“Kokat” e ekonomisë në 4 vitet e ardhshme

06/08/2013 9:02 AM 0 komente

Të ndarë janë 6 ministra që do të mbulojnë sektorët për çështjet ekonomike, 3 nga PS dhe 3 nga LSI. Cilët janë, me në krye Shkëlqim Canin dhe si paraqitet struktura qeverisëse

Me në krye Shkëlqim Canin, ministër i Financave dhe të tjerë nga pas, në postet e Industrisë, Transporteve, Infrastrukturës, Energjisë, Zhvillimit Urban, Turizmit, Bujqësisë, Sipërmarrjes dhe Mjedisit, të ndarë mes PS-së dhe LSI-së, kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, shpreson për një rimëkëmbje të ekonomisë, në të gjithë sektorët që përfaqëson.

Ndryshe nga qeveria “Berisha”, dy ministri janë ndarë në dy pjesë, ajo e Ekonomisë, Energjetikës dhe Transporteve, si dhe Ministria e Mjedisit dhe Ujërave, duke sjellë katër ministri.

Cani thotë se e rëndësishme do të jetë transparenca e të dhënave, ku jemi me gjendjen e financave, për të marrë angazhimet konkrete qeverisëse, në kushtet kur vendi po lë vitin e katërt të krizës.

Po si paraqitet struktura? Të paktën katër ministri, ajo e Financave, e Mbrojtjes, e Drejtësisë dhe e Jashtme, do të jenë po ato, pa ndryshime në strukturë, por pa shmangur reformat e “thella”, të cilat do të bëhen publike më vonë. Edhe Ministria e Shëndetësisë, do të jetë po ajo, por me një funksion shtesë, pasi do t’i caktohet edhe funksioni i mbrojtjes së konsumatorit, që më parë e ka pasur Bujqësia.

Do të ndahet në dy ministri, ajo e METE-s që është aktualisht. Nga njëra anë do të jetë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, e cila do të mbulojë sektorët e zhvillimit, zhvillimin rajonal, problematikën e klimës së biznesit, gjithë detyrimet që burojnë nga marrëveshjet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në fushën e ekonomisë, mbrojtjen e konsumatorit, por mbi të gjitha do të mbulojë marrëdhënien me sipërmarrjen që do të ndryshojë rrënjësisht, në qasje dhe në sjellje, thotë kryeministri i ardhshëm, Rama. Nga ana tjetër Ministria e Energjisë dhe Industrisë, e cila do të mbulojë me fokus të plotë projektet e zhvillimit në fushën e energjisë, si dhe gjithë pjesën që ka të bëjë me pasuritë natyrore, minierat, hidrokarburet dhe industrinë e lehtë.

Gjithashtu do të ndahet në dy, Ministria aktuale e Punëve Publike dhe Transportit.

Do të jetë një Ministri e Zhvillimit Urban dhe Turizmit që do të ketë rolin e planifikimit, kontrollit të territorit dhe aspektet që lidhen me zhvillimin urban dhe turistik të vendit dhe një Ministri e Transportit dhe e Infrastrukturës.

Është vendosur një strukturë më e plotë për Ministrinë e Bujqësisë, e cila do të jetë prej shtatorit, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave. Prioritet do të jetë “zhvillimi i detit në ekonomi”.

Ministria e Arsimit bashkohet me atë të Sportit, kurse Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale do të riformatohet: Ministria e Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë.

Ministria e Kulturës, por pa turizmin, sport, rini e të tjera, do të jetë e fokusuar vetëm në një drejtim: kultura dhe tek trashëgimia kulturore.

Ministria e Mjedisit do të jetë “një”, pra “ujërat” dhe do të ketë kompetenca ekskluzive të mbrojtjes së mjedisit dhe të oponencës ndaj gjithë projekteve të zhvillimit.

Ministër i Financave

Shkëlqim Cani, “rikthimi i madh”

E gjithë vëmendja është përqendruar te ministri i Financave, ose më saktë te personi që do ta drejtojë prej muajit shtator. Rikthimi i Shkëlqim Canit, pas më shumë se tetë vitesh në postet kyçe të qeverisë, nga guvernator i BSH-së, kur mbylli mandatin në 2004-n, shikohet si shpresëdhënës për qeverinë “Rama” dhe opinionin publik. Shumë besojnë te tezat e tij për të rimëkëmbur ekonominë dhe financat, sektor që ai e njeh mirë, pasi ka kontribuar prej më shumë se tri dekadash në funksione të ndryshme.

