Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Z.Edmond Haxhinasto, priti sot në një takim Z. Yan Jiehe, Presidentin e China Pacific Construction Group, kompania e ndërtimit private më e madhe Kineze.
Z. Yan u takua me Ministrin Haxhinasto për të shqyrtuar mundësinë e investimit në fusha të ndryshme të infrastrukturës në vendin tonë. Për këtë, Haxhinasto i prezantoi kompanisë kineze zhvillimet më të fundit në infrastrukturën e transportit në vend, duke u fokusuar në korridoret bazë të transportit rrugor dhe hekurudhor, korridorin Adriatiko-Jonian dhe Korridorin VIII, si edhe planet për zhvillimet portuale dhe aeroportuale në vend.
Z. Yan shprehu interesin e tij për tu angazhuar në projekte të rëndësishme prioritare në infrastrukturë dhe turizëm. Ai vlerësoi se Shqipëria është në pozicion shumë të favorshëm në rajon dhe garantoi se një mision kërkimor, me qëllim përcaktimin e projekteve konkrete të bashkëpunimit, do të jetë së shpejti në Shqipëri.
Me këtë kompani nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës është realizuar edhe një Memorandum Mirëkuptimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.