Kompania koncensionare e nxjerrjes dhe pasurimit të Bakrit “ Ber Alb” në Fushë-Arrëz mbyll aktivitetin e saj për një vit, duke lënë të pa punë 250 punonjës. Kompania e cila fillimisht kishte njoftuar punonjësit se u kishte dhënë pushime për 12 ditë, sot i ka mbledhur punonjësit e Fabrikës së Pasurimit të Bakrit të cilit I ka njoftuar se për shkak të rënies së çmimit të mineralit, kishte vendosur ndërprerjen e aktivitetit për një vit.
Lajmi i papritur ka shokuar punonjësit të cilët i kanë kërkuar “Ber Alb” që të shpallë falimentin në mënyrë që Qeveria t’ia japë koncensionin një kompanie tjetër, por për këtë nuk kanë marrë një përgjigje.
Ndërkaq, punonjësve nga përfaqësuesit e koncensionarit iu është premtuar se përgjatë kohës që do të mbeteshin pa punë do të paguheshin me 20 mijë lekë në muaj, gjë e cila sërish është kundërshtuar nga punonjësit të cilët sot janë detyruar të tërhiqnin gjërat personale nga vendet e tyre të punës për t’u larguar, me shumë gjasë pa kthim.
Nesër pritet njoftimi dhe për punonjësit e Minierës së Munellës përmes një takimi të ngjashëm me atë që u zhvillua sot në Fabrikën e Pasurimit të Bakrit në Fushë -Arrëz.
Punonjësit shprehen se shkak për mbylljen e aktivitetit nga kompania mund të jenë abuzimet e kësaj të fundit të cilat duket se nuk mund të mbulohen më, pas masave të ndërmarra nga qeveria kryesisht në luftën ndaj informalitetit, ndërkohë që shitja me 50% të aksioneve të “Ber Alb” një kompanie kineze rreth një vit më parë duket se ka sjellë dhe përplasjet mes aksionerëve kryesisht për kostot.
Kreu i Sindikatave në Pukë, Gjon Zekaj, i cili ka bërë të ditur lajmin, e cilëson si absurd vendimin e kompanisë, duke kërkuar ndërhyrjen e qeverisë.
Zeka bën të ditur se shkak për mbylljen e aktivitetit nuk mund të ishte ulja e çmimit të Bakrit, ndaj punonjësit duhet të mësojnë të vërteten e këtij vendimi.
Vendimet e papritura të koncensionarit turko-kinez pritet të pasohen nga protesta të sindikatave, ndërkohë që ndërprerja e aktivitetit të kësaj kompanie zhyt përfundimisht në varfëri Fushë-Arrëzin dhe zonat përreth, pasi ishte e vetmja mundësi punësimi për banorët e zonës.
BalkanWeb
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.