Kodheli: Shtesa e rrogave? S’kemi rritje të të ardhurave të qytetarëve

06/07/2012 11:50 AM 0 komente

Gazeta “Shqip”, Bledar Hoti/ Deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, në një intervistë për gazetën “Shqip”, shprehet se Kryeministri Sali Berisha duhet të shohë shifrat e ofruara nga Eurostat përpara se të flasë për sukseset e qeverisë në rritjen e pagave. Nënkryetarja e Komisionit parlamentar të Ekonomisë, socialistja Kodheli, duke komentuar ndryshimet në qeveri, i lidh ato me krizën që po përjeton vendi, duke theksuar se Shqipëria duhet të ndjekë shembullin e Italisë, për të formuar një qeveri teknike.

Zonja Kodheli, qeveria ka proklamuar rritjen e pagave dhe pensioneve, duke e cilësuar si një tjetër sukses nga ana e saj. Kryeministri në mbledhjen e fundit të qeverisë u shpreh se rritja e pagave dhe pensioneve tejkalon me 3 deri në 5 herë indeksimin apo inflacionin e këtij viti. Cili është mendimi juaj, sa reale është kjo rritje e pagave në Shqipëri?

Përgjigjen më të mirë, Kryeministrit ia kanë dhënë Eurostat-i, pra Instituti Europian i Statistikave, i cili nuk i referohet vetëm të dhënave që vijnë nga INSTAT-i ynë, por ka edhe vlerësimet e veta të pandikuara nga politika. Sipas të dhënave të fundit të Eurostat-it, Shqipëria renditet vendi më i varfër në kontinentin e vjetër, duke lënë pas vete Bosnjë-Hercegovinën. Sipas këtij institucioni prestigjioz, Shqipëria ka vetëm 1/3 e fuqisë blerëse të mesatares së vendeve europiane (pa folur për mesataren e vendeve më të zhvilluara), që me fjalë më të thjeshta do të thotë: sado të bëjë sikur i rrit pensionet qeveria, llogaria bëhet se çfarë mund të blesh ti me paratë që ke në dorë dhe se sa mund të kursesh. Ndërkaq, në përgjigjen time për këtë pyetje, nuk i hyj asfare diskutimit se si përcaktohet inflacioni në këtë vend, se si dhe se prej sa kohësh duhet të kishte ndryshuar shporta dhe metoda e llogaritjes së tij, pasi qytetarët e perceptojnë rritjen e çmimeve çdo ditë, duke dalë në treg, pa qenë nevoja që këtë t’ia tregojë Kryeministri.

Çfarë komenti keni në lidhje me deklaratat e Kryeministrit se e cilëson si një sukses se ‘sot, rroga mesatare, e cila në vitin 2005 ishte 273 mijë lekë, në vitin 2012, me rritjen që ne i bëjmë bëhet 513 mijë lekë’?

Komentin po e bëj, duke e pyetur Kryeministrin: A e ka bërë kjo gjë të mundshme rritjen e cilësisë së jetës së njerëzve? Po të sigurisë së tyre? A e ka ulur kjo varfërinë? Kryeministri dhe qeveria e tij mund të kenë përgjigje nga më të ndryshmet, qytetarët kanë vetëm një: ajo është negative. E vetmja gjë që sot shqiptarët dinë është që paguajnë më shumë taksa, më shumë ryshfet dhe çmime më të larta.

Ndërsa tjetër problem në Shqipëri është borxhi i saj. Institucionet ndërkombëtare monetare kanë bërë shpeshherë thirrje që qeveria duhet të tregojë kujdes në lidhje borxhin. Qeveria pretendon se ka marrë disa masa për uljen e borxhit. Sa efektive janë ato? Sipas jush, cili duhet të jetë veprimi që duhet të ndërmarrë qeveria për të pasur efekte të ndjeshme të uljes së borxhit? Si i komentoni deklaratat më të fundit të Kryeministrit se “në Shqipëri, nga 2008-a e deri më sot, borxhi ka mbetur në vendnumëro dhe ka lëvizur me + apo – 2 %, në vendet përreth borxhi është dyfishuar. Në rast se ka qenë 20 është bërë 54, në rast se ka qenë 15 është bërë 40 dhe kështu me radhë dhe se kjo ekonomi ia doli në kulmin e krizës së kontinentit të ketë një rritje ekonomike 4 vitet e fundit, 4 herë më të madhe se mesatarja e vendeve të rajonit”?

