U prezantua analiza vjetore e vitit 2015 dhe objektivat e vitit 2016 të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM).
I pranishëm ishte Ministri i Mjedisit Lefter Koka. Ai në fjalën e tij u shpreh se puna në terren që kanë bërë strukturat e AKZM-së në rang vendi është një kontribut domethënës për mjedisin shqiptar, por mbetet ende shumë punë për tu bërë sidomos për të rikthyer besimin tek qytetarët shqiptarë. “Nëse çdonjëri nga ne do të mund të bëjë mirë detyrën e caktuar, unë besoj se do të mundemi t’i rikthejmë Shqipërisë një territor më të shëndetshëm, më të bukur, më turistik, por ajo që është më e rëndësishmja është se të gjithë së bashku duhet të punojmë për të rikthyer besimin tek qytetarët shqiptarë”: – tha Ministri Koka.
Duke folur për dëmet që janë shkaktuar në zonat e mbrojtura ndër vite, Ministri Koka u shpreh se po përgatitet ligji i ri për Zonat e Mbrojtura. “Ajo që shumë shpejt do të kalojë në parlament do të jetë ligji i ri i Zonave të Mbrojtura, ku vetë Agjencia do të mund të vetëfinancohet. Unë jam i bindur që Shqipëria i ka resurset e nevojshme turistike për të mundësuar një zhvillim, të kësaj Agjencie dhe një zhvillim të vetë zonave. Sigurisht që kjo është një sfidë më e madhe e juaja që të vetadministroheni për ta çuar këtë sipërfaqe të territorit shqiptar në elitë.” – u shpreh Kreu i Mjedisit.
Ministri Koka u ndal edhe në të dhënat e analizës 1-vjeçare mbi frekuentimin e zonave të mbrojtura sipas së cilës janë regjistruar gjatë vitit 2015-të, 220 mijë turistë vendas dhe të huaj, si një konkretizim të politikës së Ministrisë së Mjedisit për të patur zona të mbrojtura të aksesueshme. Nga kjo shifër 2/3 janë turistë vendas dhe 1/3 turistë të huaj
“Natyra e Shqipërisë ka dhënë mundësi që të bësh turizëm në të gjitha stinët, në 365 ditë të vitit, nëse pasuritë natyrore do të mirëmenaxhohen duke kthyer kështu vëmendjen e turistëve të huaj dhe atyre vendas. Kemi rastin e Alpeve, që vitet e fundit ka pasur vëmendjen e shumë turistëve, si një destinacion për shumë qytetarë evropian nga vende të zhvilluara, të cilët vlerësojnë natyrën e virgjër shqiptare”.
Duke iu referuar objektivave të këtij viti Drejtori i Përgjithshëm i AKZM-së Z. Dedej u shpreh: – “ Ndër synimet që Agjencia ka për këtë vit është mundësimi i aksesit në 43 sajte ekzistuese, nga të cilat aktualisht janë aktive vetëm 13 prej tyre”.
Ndërkohë do të vijojnë investimet në rehabilitimin e zonave të mbrojtura, ndërtimi i qendrave të reja për informimin e publikut apo saktësimi i sipërfaqeve dhe kufijve të zonave të mbrojtura.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.