Pas përfundimit të shkollës së lartë në vitin 1981, nis punën në Bankën e Shqipërisë, si specialist krediti dhe më pas për eksport-import. Më tej, po në BSH, në vitet 1995-1990, mban detyrën e Drejtorit të Departamentit të Jashtëm dhe anëtar i Bordit Mbikëqyrës. Më pas emërohet si drejtor i përgjithshëm i Bankës Tregtare, por deri në 1991, pasi caktohet zëvendëskryeministër, detyrë që e mban fare pak, për t’u rikthyer si zv/drejtor i Bankës Tregtare. Më herët, ishte zgjedhur deputet për 1991-1996 dhe mori sërish mandat në ‘97-n, por e ndërpreu pasi në gusht 1997 deri në nëntor 2004 majti postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë (gjatë kësaj kohe, deri në vitin 2002, drejtoi edhe Bursën e Tiranës).

Gjatë kësaj kohe, u arritën disa objektiva dhe sektori financiar ndryshoi rrënjësisht. Politika monetare e BSH-së shënoi për herë të parë kalimin nga instrumentet direkte në instrumentet indirekte, duke iu afruar standardeve ndërkombëtare që zbatohen në bankat qendrore moderne. Banka e Shqipërisë siguroi dhe garantoi për 7 vjet radhazi objektivin e saj kryesor, “stabilitetin e çmimeve”. Kështu, Indeksi vjetor i Çmimeve të Konsumit (IÇK) gjatë periudhës 1998-2004 ra në intervalet 2-4%, krahasuar me IÇK vjetore të vitit 1997 prej 42%. Rezervat në valutë u rritën në mënyrë të ndjeshme gjatë mesit të vitit 2004 në 1.2 miliardë USD (mbi 4 muaj importe) kundrejt vetëm 308 milionë USD në fund të vitit 1997.

Gjatë viteve si guvernator, numri i bankave në Shqipëri u rrit nga 9 në 16 banka, të gjitha private dhe banka me kapital të përbashkët, shumica me aksionerë të huaj. U arrit privatizimi i suksesshëm i bankave kryesore në sistem, duke përfshirë hyrjen në treg të emrave të mëdhenj si “Raiffeisen Zentralbank”. Sistemi bankar konsolidoi pozicionin e tij dhe fitoi besimin e publikut, duke u ngritur mbi sfidat me të cilat ai u përball gjatë kësaj periudhe: rënien e firmave piramidale gjatë 1997-s, krizën e shkurtër politike të muajit shtator 1998, krizën e Kosovës (1999) dhe largimin për një periudhe afatshkurtër të depozitave gjatë vitit 2002. Aktualisht depozitat janë rritur në mënyrë të ndjeshme në 44% të GDP. U miratua për herë të parë në historinë e sistemit bankar shqiptar Ligji për Sigurimin e Depozitave në Shqipëri (2002) dhe u krijua Agjencia përkatëse për Sigurimin e Depozitave.

Pas përfundimit të mandatit si guvernator, rinis punën me kohë të plotë si pedagog në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Departamenti i Ekonomiksit, dhe më pas angazhohet në një projekt të Bankës Botërore. Në BB mban rolin e Këshilltarit të Lartë për vendet e Europës Juglindore, Programi i Konvergjencës, në varësi të zv.presidencës së Bankës Botërore, që synonte nxitjen e reformave mikrostrukturore në sektorin financiar të 7 vendeve të EJL përmes iniciativave të bazuara në analiza e studime mikrorregullatore, etj.

I zgjedhur për herë të parë deputet në ‘91-n, rimerr mandatin shumë vite më pas, tani me zgjedhjet e qershorit, për Dibrën, por Cani do ta lërë mandatin për të marrë një detyrë më të vështirë, atë të kontrolluesit të Financave të vendit.

I diplomuar në degën e Financës, Fakulteti Ekonomik, UT, në ‘80-n, kurse në vitin 1991 fiton gradën shkencore “Doktor në Ekonomi”, për të marrë titullin “profesor” në 2003, po në Tiranë, Cani ka një aktivitet të pasur profesional.

Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes

Arben Ahmetaj, “detyra për bizneset”

Bashkë me Canin, është i vetmi nga anëtarët e kabinetit “Rama” me eksperiencë në poste ministrore, pasi në vitet 2003-2004 ka qenë zëvendësministër i Energjisë dhe Industrisë dhe zëvendësministër për Integrimin. Arben Ahmetaj është angazhuar prej kohësh në PS për çështjet e sipërmarrjes private, madje e ka shoqëruar Ramën në çdo takim me bizneset.

Ka folur gjatë në media për problemet në sektorin energjetik, aq sa nuk diskutohej posti i ministrit të Energjetikës, por në fakt, Rama i besoi çështjet për sipërmarrjen dhe zhvillimin e tregut.

