Koha e uljeve të çmimeve

12/02/2013 11:15 AM 0 komente

foto_financa4_optËshtë kohë shopping-u. Nga të gjitha anët na rrethojnë vitrina dyqanesh që lajmërojnë uljet e sezonit, nga më modestet tek ato që nuk iu beson syve mbi 70%.  Por, për të gjetur të duhurën/at do të duhet të vishni atletet dhe të keni shumë durim, pasi duhet të hidhni një sy nga të gjitha anët. Uljet kanë të dy anët e medaljes, atë të mirën se më në fund mund të merrni këpucët që aq shumë i keni parë në vitrinë dhe atë tjetrën, të keqen, që pa e kuptuar fare, mund të ndiheni e mashtruar. Duket se po shkruaj duke iu referuar gjinisë femërore, por kam parasysh se janë pikërisht ato që mprehin nuhatjen, “shkundin” portofolat dhe bëjnë thashetheme në rrjetet sociale. Ekspertët thonë se gjithmonë në kohën e uljeve sezonale duhet të tregohemi të kujdesshëm, pasi ndodhitë e pakëndshme janë pas dere.

Nuk janë të pakta rastet kur na kap euforia për të blerë patjetër diçka, veçanërisht nëse çmimi është ulur ndjeshëm me atë që ka qenë që në fillim. Nuk kalon pak kohë dhe gjendemi me xhinset e sapoblera që janë bërë si zebër dhe kuptojmë se ndoshta kemi bërë një blerje të gabuar. Për të shmangur zhgënjimin, është mirë që përpara se sa të nisni “betejën”, të hartoni një listë të gjërave që mendoni se do të blini, duke vendosur në fillim ato që janë më të rëndësishme dhe në fund, ato që janë më shumë  një kapriço dhe mund të mënjanohen.  Njëkohësisht mund të bëni kërkime online për të parë nëse dyqani ose rrjeti ku doni të bëni pazar ka një faqe për të marrë një informacion paraprak, ndoshta mund të vini re se aty çmimet mund të jenë më të ulëta sesa në dyqan.

Pas blerjeve, ruani kuponin tatimor. Ka dyqane që iu lejojnë ta ktheni mbrapsht mallin nëse nuk e dëshironi, por vetëm nëse paraqisni faturën e blerjes dhe nuk e keni përdorur. Mund të merrni diçka në këmbim ose paratë tuaja. Ekspertët thonë se është mirë që të mos u besoni uljeve mbi 50%, veçanërisht nëse dyqani ku dëshironi të bëni blerje është në ditët e para të aplikimit të tyre. Në këtë rast, mund të bëhet fjalë për veshje të  sezoneve të mëparshme ose çmimesh të “fryra” artificialisht. Mos harroni dyqanet ku bëni shpesh blerje, besimi në këto raste është shumë i rëndësishëm. Nëse  ju konsideroheni klient besnik, atëherë ata do të dinë si t’ju këshillojnë, është shumë e vështirë që të cenohet një marrëdhënie e tillë. Por, pavarësisht të gjithave, lejojini vetes edhe luksin për të bërë një shpenzim më tepër, në fund të fundit kjo ka të bëjë me kënaqësinë.

 

Si të merrni më të mirën

A janë uljet sezonale një mundësi e vërtetë kursimi? Përgjigjja është po, nëse tregohet kujdes. Në rastin e veshjeve dhe të aksesorëve është mirë që përpara se sa të realizoni një blerje, duhet të mendoni se si mund të kombinohet të paktën në tri versione të ndryshme me ato që keni në gardërobë. Ngjyrat që preferon më shumë mund të të vijnë në ndihmë për të bërë zgjedhjen e duhur. Zgjidh në bazë të përmasave trupore dhe jo të masës. Një veshje e mirë është ajo që nxjerr në pah trupin,  jo ajo që e fsheh. Mos blini asgjë që ju shtrëngon ose me të cilën nuk ndiheni komodë.  Merrni atë që ju rri më mirë për momentin dhe mos mendoni për dietën apo për të nesërmen.

