Është e vështirë të imagjinohet një hit muzikor për Ursula von der Leyen.
Ndryshe nga Alexander Hamilton, sekretari i parë i Departamentit të Thesarit të Amerikës, i cili organizoi federalizimin fiskal të Shteteve të Bashkuara dhe u shpërblye pas vdekjes me një hit muzikor, zonja von der Leyen ka ende disa beteja për të fituar.
Propozimi i saj i fundit, për ta bërë Komisionin Europian, të cilin ajo e drejton, një arbitër më politik të rregullave fiskale të bllokut, është një shembull i mirë.
Ideja është mjaft e thjeshtë. Një grup prej 19 shtetesh të pavarura, kanë nevojë për disa parmakë mbrojtës, nëse duan të ndajnë një monedhë të përbashkët. Përpjekja e mëparshme rezultoi e paefektshme, madje pjesërisht e gabuar.
Ekziston një konsensus i gjerë se rregullat gjithnjë e më të ndërlikuara, tani kanë nevojë për një përditësim. Ato u pezulluan në fillim të pandemisë, por riaplikimi i tyre i afërt në vitin 2024, pasi borxhi në shumicën e vendeve është rritur ndjeshëm (shih grafikun), e bën debatin aktual edhe më urgjent.
Pandemia dhe kriza energjetike që e pasoi, i kanë shtuar dy elemente lidhjeve fiskale të Europës. I pari është se Banka Qendrore Europiane (BQE) tashmë mund të konsiderohet vetëm teorikisht si rezerva e fundit huadhënëse për qeveritë.
Ajo shpenzoi me miliarda për të ndihmuar qeveritë në fillim të pandemisë, dhe më pas ngriti një program të ri të blerjes së bonove, të quajtur TPI, si një formë mbështetjeje, për të parandaluar që rritja e normave të interesit të bënte kërdinë në tregjet e bonove. Disa ekonomistë tani kanë frikë se kjo siguri mund t’i nxisë qeveritë të shpenzojnë shumë.
“Programi i ri i BQE-së për blerjen e bonove e bën rreptësisht të nevojshme që të ketë një kuadër fiskal të besueshëm”, argumenton Luis Garicano nga Universiteti i Kolumbisë. Vetë BQE-ja duket se është dakord. Kushti i parë për t’u kualifikuar për blerjen e bonove të bankës, është pajtueshmëria me rregullat fiskale të Europës.
Elementi i dytë i ri është fondi i rimëkëmbjes pas pandemisë i BE-së, me vlerë 807 miliardë euro (808 miliardë dollarë), i financuar nga borxhi i përbashkët i BE-së, dhe i lavdëruar nga disa si “momenti Hamiltonian” i Europës.
Komisioni është kryesisht përgjegjës për negocimin e planeve kombëtare të investimeve dhe reformave të shteteve anëtare, dhe më pas monitorimin e zbatimit të tyre.
Propozimi i fundit i komisionit për rregullat e reja fiskale, mbështetet në këtë pozitë të re. Brukseli do të përcaktojë një rrugë për shpenzimet neto të qeverive, që është e arsyeshme dhe ul nivelet e borxhit me kalimin e kohës.
Ky është një version i thjeshtuar i objektivave të mëparshme të uljes së borxhit, të cilat janë bërë jorealiste për vendet me borxhe të larta.
Më pas, qeveritë kombëtare do të dërgojnë plane gjithëpërfshirëse në Bruksel, se si do ta arrijnë atë rrugë. Nëse një plan përfshin investime të guximshme ose paketa reformash, rregullimi mund të bëhet më pak i mundimshëm.
Paketa tingëllon familjare për ata që e njohin fondin e rimëkëmbjes. Komisioni tani duhet të vihet në krye të negociatave të ngjashme, në lidhje me planet fiskale të anëtarëve të Eurozonës, dhe kështu do të vendoste nëse vendet janë të pranueshme për backstop-in e BQE-së. Formalisht, këshilli që përfaqëson qeveritë kombëtare, duhet gjithashtu të miratojë vlerësimin e komisionit.
“Por as gjermanët nuk i zënë besë vetes për t’u treguar të rreptë në kohën e duhur, e aq më pak i gjithë grupi”, thotë Jeromin Zettelmeyer nga Instituti Bruegel. Në fakt, do të jetë komisioni ai që do të vendosë nëse do të jetë i rreptë apo jo.
Ky shihet si një problem në Berlin. Gjermania argumenton se komisioni nuk është një zbatues i besueshëm i disiplinës fiskale. Por këtë herë, ajo mund të mos gjejë përkrahje. “Holandezët tradicionalisht janë në një linjë me Berlinin, por ata janë shumë më të hapur ndaj një qasjeje të tillë dypalëshe nga komisioni”, thotë Mujtaba Rahman nga firma e konsulencës Eurasia Group.
Propozimi i ri i komisionit kërkon një kompromis. Mbikëqyrësit më të fortë kombëtarë fiskalë dhe homologët e tyre europianë mund të shtojnë vlerësimet e veta në lidhje me planet fiskale, për ta bërë procesin më të decentralizuar. Por e gjithë struktura i jep komisionit rolin e vendimmarrësit fiskal. A ka ai legjitimitet politik për ta bërë këtë?