Ka punuar në Ministri të Financave, në fillim të viteve ‘90, si këshilltar i ministrit për Thesarin, pastaj është angazhuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, deri në ‘95-n, për t’u rikthyer në ‘97-n si shef i kabinetit te Financat, ku është angazhuar në hartimin e politikave fiskale, veçanërisht Akcizat. Në shkurt 1998 merr postin e kreut të Tatimeve, deri në janar 1999 dhe më pas ushtron detyrën e këshilltarit në sektorin bankar, në fillim te BSH dhe më pas te Banka Amerikanes.

Më tej merret me sektorin e telekomunikacioneve, privatisht, për t’u angazhuar sërish me poste qeveritare, në 2004, si fillim zëvendësministër i Energjetikës dhe më pas i Integrimit.

I lindur në Gjirokastër, në ‘69-n, atje ku dhe u rizgjodh deputet në zgjedhjet e fundit, Ahmetaj ka një CV të pasur sa i takon arsimimit. Ka një master për “Tregti Ndërkombëtare dhe Diplomaci” Patterson (‘94-n), është diplomuar në vitin 1996 në Universitetin Kentucky, SHBA, por më herët ka mbaruar shkollën e lartë në Tiranë, në 1991, për gjuhë të huaj, anglisht dhe më pas është specializuar në Literaturë Amerikane dhe Angleze. Është diplomuar për “Menaxhimi i Politikave Ekonomike Publike” në Universitetin “George Washington”, dhe deri në realizimin e doktoraturës për “Siguri energjetike, siguri ndërkombëtare”, në Universitetin e Bukureshtit, në 2009-n, ka kryer një sërë specializimesh.

 Ministër i Energjisë dhe Industrisë

Damian Gjiknuri, “juristi i koncesioneve”

Surpriza e kabinetit “Rama”, jo sepse nuk pritej të merrte post ministror, por për shkak të detyrës si ministër për Energjinë dhe Industrinë, dikaster shumë i rëndësishëm që menaxhon burimet natyrore, për të cilat qeveria e re, kur ishte në opozita ka ngritur mjaft akuza për korrupsion në dëm të shtetit.

CV-ja e tij është e pasur me angazhime në sektorin juridik, sikurse është profesioni i Gjiknurit dhe pikërisht, ndoshta për këtë shkak, Rama e zgjodhi në krye të koncesioneve dhe pasurive natyrore, nga ku mendohet se shteti humb çdo vit 500 milionë dollarë për shkak të abuzimeve me vjedhjet.

Në vitin 1994 është diplomuar në Fakultetin Juridik, Universiteti i Tiranës dhe më pas merr master për “Çështjet e Sigurisë Kombëtare” në NPS dhe shumë specializime të tjera jashtë vendit.

Pas përfundimit të shkollës së lartë nis punën si jurist në ndërmarrjen “Albtransport”, kurse në vitin 1996 bëhet gjyqtar i shkallës së parë në Kurbin dhe më pas, në 1998, për dy vjet, punon për një kompani private (për emigracionin) në Londër, si këshilltar ligjor. Rikthehet në Shqipëri për të punuar në Ministrinë e Brendshme dhe më pas sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, deri më 2004-n, drejtor kabineti në Ministrinë e Brendshme dhe lektor në Shkollën e Magjistraturës deri në vitin 2009.

Angazhimet e tij politike nisin në 2004, si anëtar i PS-së, duke mbajtur detyra për çështjet ligjore, sidomos ato të Kodit Zgjedhor, për t’u zgjedhur deputet në 2009-n dhe sërish tani në 2013, në Elbasan. Gjiknuri ka pasur aksione në një kompani private në fushën e sigurimeve, por i shiti pasi u zgjodh deputet në 2009-n.

Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit

Eglantina Gjermeni, “surpriza si ministre”

E angazhuar në PS për çështjet e problematikave të rrugëve, por edhe për financat, Eglantina Gjermeni do të marrë postin e ministres së Turizmit dhe Zhvillimit Urban. Për kryeministrin Rama, këta dy sektorë janë shumë të rëndësishëm për të, të trajtuara veçanërisht në fushatën zgjedhore, duke qenë se lideri i së majtës ishte deputet i Vlorës, dhe pa nga afër se si ndërtimet pa leje kanë uzurpuar bregdetin.

Karriera e saj është pasur me angazhime në projekte sociale. Nisi punë si pedagoge, Departamenti i Punës Sociale, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës dhe për 8 vjet, deri në 2008-n, ishte konsulente kombëtare pranë organizatave ndërkombëtare UNDP. Në 2009-n u zgjodh deputete e PS-së, për të marrë sërish mandat në zgjedhjet e fundit.

Ka një master në Punë Sociale, “Grand Valley State University”, dhe ka marrë në 2005-n doktoraturë në Punë Sociale, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës, tema “Migrimi femëror në Shqipëri”.

