Pikat kufirare të Kosovës këto ditë kanë qenë thuajse çdoherë të ngarkuara me kolona të gjata të automjeteve, si pasojë e ardhjes së bashkatdhetarëve në Kosovë.
Bashkatdhetarët, të cilët vijnë nga vendet evropiane ku ata jetojnë e veprojnë, janë përballur me pritje e kolona të gjata qysh në mëngjes në pikëkalimet kufitare.
Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, fluksi më i madh është regjistruar në pikën kufitare në Merdare në dalje të Kosovës.
Në këtë pikëkalim kufitar, qytetarët kanë pritur deri në dy orë ndërkaq kolona ka arritur deri në 500 metra.
Edhe për të hyrë në Kosovë në Merdare ka pasur pritje dhe kolonë, ku sipas statistikave qytetarët kanë pritur deri në 30 minuta.
Sipas kësaj qendre, nëpër të gjitha pikat e tjera kufitare pritja dhe kolona është në suaza të normales dhe se nuk është regjistruar asnjë pritje më shumë se 10 minuta si në hyrje ashtu edhe në dalje të Kosovës.
https://mpb.rks-gov.net/QKMK.aspx
Kurse, në një njoftim që ka bërë kjo ditë më parë Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka kërkuar që bashkatdhetarët të shfrytëzojnë pikën kufitare të Mutivodës.
Ata përmes një postimi në Facebook, thonë se për të shmangur pritjet e gjata në Pikën Kufitare Merdarë, bashkatdhetarët mund të përdorin pikat tjera kufitare përfshirë edhe atë në Mutivodë.
“QKMK inkurajon të gjithë bashkatdhetarët që po vijnë në vendlindje dhe po ashtu që po kthehen, të shfrytëzojnë edhe PKK Mutivodë dhe Pikat tjera të Kalimit Kufitar, për shkak të pritjeve të gjata në PKK Merdarë”./Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.