Kodra e Diellit dhe Brezovica bashkohen për të tërhequr turistë

23/12/2020 12:06 PM 0 komente

Kodra e Diellit dhe Brezovica si qendër e përbashkët për skijim do të tentojnë të tërheqin turistë, si dhe investitorë potencial.

Këtë e paralajmëroi ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, pas takimit të djeshëm në Shkup me ministrin e Kosovës  për Tregti dhe Industri, Vesel Krasniqi.

“E njoftova ministrin Krasniqi se ne tashmë e kemi përfunduar studimin e fizibilitetit dhe analizën ‘dju dilixhens’ dhe jemi të gatshëm edhe si qeveri dhe ELEM-Tours në fillim të vitit të ardhshëm, në momentin kur do të marrim informacion nga pala kosovare, të veprojmë bashkërisht me qëllim që të nxisim investitorë më serioz me përvojë më të madhe në pjesën e zhvillimit të qendrave për skijim”, tha Bekteshi.

Ndërsa ministri Krasniqi tha se planifikohet që deri më 25 janar të nënshkruhen disa marrëveshje të rëndësishme për ekonomitë e të dy vendeve, duke shtuar se kjo do të bëhet pa marrë parasysh se kush do të jetë ministër i radhës në Qeverinë e Kosovës.

“Biseduam për shumë tema dhe bashkëpunime. Shpresoj që shumë shpejt do të nënshkruhen disa marrëveshje, ndërsa në mes tyre edhe që Brezovica të bashkohet me Kodrën e Diellit, në kuptimin turistik, dhe të ofrojmë oferta të përbashkëta për turistët, në mënyrë që t’i lidhim këto vende”, tha Krasniqi.

Ndryshe, në dhjetë muajt e parë të këtij viti ka pasur ulje të këmbimit tregtar me Kosovën.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of