Komisioni Europian tha se parashikon që Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Kroacisë, të rritet me 8.1% këtë vit, duke përmirësuar parashikimin për një rritje prej 5.4%, të bërë në korrik.
“Rimëkëmbja e ekonomisë kroate vazhdoi në vitin 2021, e mbështetur kryesisht nga konsumi i fortë privat dhe një performancë më e mirë në sektorin e turizmit”, tha Komisioni në Parashikimin Ekonomik Europian për Vjeshtën 2021.
Për vitin 2022, Komisioni uli parashikimin për rritjen ekonomike të Kroacisë në 5.6%, nga 5.9% që ishte parashikuar në korrik.
Rrjedhimisht, vëllimi i PBB-së duhet të arrijë nivelin e vitit 2019 gjatë vitit 2022, ndërsa në vitin 2023, PBB-ja do të rritet me 3.4%, deklaroi krahu ekzekutiv i BE-së.
Prodhimi ekonomik i Kroacisë u tkurr me 8.1% vitin e kaluar.
Sipas Komisionit, rreziqet kryesore negative burojnë nga normat relativisht të ulëta të vaksinimit në Kroaci, të cilat mund të çojnë në masa më të rrepta kontrolli dhe vonesa të rindërtimit pas tërmetit. Por, nga ana tjetër, hyrja e mundshme në zonën Shengen dhe adoptimi i euros mund të nxisin investimet dhe tregtinë.
Vendi shpreson të jetë gati për t’u bashkuar me Eurozonën në vitin 2023.
Pasi arriti në nivelin 7.5% në vitin 2020, shkalla e papunësisë pritet të ulet gradualisht në 6.7% këtë vit, 6.2% vitin e ardhshëm dhe 5.8% në vitin 2023.
“Punësimi pritet të arrijë nivelin e para krizës në vitin 2021. Sipas parashikimeve, dinamika e tregut të punës pritet të nxitet nga zgjerimi i përgjithshëm i aktivitetit ekonomik, përshpejtimi i ciklit të investimeve dhe nga Plani i Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë”, tha Komisioni.
Inflacioni pritet të rritet, duke arritur në 2.2% në vitin 2021, për t’u pasuar nga një stabilizim gradual në 2.0% vitin e ardhshëm dhe 1.5% në vitin 2023. Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në inflacion, janë rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, të pranishme si në Europë dhe në botë. Komisioni shtoi se megjithëse këta faktorë konsiderohen kalimtarë, rreziqet e inflacionit më të gjatë, janë ende të pranishme.