Shtatë kompani, duke përfshirë Amazon, Apple, Google, Meta (e cila zotëron Facebook) dhe Microsoft, thonë se plotësojnë kriteret e reja të BE-së si “gatekeeper”*, që do të thotë se duhet t’u nënshtrohen rregullave më të ashpra, deklaroi të martën drejtuesi i industrisë së BE-së, Thierry Breton.
Edhe Samsung dhe ByteDance, kompania mëmë e TikTok, gjithashtu deklaruan se papritur i përmbushin kriteret, megjithëse TikTok kundërshtoi përfshirjen në listë.
Booking.com deklaroi se pret që të rihyjë në kategorinë e “gatekeeper” vitin e ardhshëm.
Sipas Aktit të Tregjeve Dixhitale të Bashkimit Europian (Digital Markets Act, DMA), i cili hyri në fuqi nëntorin e kaluar, kompanitë me më shumë se 45 milionë përdorues aktivë mujorë dhe një kapitalizim tregu prej 75 miliardë eurosh, konsiderohen si “Gatekeeper” të ofrimit të shërbimit bazë të platformës.
Kompanitë e etiketuara si të tilla do t’u kërkohet që t’i bëjnë aplikacionet e mesazheve të ndërveprojnë me aplikacionet rivale dhe t’i lejojnë përdoruesit të vendosin, se cilat aplikacione të instalojnë paraprakisht në pajisjet e tyre.
Ato nuk do të lejohen të favorizojnë shërbimet e tyre ndaj rivalëve, ose të pengojnë përdoruesit të heqin softuerin ose aplikacionet e para-instaluara – dy rregulla, që do të godasin rëndë Google dhe Apple.
“Europa po riorganizon tërësisht hapësirën dixhitale, për të mbrojtur më mirë qytetarët e BE-së dhe për të përmirësuar inovacionin për startup-et dhe kompanitë e BE-së”, tha Breton në një deklaratë.
Kompanitë mund të gjobiten deri në 10% të xhiros globale vjetore, për shkelje të DMA.
Komisioni Europian nuk dha detaje për shërbimet kryesore online të kompanive, që u nënshtrohen rregullave të DMA.
DMA do të konfirmojë gjithashtu kategorizimin e kompanive deri më 6 shtator, pasi të kontrollojë të dhënat e ofruara nga kompanitë, të cilat më pas do të kenë gjashtë muaj kohë për të respektuar rregullat e DMA.
Sipas TikTok, ndonëse plotëson kriteret sasiore të DMA-së, ai nuk i plotëson kërkesat e përgjithshme të përcaktuara nga norma, i cili kërkon, që një kompani gatekeeper të ketë një “platformë të pashmangshme” për të kryer biznes online në BE” dhe të jetë një portë “e konsoliduar” midis konsumatorëve dhe bizneseve.
Booking.com tha se pritet të arrijë pragun e klasifikimit si gatekeeper, deri në fund të vitit dhe më pas do të njoftojë BE-në. Platforma nuk e arriti pragun sasior për shkak të pandemisë. / Reuters
*GAFAM është një akronim i pesë kompanive të njohura të teknologjisë në SHBA: Google (Alphabet), Apple, Facebook (Meta), Amazon dhe Microsoft
** Sipas DMA,”gatekeeper” quhen platformat dixhitale, që ofrojnë një portë të rëndësishme komunikimi midis bizneseve dhe konsumatorëve. Pozicioni i fortë i këtyre kompanive, mund t’u japë atyre fuqinë për të vendosur rregullat vetë, duke krijuar kështu një pengesë në ekonominë dixhitale.