Kontrolloni me kujdes etiketën, qepjet, rafiniturat, ndonjë defekt të mundshëm. Është e rëndësishme që deri diku të njihet përbërja e teshave, pasi larjet e shpeshta mund ta dëmtojnë ose ta bëjnë të papërdorshme brenda një kohe shumë të shkurtër.

Përcaktoni shifrën që synon të shpenzoni dhe konsiderojeni një investim.  Bëni dallimin mes veshjeve dhe aksesorëve, të parat duhet të jenë në sasi të vogël, por me cilësi më të lartë, të dytat mund të variojnë sipas modës, por edhe frymëzimit të momentit. Në dyqan informohuni për të drejtat që keni, për mënyrat e pagesës, për kthimin në rast të konstatimeve të defekteve ose rimbursime të ndryshme.

Ku mund të gjeni më të mirën? Bëni në mendje një hartë të dyqaneve që ofrojnë një raport të mirë çmim/cilësi. Mund të merrni në konsideratë edhe këshillat që mund t’ju japë dikush që është i specializuar ose faqet e internetit që kanë mijëra këshilla për këto raste.

Mundohuni të bëni diçka të ndryshme nga e zakonshmja, diçka të re. Provoni një ngjyrë që nuk e keni vlerësuar kurrë, një stil që mendoni se nuk bën për ju, një stil të ndryshëm nga ai i zakonshmi. Tek e fundit, nuk është e nevojshme të blini patjetër diçka, mund edhe vetëm ta provoni. Kur veshjet vishen, japin një efekt ndryshe nga ai që kanë kur qëndrojnë varur.

Kur niseni për të bërë blerje, vishuni mirë, pasi është e provuar se mund të merrni shërbim më të mirë.

 

Rregulla të “vjetra”, që s’dalin nga moda

Ekzistojnë disa rregulla “të vjetra”, por që gjithmonë mund t’ju vijnë në ndihmë në kohën e uljeve nëpër dyqane.

 

Sezoni

Malli që shitet dhe që është me ulje, duhet të jetë vërtet i këtij sezoni dhe jo artikuj të dalë nga fundi i magazinave. Qëndroni larg dyqaneve që përpara uljeve i kishin raftet gjysmë bosh dhe që më pas si me magji u mbushën. Është e pamundur që në fund të sezonit, dyqani të jetë i pajisur me çdo tip produkti, ngjyre dhe mase.

 

Qarkulloni

Dilni shpesh vetëm për të parë nëse keni vendosur se do të bëni blerje. Për gjërat që ju interesojnë mund t’u bëni ndonjë foto dhe të ruani në memorie edhe çmimin. Asnjëherë mos shkoni te dyqani i parë që iu del përpara. Fjala kyçe: qarkulloni.

 

Blerja

Këshilla për blerjet. Përpiquni që të krijoni një ide të qartë për shpenzimet që do të kryeni përpara se sa të hyni në dyqan. Në këtë mënyrë do të ndiheni më pak të ndikuar nga shitësi dhe do t’i hiqni vetes barrën e të blerit të gjërave, ndoshta edhe me çmim të mirë, por që nuk ishin të domosdoshme dhe që nuk do t’i përdorni kurrë.

Vlerësoni produktin, duke u bazuar tek përmbajta e informacionit që shkruhet në etiketë. Nëse blini një produkt me një çmim të lartë nuk do të thotë se keni bërë një zgjidhje cilësore. Qëndroni larg markave të ngjashme me ato që janë shumë të famshme.

 

Mbi 50%

Mos u besoni uljeve më të larta se 50%, shpesh pas tyre fshihet mall i mbetur stok nga sezonet e kaluara ose çmimet janë false. Shitësit e dyqaneve të modës së lartë nuk mund shesin mall nën kosto.

 

Ekspozimi

Nuk duhet të bëni blerje në dyqanet që nuk tregojnë sa ka qenë çmimi i vjetër i mallit që është në shitje, çmimi i ri dhe vlerën e përqindjes që ulet. Çmimi duhet të jetë i vendosur në vend të dukshëm  dhe lehtësisht i lexueshëm. Nëse është e mundur, kontrolloni edhe në ndonjë vend tjetër për të parë nëse i njëjti mall tregtohet me një çmim më të lartë. Produktet që janë me ulje, duhet të jenë të ndara në mënyrë të dallueshme nga ai që është i ri. Mos iu besoni vitrinave që janë të mbuluara me reklama dhe nuk lejojnë që të shikoni mallin.

