Një projekt i madh për fiskalizimin me pajisje të reja të biznesit që pritet të nisë zbatimin ketë vit për bizneset e mëdha dhe në janar 2021 për të vegjlit, duket se nuk është menduar mirë nga institucionet përgjegjëse të qeverisë. Pas një auditimi të ushtruar për këtë qëllim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit u gjet se nuk ka analiza se si do të arrihet fiskalizimi, në parashikimin e rezultateve të matshme të kosto-përfitimeve, uljen e evazionit dhe rritjen e të ardhurave tatimore.
KLSH referon se megjithëse është vlerësuar që nga implementimi i plotë i Projektit të Fiskalizimit, të ardhurat nga TVSH-ja e brendshme të rriten me rreth 20-30 % krahasuar me TVSH- në që arkëtohet aktualisht, ndikimi i projektit nuk është pasqyruar në parashikimet e të ardhurave. Të ardhurat nga TVSH për ketë vit janë parashikuar të rriten rreth 5,1% krahasuar me të pritshmin e vitit 2019, rritje kjo e ngjashme me periudhat e mëparshme (të ardhurat tatimore krahasuar me vitin paraardhës për v. 2016 u rritën 5,7 %; për v. 2017 u rritën 7 % dhe për 2018 u rritën 8,2 %).
Projekti (Përmirësimi i modulit të menaxhimit të kontrollit të faturimit), sipas KLSH bart edhe risqe, ku ndër kryesorët vlerësohen:
1-Miratimi jo në kohë i ndryshimeve ligjore dhe akteve nënligjore, i cili vështirëson realizimin e kërkesave të projektit;
2- Mospërshtatja e sistemit të ri me pajisjet fiskale aktuale dhe integrimi me sistemin bazë të tatimeve, gjë e cila do të shoqërohet me rritje të kostos për bizneset;
3-Mungesa e bashkëpunimit dhe reagimi negativ i aktorëve kryesorë të këtij projekti jashtë administratës tatimore (tatimpaguesit, shoqëritë e autorizuara etj.);
4- Mungesa e bashkëpunimit nga aktorët kryesorë për ndërtimin e regjistrit të pasurive të luajtshme/paluajtshme dhe të institucioneve financiare.
5-mplementimi i sistemit të ri për bizneset që ushtrojnë aktivitetin në zonat rurale, etj…..
KLSH nisur nga përfundimet e auditimit dhe në eksperiencën më të mirë të vendeve të BE- së, për një implemetim të suksesshëm të sistemit të fiskalizimit rekomandoi që Ministria e Financave dhe Drejtoria e tatimeve të kryejnë analiza studimore, ku të përcaktojnë konkretisht rezultatet e pritshme të zbatimit të sistemit të ri të fiskalizimit (kostot dhe përfitimet) në uljen e evazionit, rritjen e të ardhurave tatimore si dhe ndikimin në buxhetin e shtetit.
Brenda muajit prill 2020 MFE në bashkëpunim me DPT të bëjnë vlerësime për amortizimin e kasave fiskale në përdorim dhe ta përfshijnë në treguesit e kosto-përfitimeve të subjekteve tatimpagues në implementimin e sistemit të ri të fiskalizimit dhe brenda 3 mujorit të parë 2020 MFE dhe DPT të vazhdojnë bashkëpunimin me grupet e interesit në të gjitha fazat e implementimit të sistemit, duke krijuar grupe pune dhe rrjete online të grupeve të interesit.
Rekomandohet që në vijimësi të ngrohet një jepet asistencë për bizneset për përshtatjen me këtë procese.
KLSH: Shpenzimet 46.5 mln euro për 27 lloje kasash nuk kanë justifikuar përmirësimin e të ardhurave
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.