Ministria e Financave është shpërblyer për punën e saj nga Komisioni Evropian, me shumën e mjeteve prej 11,499,970.00 euro. Zyra e Informimit të kësaj ministrie thotë se ky është shpërblim për punën e madhe për të vendosur dhe mbajtur një stabilitet makroekonomik të vazhdueshëm të vendit, duke zbatuar me sukses dhe profesionalizëm politika kredibile makro-ekonomike të orientuara drejt stabilitetit.
Ministria e Financave është shpërblyer sot për punën e saj nga Komisioni Evropian, me shumën e mjeteve prej 11,499,970.00 euro, si mbështetje direkte buxhetore.
“Këtë shumë të mjeteve Ministria e Financave e ka pranuar pas një pune të madhe për të vendosur dhe mbajtur një stabilitet makroekonomik të vazhdueshëm të vendit, duke zbatuar me sukses dhe profesionalizëm politika kredibile makro-ekonomike të orientuara drejt stabilitetit”.
Kjo ministri ka treguar se këto para janë ndarë pasi janë plotësuar detyrat që janë dhenë nga Komisioni Evropian.
“Menaxhimin e suksesshëm të Financave Publike përmes implementimit me përpikëri të programit dhe strategjinë për përmirësimin e Menaxhimit të Financave Publike si dhe në të njëjtën kohë duke e rritur transparencën buxhetore për të gjithë të interesuarit duke përfshirë edhe shoqërinë civile dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe ka implementuar me sukses Strategjinë për Reformën e Menaxhimit të Financave Publike të Kosovës 2016-2020 dhe Modernizimit të Administratës Publike. Të gjitha këto detyra janë vlerësuar pozitivisht nga ana e Komisionit Evropian, ku është çmuar puna që është bërë edhe në ruajtjen e stabilitetit makrofiskal të vendit duke përfshirë edhe respektimin e rregullave fiskale të parapara me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike”.
“Për këto arsye sot shteti i Republikës së Kosovës në aspektin financiar qëndron më së miri që ka qëndruar ndonjëherë në të gjithë parametrat e tij”, thuhet në një njoftim për media të MF-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.