Koha për reflektim!

30/11/2019 10:12 PM 0 komente

Editorial MONITOR / Natyra, ndryshe nga njerëzit, duket se nuk po fal dhe po na shkund që të reflektojmë për gjithçka që është bërë gabim këto 30 vitet e fundit!

Tërmeti shkatërrues, duke u gdhirë 26 nëntori, më i rëndi që prej vitit 1979, ka krijuar një situatë të jashtëzakonshme në vend. Fatkeqësisht, numri i jetëve të humbura është i lartë në Durrës e Thumanë. (“Monitor” u shpreh ngushëllimet familjeve të tyre në këto ditë të vështira).

Vendi është ende në fazën e emergjencës civile dhe gjendjes së jashtëzakonshme dhe nuk mund të flitet për vlerësim të dëmeve, po duket se ato janë tepër të mëdha. Të dhënat e para flasin për dhjetëra pallate dhe shtëpi të dëmtuara, që janë në gjendje të pabanueshme, të cilat, në këtë prag dimri, do të duan shumë fonde dhe kohë që të riparohen.

Pas kalimit të fazës së parë të emergjencës do të jetë koha për një reflektim të thellë në shumë drejtime.
– Së pari, duhet bërë me urgjencë vlerësimi sizmik i digave, shkollave, spitaleve dhe institucioneve që shërbejnë si qendra kolektive, banesave e pallateve.

-Së dyti, duhet garantuar zbatimi i standardeve për sigurinë e ndërtimeve. Ekspertët, prej kohësh, kanë kërkuar ndryshimin e Kodit Shqiptar të Projektimit Teknik dhe përshtatjen me Eurokodin. Kodi Shqiptar i Projektimit Teknik, që përcakton dhe kërkesat sizmike, është miratuar që në vitin 1989. Ndërsa Europa tashmë aplikon kodet moderne të projektimit antisizmik (Eurokodi) dhe zbatimi i tyre në Shqipëri është i kufizuar, pasi ai rrit më shumë kostot e ndërtimit.

-Së treti, ka nevojë për debat lidhur me skemën e sigurimit nga fatkeqësitë e natyrës, nëse duhet vendosur me ligj sigurimi i detyrueshëm nga katastrofat në raporte të përballueshme dhe sipas risqeve të katastrofave (ku një pjesë e ndjeshme e kostove kalohet te risiguruesi), apo nëse këtë barrë do ta mbajë direkt buxheti përmes parave të taksapaguesve.

-Së katërti, duhen përshpejtuar procedurat për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, pasi vonesat në plotësimin e kuadrit ligjor me akte dhe VKM për Ligjin e ri të Mbrojtjes Civile, kanë krijuar një situatë problematike në administrimin e situatës.

Mania e ndërtimeve ka qenë dhe vijon të jetë e lartë në një vend të varfër, që nuk ka nevojë për kaq shumë rendje ndaj betonit (që siç po rezulton shpesh është i cilësisë së ulët). Të dhënat e INSTAT tregojnë se rreth 70% e investimeve të brendshme në ekonomi, në tre dekadat e fundit, kanë shkuar pikërisht në sektorin e ndërtimit, ndërsa në vendet e tjera të BE-së dhe rajonit, kjo peshë është më pak sesa gjysma, ndërsa fokusi është zhvendosur te teknologjia, makineritë e pajisjet (te ne përkundrazi, mania për ndërtim është rigjallëruar tre vitet e fundit).
Muajt dhe vitet në vijim do të jenë të vështirë.

Edhe pa tërmetin, situata nuk paraqitej shumë optimiste. Ritmet e rritjes ekonomike janë përgjysmuar, mbarimi i projektit të madh të gazsjellësit TAP po jep efektet e para në të ardhura dhe investime. Performanca buxhetore nuk është ndër më të mirat e saj, rritja e planifikuar e të ardhurave në projektbuxhetin 2020 ishte minimale dhe shpenzimet kapitale ishin planifikuar me ulje.

Tashmë, me tragjedinë e shkaktuar dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, që detyron qeverinë të kompensojë 100% dëmet, buxheti do të duhet të rishikohet tërësisht, duke alokuar pothuajse të gjitha burimet (përveç atyre të domosdoshme si pagat, interesat e borxheve, subvencionet e pensioneve) në rindërtimin e objekteve të shembura. Shpresojmë që kjo situatë të shërbejë për një menaxhim të qëndrueshëm të buxhetit, ndryshe nga sa kemi parë vitet e fundit, ku paratë janë shpërdoruar në projekte joproduktive dhe me kosto të fryra.

Tërmeti i 21 shtatorit, edhe për shkak të dëmeve minimale dhe mospasjes së jetëve të humbura, nuk duket se i vuri shumë në lëvizje autoritetet. Banorët u lanë të jetonin në ndërtesa të rrezikshme, procedurat për zbatimin e Ligjit të ri të Mbrojtjes Civile nuk u përshpejtuan dhe gjithçka po shkonte drejt harresës. Por natyra, ndryshe nga njerëzit, duket se nuk po fal dhe po na shkund që të reflektojmë për gjithçka që është bërë gabim këto 30 vitet e fundit!

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of