Së pari, më lejoni t’iu kujtoj se mesatarja e borxhit sovran të vendeve të rajonit është vetëm 40% e PBB-së. Kjo do të thotë se jo vetëm që Shqipëria është shumë larg këtij niveli, por edhe se qeveria mund të lëvizë +/- 2% me të dhënat mbi nivelin e borxhit (gjë që as kjo nuk është e saktë), por lëviz në një zonë tejet të rrezikshme. Së dyti, ne si opozitë kemi përllogaritur dhe artikuluar me shqetësim, në më shumë se një rast, faktin se borxhi sovran e ka kaluar limitin e tij ligjor prej kohësh. Ndërkaq qeveria, vetë ose nëpërmjet zëdhënësve të saj, siç është p.sh INSTAT-i, mundohen të luajnë me opinionin publik nëpërmjet disa shifrave absurde, të cilat, tashmë, as vetë nuk i kuptojnë e besojnë. Dhe e fundit që dua të them lidhur me këtë pyetje është një fakt, që vë në diskutim jo vetëm rritjen e ekonomisë shqiptare (nuk po hyj këtu se sa është kjo rritje në terma reale), por edhe rritjen e ekonomive të tjera të ngjashme me këtë tonën. Ne rastin kur flasim për rritje dhe nuk ka punësim, kjo rritje është vetëm për tabelat e raporteve që shkruhen në letra. Në rast se rritja nuk është e qëndrueshme dhe nuk vjen si pasojë e ndryshimeve strukturore të ekonomisë apo e nxitjes së degëve përpunuese, ne do të mbetemi një vend pa shpresë për të qenë konkurrues në tregje, pamundësi për rritje të nivelit arsimor të krahut të punës, pa shpresë për të qenë një vend europian i barabartë në mes të të barabartëve. Kjo nuk është ekonomia që duam.

Znj. Kodheli, nëse mundet një pyetje në lidhje me zhvillimet politike. Shqipëria u përball me sfidën e zgjedhjes së presidentit të ri. Mazhoranca nuk çedoi në zgjedhjen e një kandidature konsensuale. Nga ana tjetër, ndërkombëtarët u shprehën se ky ishte një shans i humbur. A mendoni se tashmë përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë të vetme të PD do të shoqërohet me ndonjë luftë tjetër, ajo e pavarësisë së institucioneve, si SHISH dhe Prokuroria e Përgjithshme. Rrezikohet vendi nga përplasje të reja institucionale?

Për fat të keq, zhvillimit politike të muajve të fundit, më kanë thelluar bindjen se Shqipëria, është futur thellë e më thellë në spiralen e krizës politike dhe institucionale. Kjo, jo për shkak të krizës në të cilën ndodhet sot gjeopolitika, as për shkak të pamundësisë së politikës shqiptare në përgjithësi për t’i menaxhuar siç duhet punët e vendit, por thjesht dhe vetëm për shkak të keqqeverisjes, të mungesës së vullnetit nga ana e mazhorancës si dhe të verbërisë korruptive që ka zënë sytë e atyre që sot kanë në dorë makinën e pushtetit. Pas mungesës së konsensusit në zgjedhjen e presidentit, pas zgjatjeve të qëllimshme të reformave zgjedhore e parlamentare, pushtetet në këtë vend do të vazhdojnë të mbeten një mjet në dorën e gjithmonë e më pak njerëzve, apo të një njeriu të vetëm. Kjo nuk do të sjellë gjë tjetër, veçse rrudhje të pavarësisë së institucioneve kushtetuese, mosrespektim e kapërcim kompetencash, të cilat, padyshim, çojnë edhe në përplasje. Në këto kushte, humbja totale e besimit të qytetarëve ndaj kësaj qeverie dhe institucioneve që e përfaqësojnë atë, është e vetmja përgjigje që zotërinjtë e mazhorancës mund të marrin dhe njëherazi me këtë, refuzimi për të disatën herë, është e vetmja përgjigje që mund t’i jepet kësaj mazhorance, nga bashkësia europiane.

Së fundi, si i shihni ndryshimet më të fundit të realizuara në kabinetin qeveritar? A mendoni se këto ndryshime u bënë për hir të ndonjë shpërblimi ndaj aleatëve, për shkak të zgjedhjes së presidentit të ri?

Mund të marrim shembullin e vendit fqinjë, ku pas një menaxhimi skandaloz të financave publike dhe një rënie të reputacionit ndërkombëtar, politika italiane mori vendimin e rëndësishëm që në një moment krize si ky, vendin ta menaxhonte një qeveri teknike, qeveri, e cila po e nxjerr, me dinjitet, Italinë nga kriza. Ndërkohë që, megjithëse kriza te ne është ulur këmbëkryq dhe punët tona vënë çorap, ne bëjmë ndryshime në qeveri për të bërë disa “qoka”. Unë nuk mund të vazhdoj ta perceptoj fatin e Shqipërisë europiane në duart e një qeverie që ndryshohet vetëm për këtë qëllim, të një qeverie që, në tetë vjet me radhë, nuk ka çuar as edhe një reformë të vetme deri në fund (pa folur këtu për cilësinë e këtyre reformave), nuk ka arritur të plotësojë qoftë edhe për një herë të vetme, jo objektivat europiane, por as objektivat e vëna prej vetë asaj.

Qëndrimet

Pagat – Kodheli thekson se rritja e pagave nuk do të ketë ndikim te qytetarët dhe ato nuk do të ulin varfërinë në vend

Eurostat – Duke mos pasur “besim” tek INSTAT, socialistja shprehet se përgjigjen më të mirë për rritjen e pagave e jep Eurostat

Kriza – Zgjedhja e Presidentit nga radhët e PD-së është futur thellë e më thellë në spiralen e krizës politike dhe institucionale

Borxhi – Ne, si opozitë, kemi përllogaritur dhe artikuluar me shqetësim faktin se borxhi sovran e ka kaluar limitin e tij ligjor prej kohësh

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of