 

Prova

Nuk është e detyrueshme, por gjithmonë varet nga ata që drejtojnë dyqanin. Këshilla është se nuk duhet t’u besoni atyre veshjeve që vetëm mund të shikohen.

 

Pagesa

Të gjitha dyqanet që në vitrina ekspozojnë si mënyrë pagese kartat e kreditit ose të bankomatit janë të detyruara që t’i lejojnë edhe për mallrat që janë me ulje, pa detyrime shtesë.

 

“Viktimat” e modës

Pothuajse të gjitha dyqanet kanë reklamuar uljet, ndaj kjo është periudha që mund të shfrytëzoni për të pasuruar gardërobën që mund të përdoret për dimrin e ardhshëm ose për pranverën. Më poshtë ne po ju ndihmojmë se si të bëni blerje me ulje, por që i rezistojnë edhe vitit tjetër.

 

Ngjyra e uljeve: jeshilja smerald dhe e bardha e përjetshme

Kthejini sytë nga ngjyra jeshile. Nuk e kemi fjalën për ngjyrën e parave në portofolin tuaj, por për atë që do të jetë tendenca e këtij viti. Veshjet me nuancat e jeshiles që mund të gjeni me ulje, mund të jenë të vlefshme edhe për stinën e verës. Nëse jeni të pasionuar pas modës së lartë, atëherë ndiqni koleksionet e markave të mëdha si “Gucci”, “Ermanno Scervino” e “Jo No Fui”, do të shikoni se jeshilja smerald gjendet edhe në xhaketa. Moda mendon edhe për ata me buxhet më të ulët. “H&M” dhe “Zara” nuk kanë nguruar që të përfshijnë në koleksionet e tyre ngjyrat e duhura.

Një tjetër ngjyrë e padiskutueshme gjatë uljeve është edhe e bardha. Gjendet kudo në peliçe, bluza etj., që kërkohen më shumë edhe nga ata që janë të pasionuar pas malit.

 

Palltot me ulje, tendenca e njëjtë me atë të 2014-s

Palltot “must” janë ato që kanë prerje lineare dhe synohen më shumë gjatë sezonit të uljeve. Pikërisht për këtë arsye, ato rekomandohen që të përdoren edhe për sezonin tjetër dimëror. Palltot me qepje me dorë propozohen çdo vit si bazë dhe nuk “perëndojnë” asnjëherë. Krijoni një ide nga koleksionet e “Marni”, “Giorgio Armani”, “Moschino” e “Elena Mirò” dhe gjeni diçka që t’ju përshtatet.

 

Këpucët “fashion”, tani mund të arrihen

Nëse gjatë gjithë dimrit keni ëndërruar që të vishini këpucë të “Jimmy Choo” ose “Miu Miu”, por buxheti nuk jua lejonte ose nëse jeni të “çmendura” pas tyre dhe dëshironi patjetër të realizoni një blerje, atëherë ky është momenti juaj. Hidhini një sy modës së këpucëve për sezonin vjeshtë-dimër 2012-2013 dhe gjeni modelin tuaj të preferuar. Këshilla: fokusohuni më shumë te pantoflat, pasi për to do të dëgjoni të flitet edhe në të ardhmen. Nëse kërkoni diçka tjetër, atëherë përqendrohuni te sandalet me bizhu dhe këpucët me taka “gozhdë”, si ato që propozon Sergio Rossi në “Casadei”.

 

Dhe çanta e ëndrrave

Nuk ka asnjë mëdyshje që në listën e dashurive tuaja mungojnë çantat. Pikërisht gjatë uljeve keni mundësi të bëni blerjen e duhur. Shkoni te dyqanet që kanë aksesorë të një marke të vetme dhe kontrolloni nëse janë bërë ulje për “Lady Dior”, “Boy Chanel” ose për çantën plastike të “Furla”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of