Kohë të vështira!

20/02/2021 10:05 PM 0 komente

Editorial MONITOR / Nëse ka një gjë që pandemia na mësoi, është që të mos bëjmë asnjë parashikim. Kur dukej se pas situatës së rëndë të nëntorit e dhjetorit po shkohej drejt normalizimit, një valë e re e virusit u përhap me shpejtësi në fund të janarit e po vazhdon edhe gjatë shkurtit. Numri i infektimeve ditore ka arritur kulmin, po ashtu dhe fatalitetet po rriten me shpejtësi.

Ka shumë paqartësi nëse ka hyrë në vend lloji i ri i virusit që përhapet shpejt (që sipas të dhënave të para është në qarkullim dhe te ne, me agresivitet e temperaturë të lartë), apo dhe nëse ata që e kanë kaluar më parë kanë imunitet të mjaftueshëm për të përballuar llojin e ri. Zhvillimet janë të shpejta, duke shtuar më shumë pasiguritë në të ardhmen afatshkurtër.

Pas rezistencës disajavore, qeveria u detyrua që të forconte masat shtrënguese, ndonëse me vonesë në krahasim me shtetet e tjera të Europës, që nxituan t’i paraprinin një vale të re të virusit. Kufizimet e detyruara, në një kohë kur situata mund të dilte jashtë kontrollit dhe sistemi shëndetësor të shkonte në kolaps, kanë ngritur pikëpyetje të mëdha për rimëkëmbjen ekonomike.

Të gjithë skenarët, edhe ai më pesimisti, bazoheshin në supozimin se pandemia do të vihej në kontroll që në muajt e parë të vitit, e ndihmuar dhe nga vaksinat. Tashmë asgjë nuk është më e qartë. Banka e Shqipërisë raportoi së fundmi se, rikthimi i shtrëngimeve, e ka ulur tempin e përmirësimit në muajt e fundit. Rikuperimi i konsumit dhe investimeve është ngadalësuar në tremujorin e katërt.

Nëse masat shtrënguese do të vazhdojnë, atëherë dhe banka do të detyrohet që të rishikojë pritshmëritë e saj, ndonëse për momentin i qëndron supozimit se do të ketë rimëkëmbje graduale dhe recesioni nuk ka të ngjarë që të vazhdojë edhe këtë vit.

Vala e re e pandemisë po ndikon dhe në produktivitetin e sipërmarrjeve për shkak të problemeve që po shkakton te punonjësit, mungesave në punë, apo eficiencës së punës online. Bizneset, nga ana e tyre, i tremben një mbylljeje të dytë, kur ende nuk e kanë marrë veten nga e para. Një tregues i pasigurisë është rritja e depozitave të sipërmarrjeve në banka, teksa ata po hezitojnë të investojnë. Në të njëjtën linjë, edhe individët e familjet po shtojnë kursimet dhe kanë orientuar konsumin drejt blerjeve të domosdoshme, ndër të tjera mes frikës se do të detyrohen të përballojnë shpenzimet shëndetësore vetë.

Fatkeqësisht, të dhënat po tregojnë se forca e virusit është e lartë dhe vdekshmëria në vend është rritur ndjeshëm (në nëntor e dhjetor vdekjet në vend u dyfishuan). Me një sistem shëndetësor që lë për të dëshiruar, kostot e trajtimit nga xhepi po rezultojnë të rritura ndjeshëm.

Këto janë kohë sa të pasigurta, aq edhe të vështira dhe tashmë askush nuk mund të parashikojë më se sa do të zgjasë. Për ta kaluar sa më lehtë dhe me sa më pak pasoja, duhet bashkëpunimi i të gjithëve. Qytetarët duhet të jenë sa më të përgjegjshëm në zbatimin e rregullave të kërkuara dhe kjo është në ndërgjegjen e gjithsecilit. Por, mbi të gjitha, përgjegjësia dhe bashkëpunimi pritet nga palët politike dhe institucionet qeverisëse. Në këtë prag zgjedhjesh, partitë po nxitojnë në kërkim të votave, duke shkelur shpesh edhe rregullat.

Por, edhe qeveria, ashtu si një familje, që në kohë të vështira kursen dhe lë para mënjanë për një ditë të vështirë, duhet të jetë shumë më e kujdesshme me mënyrën se si i shpenzon fondet e saj. Të dhënat e para tregojnë se të ardhurat buxhetore në vitin 2020 shënuan rënie më të lartë sesa parashikimi (-7.4% me bazë vjetore nga -3% që ishte plani).

Pritshmëritë për rritjen e të ardhurave këtë vit janë shumë optimiste, me zgjerim +15% me bazë vjetore, që nuk arrihet as në vite normale, jo më në një kohë krize ekonomike, duke e zhvlerësuar buxhetin e ri që në nisje. Por, ajo që ndodh jo vetëm nuk është rishikimi mbi baza realiste, por në të kundërt parashikimi i të ardhurave, si për ironi, u rrit sërish së fundmi. Një “hile” kjo që mundëson në kahun tjetër, shtimin e shpenzimeve.

E kemi të qartë se në prag zgjedhjesh, qeveria do të tregojë që po punon dhe ka në plan projekte madhore infrastrukture (që kishte mjaft kohë t’i bënte në 8 vjet). Për më tepër, nëse këto projekte nisin, rrezikojnë rritjen e detyrimeve të prapambetura e borxhit publik për shkak se nuk mund të mbështeten në të ardhurat në një periudhë të dobët ekonomike. Në këtë periudhë emergjence shëndetësore, projektet e mëdha mund të presin. Shëndeti i popullatës është ai që duhet të marrë sot të gjithë prioritetin e fondeve buxhetore dhe vëmendjes së atyre që janë mandatuar për t’u kujdesur për mirëqenien e qytetarëve.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of