Ka botuar një sërë artikujsh mbi çështjet gjinore të tilla si, balanca gjinore në vendimmarrje, dhuna në familje, trafikimi i grave dhe vajzave, barazia gjinore dhe edukimi, balancimi i jetës profesionale me atë personale, etj. Është bashkautore e disa raporteve dhe botimeve mbi çështjet gjinore. Tani angazhimet e saj do të jenë Zhvillimi Urban dhe Turizmi, një sfidë e madhe për të, që Rama ia ka besuar.

 

Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës

Edmond Haxhinasto, “për herë të tretë”

Ka mbajtur postin numër dy të qeverisë “Berisha”, si zv/kryeministër dhe tani, zhvillimet e reja politike e “detyrojnë” të drejtojë një ndër ministritë me buxhetin më të madh, atë të Transporteve dhe Infrastrukturës. Këtë dikaster, Haxhinasto e njeh mirë, pasi ka mbajtur postin e zëvendësministrit, kur Olldashi ishte ministër, ndërsa në shtator do të jetë i pari.

Zgjidhet për herë të parë deputet në zgjedhjet e fundit, kurse në mandatin e dytë qeverisës të Berishës, drejton dy ministri, të parën atë të Jashtme, dhe më pas, atë të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

Roli i tij në LSI, aleatja kryesore e PS-së në kabinetin “Rama”, ka qenë thelbësor. Pozicioni i tij në qeverinë e re dukej se do të ishte i rëndësishëm, pasi ishte i dërguari i Ilir Metës për të hartuar programin qeverisës, së bashku me Ilir Beqajn e PS-së.

Haxhinasto ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë në vitin 1989. Në vitin 1996 kreu studimet për Nivele Ekzekutive të Administrimit të Biznesit në Slloveni. Në vitin 2000 mbaroi studimet Master në Politika Publike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shkollën “Udrou Uillson” në Universitetin e Princeton-it, SHBA.

Ai ka punuar në pozicione të ndryshme në administratën e lartë shtetërore, midis të cilave shef i Marrëdhënieve me Jashtë në Parlamentin shqiptar, drejtues i Departamentit të Koordinimit në Kryeministri, këshilltar diplomatik i Kryeministrit, i ngarkuar me Punë i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në Beograd, shef Kabineti në Ministrinë e Jashtme, dhe së fundmi, zëvendësministër i Punëve Publike dhe Transporteve. Ai është aktualisht edhe zëvendëskryetar i LSI-së.

Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave

Edmond Panariti, “profesori”

Këtu nuk ka surpriza! Të gjithë thonë pa mëdyshje se posti i ministrit të Bujqësisë i shkon për shtat, edhe pse nuk ka mbajtur detyra të larta që lidhen me këtë sektor, për të mos thënë që është angazhimi i parë me detyra qeverisëse.

Edmond Panaritin e lidh jeta akademike me këtë sektor, arsimimi dhe profesioni i pedagogut në Fakultetin e Bujqësisë, Universiteti i Tiranës. Zgjidhet për herë të parë deputet në zgjedhjet e qershorit, për LSI-në, pasi më herët kishte mbajtur postin e zv/kryetarit të Bashkisë së Tiranës, në krah të Lulzim Bashës (në kuadër të koalicionit PD-LSI).

Në qeverinë “Berisha 2” ka mbajtur postin e ministrit të Punëve të Jashtme, ku roli i tij për çështjen çame dhe atë të ujërave me Greqinë ishte vërtet “patriotik”.

Në vitin 1984 diplomohet në Universitetin e Agrikulturës në Tiranë, për mjekësi veterinare dhe në vitin 1993 mori doktoraturën. Ka punuar prej disa vitesh në Institutin e Veterinarisë dhe është marrë me kërkime të ndryshme në këtë fushë.

Ministër i Mjedisit

Lefter Koka, “biznesmeni”

Beniamini i qytetit të Durrësit. Nisi karrierën politike me PS-në, duke fituar mandatin si kryetar i bashkisë së qytetit bregdetar, kurse tani është njeriu kyç për LSI-në. I zgjedhur deputet për herë të dytë, po në Durrës, Koka do të mbajë postin e ministrit të Mjedisit, detyrë e papritur, në një kohë kur kuotat flisnin për postin e kreut të Transporteve.

Ka përfunduar arsimin e lartë, Fakulteti Ndërkombëtar i Shkencave Juridike, Strugë, dhe ka ndjekur disa kurse për IDIC (Instruzione sulla Direzione delle Imprese Commerciali) Trieste. Është marrë gjerësisht me aktivitet privat në sektorin e eksport-importit me kompanitë “Sucralba” dhe pronar i kantinës së pijeve “Gj.K.Skënderbeu”, Durrës. Në vitin 2003 zgjidhet kryetar i Bashkisë së Durrësit dhe prej vitit 2009 është deputet i këtij qarku.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of