Kompania publike Albpetrol nxjerr në ankand 31 mijë ton naftë

02/02/2020 11:00 PM 0 komente

Albpetrol, kompania publike e nxjerrjes së naftës në vend ka njoftuar shpalljen e një ankandi për të shitur 31 mijë tonë naftë. Ky është ankandi i parë i këtij viti dhe sasia e naftës i përket prodhimit të bërë vitin e shkuar në pjesën më të madhe të tij. Ky ankand vjen pas atij të majit të vitit të shkuar kur kompania nxorri në shitje 75 mijë tonë naftë për të cilën arkëtoi rreth 30 milionë dollarë nga kompania “Al Global Oil” oferta e së cilës u shpall fitues.

Lidhur me ankandin e ri Albpetrol bëri me dije se kompanitë e interesuara duhet të dorëzojnë ofertat deri në datë 6 shkurt ndërkohë që duhet të kenë parasysh kushtet e caktuara lidhur me ofertën e ankandit.

Kështu çmimi minimal fillestar për njësi është: 75.37 % e Çmimit Brent + K. Në pikat e lëvrimit: Çmimi minimal fillestar për njësi është: 75.37 % e Çmimit Brent – 2.49 USD/bbl + K. Sipas shpjegimit  75.37 % është koefiçenti i cili përfaqëson karakteristikat mesatare të naftës (pesha specifike, aciditeti i naftes, % e squfurit). Brent është çmimi në USD/bbl i Brent i Platts, i publikuar në Buletinin e Prokurimit Publik. Ndërsa 2.49 USD/bbl kosto mesatare totale (transport, magazinim, stokim, analizim produkti, sigurim). Në finale  K- eshte vlera USD/bbl e ofruar nga ofertuesi mbi çmimin minimal të shitjes të përllogaritur nga formula (K≥0).

Vendndodhja e naftës brut: Albpetrol sha Patos: Në pikat e lëvrimit Stacioni Usoje, Stacioni Visoke, Stacioni Gorisht, Stacioni Zharrëz, Stacioni Kuçovë, Stacioni Amonicë.

Sot Albpetrol ushtron aktivitetin e vet si kompani prodhimi në 11 vendburime nafte dhe 6 gazi natyror. Në shumë prej tyre sot, Albpetrol është partner me kompani private koncesionare për zhvillimin e këtyre aseteve.

Në aspektin e përfitimeve për prodhimin e puseve, Albpetrol përfiton pjesën për puset që merret në dorezim nga koncesionari, 70% të prodhimit mesatar të 6 muajve të fundit para marrjes të tyre në dorëzim, me rënie 10 -15 % në vit.

Kompania Albpetrol administron vetë aktualisht  1.260 puse aktivë që prodhojnë naftë me një prodhim ditor rreth 280 ton.

Albpetroli  zhvillon aktivitetin e nxjerrjes së naftës në vendburimet Ballsh-Hekal, Kuçovë, pjesën Jugore të vendburimit Patos –Marinëz, Karbunarë , Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë. Teknologjia kryesore e nxjerrjes së naftës bazohet kryesisht në aplikimin e teknologjisë me pompa thellësie me piston me pajisje sipërfaqësore lëkundës.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of