Brenda një kohe të shkurtër ka arritur jo vetëm të fitojë terren brenda tregut shqiptar të rekrutimit, por të shtrihet edhe në rajon. Drejtuesi dhe themeluesi i saj, Elton Ilirjani, tregon për sfidat e reja të “The HeadHunter”
Edhe pse një kompani e re në tregun shqiptar të rekrutimit, “The HeadHunter” po përjeton një rritje të ndjeshme si në Shqipëri, ashtu edhe në rajonin e Ballkanit. Grupi i specializuar në fushën e burimeve njerëzore po fiton terren edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe së fundmi në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Vlen të theksohet në lidhje me specialitetin e shërbimeve në fushën e burimeve njerëzore se grupi “The HeadHunter” ka sjellë risi në këtë treg dhe po mbron vazhdimisht interesat e punëkërkuesve, si dhe duke sjellë kandidatët më të mirë për punëdhënësit që sa vijnë e po besojnë më shumë në shërbimet e burimeve njerëzore. “Deri më sot, në vendin tonë, shërbimet e burimeve njerëzore kanë qenë në nivele amatoreske dhe ndonjëherë jo fort të strukturuara, por me kalimin e viteve ato po drejtohen edhe më shumë drejt profesionalizmit dhe punëdhënësit shqiptarë po besojnë në këto shërbime dhe te rëndësia e burimeve njerëzore në një kompani, si edhe te suksesi që një biznes ka nëse i jep rëndësinë e duhur”, thotë drejtuesi dhe themeluesi i këtij grupi, Elton Ilirjani.
Sipas tij, sfidat e kësaj fushe në Shqipëri dhe në rajon janë të shumta, por ato më të rëndësishmet janë: niveli i lartë i papunësisë të të rinjve gjithmonë në rritje, arsimimi profesional në nivele jo të kënaqshme, mungesa e seriozitetit nga të rinjtë në punësim, trajtimi joprofesional që disa kompani në rajon kanë kundrejt punonjësve të tyre, mosrespektimi i Kodit të Punës nga punëdhënësit dhe disa herë dhe nga punëmarrësit, etj. Në fakt, këto sfida, thotë z. Ilirjani, mund të quhen të suksesshme vetëm në rastin kur shoqëria jonë dhe ajo e rajonit bëjnë ndryshimet e duhura në mentalitetin e prapambetur dhe në mendësinë e gabuar. “Bota perëndimore dhe vendet e zhvilluara kanë një qasje shumë të saktë dhe profesionale dhe të pjekur kundrejt këtij problemi dhe kësaj industrie, dhe krejt e kundërt është qasja dhe realiteti te ne. Në vendin tonë, ende nuk respektohet konfidencialiteti i një interviste dhe ende kandidatët trajtohen si persona në nevojë dhe që dikush i ka në dorë, ndërkohë që duhet të jetë krejt e kundërta, pra që kompanitë janë në nevojë për profesionistë të mirë dhe që fatet e kompanisë varen po nga këta profesionistë. Unë kam përshtypjen që në vendin tonë, në këtë fushë, po operohet me mentalitetin e vjetër komunist dhe të shoqërisë socialiste”, thotë z. Ilirjani.
Ai thotë se grupi “The HeadHunter” në rajon ka plane shumë ambicioze dhe është duke firmosur kontrata me kompani të mirënjohura ndërkombëtarisht në fusha dhe industri të ndryshme. Industritë më të suksesshme në rajon janë ato të telekomunikacionit, shitjeve me pakicë, shërbimeve, turizmit dhe ajo e ndërtimit. Dhe duket se planet për vitin 2014 janë gjithashtu të fokusuara te këshillimi i karrierës për të rinjtë në të pesë vendet ku grupi operon dhe është aktiv. Këshillimi i karrierës është një risi për tregun shqiptar kaotik dhe me shumë problematikë. Në fakt, të rinjtë shqiptarë në Shqipëri dhe ata në Kosovë duhet të ndihen krenarë që një kompani me pronësi shqiptare në rajon po bëhet ndër kompanitë më të suksesshme dhe po konkurron me gjigantët e industrisë së punësimit si ADECO, “Manpower”, “Monster”, etj. “‘The HeadHunter Group’ jo vetëm po konkurron denjësisht, por edhe po fiton kontrata në gara me këta gjigantë dhe po vendos ngjyrën shqiptare në rang rajonal në formën më të mirë të mundshme”, thotë z. Ilirjani.
Së fundmi, “The HeadHunter Group” po bashkëpunon me “Inditex Group” në Shqipëri për gjetjen e stafit për dyqanet e reja që po hapen te “Tirana East Gate”, si “Zara”, “Bershka”, “Massimo Dutti”, “Stradivarius” dhe “Pull & Bear”. “Është kënaqësi e veçantë që një grup kaq i madh dhe i njohur vendos të punojë me një kompani lokale shqiptare me pronësi shqiptare. Është tregues që ekonomia dhe biznesi shqiptar po avancojnë dhe po japin rezultate edhe jashtë Shqipërisë”, thotë z. Ilirjani.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.