Grupet e fushatës së lojërave të fatit thanë se është i rëndësishëm pranimi i dëmeve të shkaktuara nga varësia ndaj lojërave të fatit.
Klubet e futbollit të Premier League angleze vendosën të ndalojnë shoqëritë e lojërave të fatit të reklamojnë në pjesën e përparme të fanellës, duke nisur nga fundi i sezonit 2025/2026.
Lëvizja vjen mes rritjes së shqetësimeve dhe fushatave të vazhdueshme për të reduktuar ose për të ndaluar reklamat e lojërave të fatit.
Premier League është liga e parë sportive në Mbretërinë e Bashkuar që bën vullnetarisht këtë lëvizje, edhe pse do të jetë ende e mundur që klubet të reklamojnë markat e lojërave të fatit në mëngët e fanellave.
Sezonin e kaluar, fanellat e 8 nga 20 klube të Premier League sponsorizoheshin nga shoqëri të lojërave të fatit, mes të cilëve Everton, që ka nënshkruar marrëveshje me kazinonë online Stake.com (marrëveshje 10 milionë paund në vit) dhe Southampton me Sportsbet.io (marrëveshje 7.5 milionë paund në vit).
Disa shoqëri të lojërave të fatit përdorin klubet për t’u bërë reklamë tregjeve jashtë Europës: Fulham sponsorizohet nga shoqëria aziatike W88, kurse Everton ka pasur marrëveshje sponsorizimi me kompaninë nga Kenia, Sportpesa.
Sipas një vlerësimi të Statista, vlera totale e marrëveshjeve sponsorizuese të fanellave të klubeve ishte 350 milionë paund në sezonin 2019-20, ku 60 milionë paund vinin nga shoqëritë e lojërave të fatit.
Grupet e fushatës e cilësuan lëvizjen të rëndësishme, pasi pranohen dëmet e shkaktuara nga lojërat e fatit, por thanë se kjo nuk e zgjidh problemin. Masa përfshin vetëm pjesën e përparme të fanellës, dhe jo mëngët.
8 klubet e Premier League që kanë sponsor shoqëri të lojërave të fatit në fanellë, janë.
– Bournemouth – Dafabet (Bookmaker online)
– Brentford – Hollywoodbets (Shoqëri bastesh online)
– Everton – Stake (Kazino online dhe platformë bastesh sportive)
– Fulham – W88 (Shoqëri bastesh)
– Leeds – SBOTOP (Shoqëri bastesh sportive)
– Newcastle – Fun88 (Baste sportive e kazino online)
– Southampton – Sportsbet (Shoqëri bastesh online)
– West Ham – Betway (Shoqëri bastesh online)
Sponsorizimi i shoqërive të lojërave të fatit do të ndërpritet në fund të sezonit 2025/26, deklaroi Liga në një deklaratë.
Deri në këtë moment, do të lejohen marrëveshjet sponsorizuese ekzistuese dhe kontrata të reja sponsporizuese te fanellat.
Klubet do të lejohen të shfaqin markat e lojërave të fatit në pjesë të tjera, si te mëngët e fanellave apo reklama te LED.
Sekretari i Kulturës, Lucy Frazer, shkroi në Twitter.
“Ndërkohë që pjesa më e madhe e të rriturve argëtohen në lojëra fati, pa dëme, nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj faktit që futbollistët janë modele të rëndësishme për të rinjtë”.
/ CNBC & Sky Sports