpërblimeve për pjesëmarrje në komisione do të konsiderohet si tatim në burim”.
Por sipas KLSH-së, ky përcaktim bie në kundërshtim me sa parashikohet në nenin 9, pika 1/a e ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998. Nisur nga kjo situatë, KLSH i ka rekomanduar institucionit të Kuvendit të Shqipërisë t’i kërkojë Byrosë së Kuvendit shfuqizimin e pikës 5, germa “c” e vendimit nr. 114/2014, datë 24.12.2014, “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve”.
Më tej nga auditimi i strukturave organike për periudhën objekt auditimi u konstatua se, Kuvendi i Shqipërisë, për vitin 2014, rreth 12% pozicioneve të punës paraqiten vakante, për vitin 2015 rreth 5%, dhe për vitin 2016 rreth 10% e tyre.
KLSH raporton se u paraqitën vakante pozicionet e Këshilltarëve Juridikë, në Shërbimin Legjislativ, detyrat e të cilëve lidhen me funksionet parësore të Kuvendit të Shqipërisë siç janë hartimi apo amendimi i ligjeve, apo dhe pozicioni i Drejtorit të Përgjithshëm në Shërbimin Legjislativ i cili paraqitet vakant prej tre vitesh.
KLSH sqaron se, krijimi i vendeve vakante dhe listave të pritjes, janë kosto të shtuara për institucionin, ndaj ka rekomanduar që institucioni të marrë masa për të plotësuar vendet vakante ose për të rishikuar strukturën organike, me qëllim që detyrat e parashikuara për këto funksione të minimizojnë risqet që mund të cenojnë realizimin e funksioneve të Kuvendit të Shqipërisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.