Komisioni i Ekonomisë dhe Financave i kërkoi qeverisë që, për shkak të situatës ekonomike të krijuar nga pandemia të miratojë një marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Deputeti i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli, njëkohësisht dhe sekretar i Komisionit, i tha ministres Denaj se duhet të merret në konsideratë një marrëveshje të re me FMN për të menaxhuar më mirë financat publike, pas goditjes nga tërmeti dhe koronavirusi.
“Në situatën që ndodhemi sot, Shqipëria ka marrëveshje sipas artikullit 4 me FMN. Por duke parë situatën ekonomike, dhe veçanërisht ajo e financave publike, për arsye që janë jo të faktorit të brendshëm ekonomik, por të faktorit të jashtëm, siç është fatkeqësia natyrore e tërmetit, si dhe ajo e pandemisë, por edhe duke bërë vlerësimin e deritanishëm të gjendjes ekonomike dhe financave publike, mbase ka ardhur koha që paralelisht me atë që ministrja theksoi që në muajin qershor do të kemi një vlerësim të situatës dhe rialokim të fondeve buxhetore, të mendohet për një marrëveshje të re me FMN.
Ajo që pritet këtë vit së paku, dhe hapësirës fiskale shumë të ngushtë që do të ketë për vitin e ardhshëm, ndoshta menaxhimi më i mirë i financave publike dhe i situatës në vend do të kishte si mbështetje një marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, u shpreh Angjeli.
Shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun dhe shefi në ikje, Jan Kees Martijn më herët në intervistën e përbashkët për Monitor shprehën gatishmërinë për një marrëveshje të re. “Ne mbetemi në kontakte të vazhdueshme me autoritetet gjatë kësaj kohe të vështirë. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë sipas nevojës në formën e ekspertizës, zhvillimin e kapaciteteve, ose përmes një programi tjetër financiar, nëse do të jetë e nevojshme.”
Buxheti do të rishikohet për herë të tretë
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, tha se në muajin qershor do të ketë rishikim të buxhetit dhe të fondeve të alokuara për këtë vit.
“Për shkak të situatës nga COVID, Shqipëria ka riparë buxhetin, si në nivel të trajektores rënëse të të ardhurave, ashtu edhe të shpenzimeve, për të akomoduar paketat e ndihmës financiare, por edhe për të riparë disa shpenzime të cilat e kishin të nevojshme të rivlerësoheshin, sidomos ato të kontratave me PPP. Akti normativ i muajit mars dhe i aprovuar në muajin maj nga Parlamenti, vlerësoi një deficit të rritur -3,9% nga 1,9% që ishte përpara COVID. Siç e kemi theksuar edhe më herët jemi shumë afër përgatitjes së një akti normativ të rishikimit të buxhetit për herë të tretë që do të prezantohet në fund të qershorit, kur edhe shifrat përfundimtare të muajit maj do të merren në konsideratë. Kjo do ta zgjeronte më tej nevojën për financim, pasi do të zgjeronte deficitin buxhetor”, u shpreh Denaj.
Deputetët në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ekonomisë miratuan marrëveshjen e akordimit të huasë nga FMN me vlerë 190 mln dollarë nëpërmjet financimit të shpejtë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.