Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot një seancë të jashtëzakonshme në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave. Kërkesa për këtë debat parlamentar ka ardhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ku po kërkohet rritja e koeficientit nga 105 në 129 euro.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë një kërkesë të veçantë. Nga ta po kërkohet që të rritet koeficienti i pagave nga 105 në 129 euro.
Kjo kërkesë, nëpërmjet një debati parlamentar, ka ardhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Shefi i GP-së së AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se shumë familje nuk arrijnë të mbyllin muajin si pasojë e çmimeve të larta të artikujve bazë.
Ai thotë se është momenti i fundit që të gjithë deputetët të votojnë këtë rezolutë.
“Është momenti i fundit që gjithë deputetët, të pozitës e opozitës, me votën e tyre t’i japin mbështetje rezolutës së Aleancës për rritjen e pagave! Varfëria ka emër dhe adresë. Nga muaji në muaj, qytetarët tanë po shohin se çmimet e artikujve bazë janë rritur me 10%, 20% apo 50%.
Për jetën e qytetarëve tanë, kjo nënkupton ulje e menjëhershme e konsumit dhe e standardit të tyre të jetës. Për shumicën kjo gjeneron presion maksimal. Për shumë, kjo është thyerje dhe zhgënjim. Janë shumë familje që nuk arrijnë as të mbyllin muajin. Të tjerët detyrohen t’i kufizojnë shërbimet për fëmijët e tyre”.
Z, Tahiri ka vazhduar ta përshkruajë gjendjen e rëndë që po e kalojnë familjet në Kosovë.
“Të moshuarit varen edhe më shumë nga përkrahja familjare e sociale. Prindërit nuk ia arrijnë t’ia dalin dhe as ta balancojnë nevojën për më shumë angazhim për pak më shumë të hyra, me nevojën për më shumë përkushtim ndaj jetës familjare. Të rinjtë ikin duke mos parë perspektivë zhvillimi dhe standardi për ta. Në debatin parlamentar të ftuar nga ne, do të propozojmë që të ndahet buxhet për rritje të koeficientit në minimum 129 euro”.
Më 1 shkurt, Qeveria e Kosovës prezantoi vlerën e koeficientit mbi të cilin do të llogaritet paga e 80 mijë punëtorëve të sektorit publik. Vlera e koeficientit për vitin 2023 do të jetë 105 euro, ndërsa në vitin 2024, sipas Qeverisë, do të jetë 110 euro.
Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit. Raporti i koeficientëve është nga 1 deri në 18.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, pati deklaruar se paga mesatare bruto do të jetë 730 euro, që sipas tij do të rritet për rreth 100 euro.
Sipas Ligjit të Pagave në sektorin publik, koeficientin më të lartë e ka pozita e presidentit – 18 – që i bie që paga e presidentit është 1.890 euro.
Pas presidentit, renditet kryetari i Gjykatës Kushtetuese, me koeficient 17.5.
Koeficienti i Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit është 17, ndërsa koeficienti i deputetit dhe ministrit është 16.4.
Koeficientin 15 e ka komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa 14.5 e kanë drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe ai i Doganës.
Prokurorët dhe gjyqtarët, në varësi të nivelit, i kanë koeficientët nga 12 deri në 14.5.
Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës e ka koeficientin 14. Me koeficient të njëjtë është edhe drejtori i SHSKUK-së, ndërsa mjeku specialist e ka koeficientin 12, mjeku në specializim 8, mjeku i përgjithshëm, stomatologu dhe farmacisti e kanë koeficientin 7.4.
Ndërsa infermierët, në varësi të nivelit, e kanë koeficientin prej 5.1 deri në 5.6. Mësimdhënësi në shkollë të mesme të lartë e ka koeficientin 5.8 që i bie që paga është 609 euro. Ndërsa mësimdhënësi në shkollë fillore dhe të mesme të ulët e ka koeficientin 5.6 që i bie 588 euro.
Polici e ka koeficientin 5, ndërsa polici i lartë 5.9.
Nëse një zyrtar publik para hyrjes në fuqi të këtij Ligji kishte pagë më të madhe se paga e re, i njëjti do të përfitojë pagën e re sipas dispozitave Ligjit të ri dhe shtesën tranzitore të barabartë me diferencën ndërmjet pagës aktuale dhe pagës së re bazë.
Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 deri në 170 euro. Kjo vlerë, e pandryshuar që në vitin 2011, është më e ulëta në Europë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.