Një kompanie europiane i është dhënë një koncesion 50-vjeçar për ndërtimin dhe përdorimin e një terminali të ri kontejnerësh, në portin në Adriatik, Rijeka, në Kroaci.
Kontrata e koncesionit për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme dhe për të pajisur terminalin e kontejnerëve në Zagreb (porti më i madh detar në Kroaci), u nënshkrua të premten, sipas një deklarate nga qyteti i Rijekës, shkruan Ella Kietlinska*.
Koncesioni, me vlerë rreth 2.6 miliardë euro (3 miliardë dollarë) dhe një tarifë vjetore rreth 2 milionë euro (2.3 milionë dollarë), është dhënë për një periudhë 50-vjeçare për kompaninë europiane APM Terminals, e cila drejton më shumë se 70 porte në mbarë botën.
APM Terminals është pjesë e Maersk, një kompani logjistike e kontejnerëve, me seli në Danimarkë, që operon në 130 shtete.
Sipas marrëveshjes, APM Terminals do të zotërojë 51% të terminalit të Rijekës, ndërsa 49% do të mbahet nga Energia Naturalis Group (ENNA), mbajtësi i koncesionit. ENNA është një kompani private kroate e investimeve, që operon në sektorin e energjisë, infrastrukturës dhe transportit.
Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, tha në ceremoninë e nënshkrimit se kontrata e koncesionit krijonte kushtet e nevojshme që Rijeka të merrte një rol udhëheqës në transportin e mallrave në Adriatikun Verior dhe që të bëhej dalja detare më e rëndësishme për Europën Qendrore dhe Juglindore, thuhet në deklaratë.
Shefi ekzekutiv i APM Terminals, Morten Engelstoft, tha në një deklaratë: “Ne jemi të sigurt se Rijeka Gateway do të bëhet një pikë e rëndësishme në hartën logjistike të portit, duke i shërbyer jo vetëm Kroacisë, por edhe rajonit më të gjerë të Europës Qendrore”.
Pronari dhe presidenti i bordit të kompanisë ENNA, tha se projekti për ndërtimin e terminalit të ri të kontejnerëve në Rijeka dhe modernizimi i infrastrukturës hekurudhore, është projekti më i madh kombëtar i Kroacisë që do të lehtësojë “mundësitë e biznesit dhe rritjen e shpejtë ekonomike, jo vetëm në logjistikë, por në të gjitha shërbimet dhe industritë”, thuhet në deklaratë.
Në vitin 2020, një konsorcium prej tre kompanish kineze, propozoi një ofertë për të ndërtuar terminalin e ri të kontejnerëve në Rijekë brenda 5 viteve, me një tarifë koncesioni vjetor prej 2 milionë eurosh (2.3 milionë dollarë) në përgjigje të një tenderi të nisur nga Autoriteti Portual i Rijekës. Ofruesi i dytë – APM Terminals në bashkëpunim me ENNA – propozoi që të përfundonte terminalin brenda 10 vjetësh dhe të paguante një tarifë koncesioni prej 1 milion eurosh (1.1 milion dollarë), tha i njëjti burim.
Megjithatë, Autoriteti Portual i Rijekës, e anuloi tenderin në janar, pa dhënë asnjë arsye dhe nisi një të ri, raportoi Total Croatia News.
Për tenderin e dytë është pranuar vetëm një ofertë, ajo e bërë nga konsorciumi midis APM Terminals dhe ENNA. Terminali i ri i kontejnerëve duhet të vihet në funksion brenda 3.5 viteve, kur të përfundojë faza e parë e projektit. Pas përfundimit të fazës së dytë, terminali do të ketë një kapacitet të parashikuar prej më shumë se 1 milion TEU (njësi ekuivalente me njëzet këmbë), thuhet në një deklaratë nga kompania APM Terminals.
Një TEU është një njësi matëse e standardizuar që përdoret për të përcaktuar kapacitetin e ngarkesave për anijet me kontejnerë. Instituti China-CEE, me qendër në Hungari dhe i krijuar nga Akademia Kineze e Shkencave Sociale (CASS), deklaroi në korrik rëndësinë e Adriatikut për tregtinë.
“Deti Adriatik ka qenë… një hyrje e rëndësishme për kontinentin europian, pasi është më afër rajonit të Europës Qendrore, se çdo pjesë tjetër detare në kontinent”, tha gazeta.
Vladimir Shopov, këshilltar politik në Këshillin Europian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), shkroi në një deklaratë se oferta e konsorciumit kinez për të ndërtuar terminalin në Rijeka ishte në përputhje me përpjekjet e vazhdueshme të Pekinit për të forcuar pozicionin e tij përgjatë bregut të Adriatikut, përmes projekteve të ndryshme të infrastrukturës, duke përfshirë portet, hekurudhat dhe rrugët.
Ai vuri në dukje rreziqet e kësaj përpjekjeje. “Nëse qeveritë në Ballkanin Perëndimor nuk janë në gjendje të paguajnë kreditë kineze për projekte të tilla, ato mund të detyrohen kontraktualisht të transferojnë pronësinë e porteve të ndryshme dhe aseteve tokësore drejt Pekinit. Kjo do t’i siguronte Kinës ndikim real në rajon”, shkroi ai.
“Megjithëse, shumica e shteteve të Ballkanit Perëndimor kanë borxhe të menaxhueshme, Kina po përbën një pjesë në rritje të këtyre detyrimeve – afërsisht 15% në Serbi dhe Bosnjë, më shumë se 20% në Maqedoninë e Veriut dhe më shumë se 40% në Mal të Zi”, shtoi Shopov.
*Ella Kietlinska është një reportere me bazë në Nju Jork, për The Epoch Times.