Margrethe Vestager, komisionerja europiane për konkurrencën, tha se duheshin “barriera mbrojtëse”, për të kundërshtuar rreziqet më të mëdha të teknologjisë.
Ajo tha se ky ishte çelësi ku inteligjenca artificial (IA), po përdoret për të ndihmuar në marrjen e vendimeve, që mund të ndikojnë në jetesën e dikujt, si për shembull nëse ata mund të aplikojnë për kredi për shtëpi.
Parlamenti Europian do të votojë mbi rregullat e propozuara të IA ditën e mërkurë.
Politikëbërësit po mendojnë miratimin dhe zbatimin e “Aktit të IA” (AI Act), për shkak të paralajmërimeve mbi zhvillimin shumë të shpejtë të teknologjisë – e cila u mundëson kompjuterëve, të kryejnë detyra që zakonisht kërkojnë inteligjencë njerëzore.
Disa ekspertë kanë paralajmëruar se IA, mund të çojë në zhdukjen e njerëzimit.
Zonja Vestager tha se potenciali i IA për të përforcuar paragjykimet ose diskriminimin, që mund të përmbahen në sasitë e mëdha të të dhënave të marra nga interneti dhe të përdorura për të trajnuar modele dhe mjete, ishte një shqetësim më urgjent.
“Ndoshta rreziku i zhdukjes mund të ekzistojë, por unë mendoj se gjasat janë mjaft të vogla. Mendoj se rreziqet e IA, janë më shumë se njerëzit do të diskriminohen, ata nuk do të shihen për atë që janë.”
“Nëse IA përdoret nga një bankë për të vendosur nëse unë mund të marr një kredi për shtëpi, ose nëse janë shërbime shoqërore në komunën tuaj, atëherë duhet të siguroheni që të mos diskriminoheni për shkak të gjinisë ose ngjyrës së lëkurës, apo për shkak të lagjes ku jetoni”, tha ajo.
Autoriteti i mbrojtjes së të dhënave të Irlandës (Irish Data Protection Commission, DPC), tha se kishte ndaluar përkohësisht vendimin për përdorimin e chatbot-it të IA, Bart, të Google në BE.
Autoriteti ishte informuar nga Google se konkurrenti i tij ChatGPT, do të prezantohej në BE këtë javë, por ende nuk kishte marrë detaje ose informacione, që tregonin se si firma kishte identifikuar dhe minimizuar rreziqet e mbrojtjes së të dhënave për përdoruesit e mundshëm.
Zëvendës komisioneri Graham Doyle, tha se DPC po kërkonte informacionin “si një çështje urgjente” dhe kishte ngritur pyetje të mëtejshme, për mbrojtjen e të dhënave me Google.
Këndvështrimi i OKB-së
Zonja Vestager, tha se rregullimi i IA duhet të jetë “çështje globale”.
Ajo këmbënguli, që duhet t’i jepet përparësi konsensusit midis vendeve “me të njëjtin mendim”, përpara se të përfshihen më shumë juridiksione, si Kina.
Zonja Vestager po drejton përpjekjet e BE-së, për të krijuar një kod vullnetar sjelljeje me qeverinë amerikane, i cili do të kërkojë që kompanitë që përdorin ose zhvillojnë IA, të nënshkruajnë një sërë standardesh, që nuk janë ligjërisht të detyrueshme.
Të qenët ‘pragmatik’
Drafti aktual i Aktit të IA, kërkon të kategorizojë aplikimet e IA në nivele të rrezikut për konsumatorët, me video lojërat e aktivizuara me IA ose filtrat e postës së padëshiruar, që bien në kategorinë më të ulët të rrezikut.
Sistemet e inteligjencës artificiale me rrezik të lartë, përfshijnë ato që përdoren për të vlerësuar rezultatet e kreditit ose aksesin në kredi dhe strehim. Këtu do të jetë fokusi i kontrolleve të rrepta mbi teknologjinë.
Por, ndërsa IA vazhdon të zhvillohet me shpejtësi, zonja Vestager tha se është nevoja të jemi pragmatikë, kur bëhet fjalë për rregullat e detajuara rreth kësaj teknologjie.
Zonja Vestager tha se ekzistonte “padyshim një rrezik”, që IA mund të përdoret për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme.
Ajo tha se sfida për policinë dhe shërbimet e inteligjencës, do të ishte të jenë “plotësisht në krye” të një sektori kriminal, ku ekziston rreziku që ata të ecin përpara në garën për të përdorur teknologjinë.
Shumë drejtues dhe studiues të teknologjisë, nënshkruan një letër në muajin mars, duke bërë thirrje për një pauzë në zhvillimin e sistemeve të IA më të fuqishme se GPT-4 e OpenAI.
Por, zonja Vestager tha se kjo nuk ishte realiste.
“Askush nuk mund ta zbatojë atë. Askush nuk mund të sigurohet, që të gjithë të jenë dakord,” tha ajo.
“Ajo që unë mendoj se është e rëndësishme, është që çdo zhvillues e di se të gjithë do të kenë të njëjtat barriera, në mënyrë që askush të mos marrë rreziqe të tepërta.”
Njohja e fytyrës
Propozimet e Parlamentit Europian për Aktin e IA, synojnë të kufizojnë përdorimin e sistemeve të identifikimit biometrik dhe mbledhjen pa dallim, të të dhënave të përdoruesve nga mediat sociale ose pamjet e kamerave, për qëllime të tilla si sistemet e njohjes së fytyrës.
Megjithatë, zonja Vestager tha: “Ne duam të vendosim barriera të rrepta, në mënyrë që të mos përdoret gjithmonjë, por vetëm në rrethana specifike, kur po kërkohet një fëmijë ose kur një terrorist po arratiset.
Përpara se Akti i IA të mund të finalizohet si rregullorja e parë në botë për përdorimin dhe zhvillimin e sistemeve të inteligjencës artificiale, tre degët e pushtetit të BE-së: Komisioni, Parlamenti dhe Këshilli, do të duhet të bien dakord për versionin përfundimtar.
Akti nuk pritet të hyjë në fuqi para vitit 2025. / BBC