Kolateralet e pashitura, rreziku i ri

18/04/2016 8:58 AM 0 komente

Dy vitet e fundit, sektori bankar ka rritur ndjeshëm ekspozimin e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë ndaj tregut të pasurive të paluajtshme. Kolateralet e pashitura në pronësi të bankave kanë arritur në 22 miliardë lekë në fund të 2015-s nga 5 miliardë që ishin në vitin 2012, duke i çuar bankat në funksione jo të natyrshme të “real estate”

 

Rreziqet ndaj të cilave u ekspozua stabiliteti financiar më 2015 u vlerësuan përgjithësisht në rënie në krahasim me fundin e vitit 2014, nga Banka e Shqipërisë. Përmirësimet janë shfaqur në të gjitha kategoritë përbërëse të aktivitetit bankar dhe në kategorinë “qeveria” për sa i takon ekonomisë reale. Në veçanti, sektori bankar ka rritur ekspozimin e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë ndaj tregut të pasurive të paluajtshme dhe ndjeshmëria e tij ndaj lëvizjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme, është e konsiderueshme.

Në rastin e ekonomisë së brendshme, rreziku vijon të vlerësohet “i moderuar” dhe me prirje rënëse, për shkak të ecurisë së kursit të këmbimit dhe nevojave për financim të jashtëm.

Për individët, niveli i rrezikut vlerësohet mesatar dhe në rritje. Zhvillimet jopozitive në tregun e banesave dhe në dërgesat e emigrantëve kanë kontribuar në notën e këtij rreziku.

Për bizneset, rreziku vlerësohet i moderuar dhe në rritje, në kushtet e tkurrjes së huamarrjes së bizneseve, rënies së indeksit të vëllimit të prodhimit dhe të pritshmërive të sektorit privat.

Për qeverinë, niveli i rrezikut vlerësohet i ulët dhe në rënie, mbështetur kryesisht në uljen e deficitit buxhetor.

Gjithashtu rreziku që vjen nga mjedisi i jashtëm ekonomik ka rënë. Ky rrezik vlerësohet si i ulët kundrejt vlerësimit mesatar që shënonte në fund të vitit 2014. Rritja e PBB-së në vendet tregtare partnere, krahas rënies së normës së papunësisë në vendet ku punojnë emigrantët dhe uljes së çmimit të naftës janë faktorët me kontributin kryesor në uljen e këtij rreziku.

Banka e Shqipërisë ka gjetur se në krahasim me fundin e vitit 2014, për kapitalizimin dhe përfitueshmërinë, niveli i rrezikut vlerësohet mesatar dhe në rënie. Ecuria pozitive e kapitalit aksioner dhe e të ardhurave neto nga interesi, krahas rezultatit financiar neto në rritje dhe përmirësimit të cilësisë së portofolit të kredisë, kanë kontribuar në rënien e këtij rreziku.

Për “likuiditetin dhe financimin” niveli i rrezikut vlerësohet “mesatar” dhe në rënie të lehtë, mbështetur nga ulja e varësisë së financimit nga jorezidentë.

Gjithashtu vlerësimi i rrezikut që lidhet me “strukturën e sektorit bankar” ka rënë në nivelin “i ulët”, në vijim të diversifikimit të fondeve të financimit të sektorit bankar dhe diversifikimit të kredidhënies ndaj sektorit të biznesit.

Sektori bankar është në ekspozim në rritje ndaj tregut të pasurive të paluajtshme dhe ndjeshmëria e tij ndaj lëvizjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme, është e konsiderueshme. Banka e Shqipërisë referon se, në dhjetor 2015, 52% e kredive janë të kolateralizuara me pronë të paluajtshme ose rreth 67.5% e kredisë për individët dhe rreth 46.6% e kredisë për bizneset. Kreditë e kolateralizuara, të cilat janë edhe me probleme, zënë rreth 10.6% të tepricës së kredisë dhe janë të përqendruara kryesisht te sektori i biznesit. Prania e kolateralit është një faktor i cili zbut rrezikun e kredisë, si në drejtim të parandalimit të materializimit të tij, ashtu edhe në drejtim të rikuperimit të vlerës së kredisë në rast humbjeje të saj. Cilësia e dytë mbetet sidoqoftë e varur nga efektiviteti i procesit të ekzekutimit të kolateralit dhe ecuria e çmimit të tij në treg. Një proces joefektiv i ekzekutimit të kolateralit dhe një ecuri në rënie e çmimit të pasurisë së paluajtshme, do të përfaqësonin një kombinim faktorësh me ndikim negativ në rezultatin financiar të bankave.

Bankat në Shqipëri zotërojnë 22 miliardë lekë pasuri të patundshme (rreth 160 mln euro), të cilat janë duke denatyruar rolin primar të bankave në ndërmjetësimin financiar, duke kthyer një pjesë të funksioneve të tyre në “real estate”.

Banka e Shqipërisë raportoi se vlera e kolateraleve në pronësi të bankave, pasi kanë dështuar shitjet nga përmbaruesit, është rritur ndjeshëm më 2015. Nga 5 miliardë lekë në vitin 2012, zotërimet e bankave në formën e pasurive të paluajtshme në fund të vitit të kaluar janë më se katërfishuar në rreth 22 miliardë lekë.

Tetë janë llojet kryesore të rrezikut që lidhen me veprimtarinë bankare: rreziku i kredisë; rreziku i normës së interesit; rreziku i likuiditetit; rreziku i çmimit; rreziku operacional; rreziku i përputhshmërisë; rreziku strategjik dhe ai reputacional. Ndërkohë që rreziku i çmimit përbën rrezikun kryesor që lidhet me pasuritë e paluajtshme.

Nivelet e larta të këtyre lloj aktivesh në bilanc, shoqëruar me strategji jo të efektshme të marrjes në pronësi të tyre mund të ndikojnë negativisht likuiditetin e një banke.

Banka e Shqipërisë thekson se, politikat operacionale dhe procedurat që lidhen me këto lloj aktivesh mund të kontribuojnë në shtim të rrezikut operacional, duke rezultuar në të ardhura më të ulëta nga kolateralet në pronësi dhe shpenzime të larta; përpjekje joadekuate dhe joefektive shitjeje, prishje të kolateralit, humbje jo të njohura dhe norma më të ulëta rikuperimi.

Në rastet kur këto kolaterale merren në pronësi, bankat marrin përsipër rrezik të qenësishëm përputchshmërie me kuadrin ligjor që rregullon administrimin e pronave.

Një bankë është ligjërisht përgjegjëse për sa i takon marrjes në pronësi, veprimeve dhe mirëmbajtjes së këtyre pronave, të cilat mund të rrjedhin në detyrime ligjore të caktuara.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of