Kompanitë administruese të fondeve të investimit dhe pensioneve rritën fitimet për 6-mujorin 2020

24/09/2020 1:00 PM 0 komente

Kompanitë administruese të fondeve të pensioneve kanë zgjeruar fitimet në gjysmën e parë të këtij viti.

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se rezultati agregat i pesë kompanive që administrojnë fondet e këtij lloji arriti në 122.3 milionë lekë për 6-mujorin e parë të këtij viti. Krahasuar me vitin e kaluar, fitimi neto i kompanive është rritur me rreth 52%.

Megjithëse të ardhurat nga burimi kryesor, administrimi i fondeve ka pësuar një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë, kompanitë administruese kanë ulur ndjeshëm shpenzimet e tyre të veprimtarisë, çka ka sjellë një përmirësim të ndjeshëm të rezultatit financiar.

Kompania më e madhe, Raiffeisen Invest, për gjashtë muaj realizoi një fitim neto në vlerën e 109 milionë lekëve, në rritje me 51% krahasuar me një vit më parë. Raiffeisen Invest administron fondet Raiffeisen Prestigj, Raiffeisen Vizion dhe Raiffeisen Invest Euro dhe Raiffeisen Pensions, që së bashku përbëjnë gati 93% të aseteve neto të tregjeve, me një vlerë totale prej rreth 63 miliardë lekësh. Kjo i siguron Raiffeisen Invest një bazë shumë më të gjerë të ardhurash krahasuar me kompanitë konkurrente.

Fondi Credins Invest raportoi për 6-mujorin 2020 një fitim neto në vlerën e 10.2 milionë lekëve, dy herë e gjysmë më shumë krahasuar me 6-mujorin 2019. Credins Invest administron fondin e investimeve Credins premium dhe fondin e pensioneve Credins Pension, për një total asetesh prej rreth katër miliardë lekësh.

Edhe kompania administruese e mbylli 6-mujorin 2020 me fitim në rritje, në vlerën e 11.7 milionë lekëve, në rritje me 38% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo administron fondin më të madhe të pensioneve Sigal pensions, me vlerë asetesh 1.13 miliardë lekësh.

Ndërkohë, dy  shoqëritë më të vogla, Albsig Invest dhe WVP Fund Management Tirana e mbyllën vitin me humbje të vogla, përkatësisht 7.8 milionë lekë dhe 766 mijë lekë. Albsig Invest ndodhet në fazën e parë të aktivitetit dhe rezultati me humbje lidhet kryesisht me ciklin fillestar të biznesit.

Ndërkohë, WVP Fund Management i ka ulur disi humbjet krahasuar me vitin e kaluar, por përmasat e vogla të fondit që menaxhon dhe luhatshmëria e tregut të aksioneve ku fondi investon e bëjnë të vështirë arritjen e fitimeve.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of