Edhe sot nuk është miratuar Projektligji për rimëkëmbje ekonomike në Komisionin për Buxhet dhe Transfere në Kuvend. Komisioni vendosi që të mërkurën e ardhshme të shqyrtohen dhe miratohen tetë amendamentet dhe raporti për Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike. Ky projektligj mundëson tërheqjen e 10 për qind të kursimeve në Trust.
Komisioni për Buxhet dhe Transfere nuk e ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.
Komisioni ka vendosur që të mërkurën e ardhshme të shqyrtoj dhe miratoj tetë amendamentet dhe raportin për këtë Projektligj.
Kujtojmë se të hënën e kaluar, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.
Ky Projektligj kishte dështuar të votohej për gjashtë herë që nga muaji gusht kur ishte prezantuar për herë të parë në Kuvend.
Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme në seancë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje. Ndërkaq, Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.
Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.
Lexo edhe këtë: Kalon në parim Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike
Projektligj parasheh plotësimin e një sërë ligjesh, i cili përfshinë edhe tërheqjen e 10-përqindëshit nga vetë qytetarët nga Trusti.
Për të ndihmuar sektorin privat, Qeveria e Kosovës më 28 shtator, ka ndarë rreth 87 milionë euro për bizneset private, për t’i rikuperuar humbjet që kanë pësuar nga pandemia COVID-19, për qytetarët në nevojë, për disa ministri dhe të tjera.
Nga kjo vlerë, 60 milionë euro u ndanë për bizneset, të cilat do të përfitojnë varësisht nga numri i punëtorëve që kanë pasur të regjistruar në muajin dhjetor të vitit 2019.
Përfaqësuesit e bizneseve në vazhdimësi u kanë bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që sa më shpejt të ndihmojnë në rimëkëmbjen ekonomike, pasi që çdo vonesë, sipas tyre, do të sillte probleme më të mëdha për bizneset dhe rrezik të falimentimit të tyre.
Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.