Dëmet pezull që presin të paguhen nga kompanitë e sigurimeve kanë arritur vlerën e rreth 7 miliardë lekëve, ose 56 milionë eurove.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në fund të korrikut, shuma e dëmeve pezull në sigurimet e jo-jetës ishte në nivele ndjeshëm më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me pothuajse 36% më shumë. Dëmet pezull përfshijnë ato në proces vlerësimi, dëmet e miratuara, por të papaguara, si dhe dëmet që janë objekt i çështjeve gjyqësore.
Dëmet pezull për kompanitë e sigurimit shënuan rritje të fortë pas tërmetit të nëntorit 2019. Ato arritën pikun në janar, me vlerë në 8.23 miliardë lekë ose rreth 66 milionë eurove. Shuma e dëmeve pezull shënoi një rënie graduale në muajt në vijim, por me ritme të ngadalta. Nga janari deri në korrik, kompanitë e sigurimeve e kanë ulur vlerën e dëmeve pezull me vetëm 10 milionë euro.
Mbyllja e ekonomisë në periudhën mars-maj solli ulje të ndjeshme të qarkullimit të mjeteve, duke ndikuar edhe në më pak dëme të reja në klasat e sigurimeve motorrike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta. Numri i aksidenteve rrugore për 7-mujorin 2019 pësoi rënie me 26%, numri i personave që humbën jetën ra me 23%, ndërsa numri i të plagosurve me 31%. Por, kompanitë e sigurimeve nuk e kanë shfrytëzuar shumë këtë moment për një ulje drastike në stokun e dëmeve pezull.
Sidoqoftë, dëmet totale të paguara nga kompanitë e sigurimit të jo-jetës në 7-mujorin 2020 janë rritur me 53% krahasuar me një vit më parë dhe kanë arritur shumën e 4.27 miliardë lekëve. Ndikimin kryesor e kanë dhënë pikërisht tërmetet e vitit të kaluar. Dëmet e paguara në klasat e fatkeqësive natyrore arritën në 2.3 miliardë lekë ose rreth 54% e gjithë dëmeve të paguara për periudhën në fjalë.
Kjo është ndër periudhat e rralla që kompanitë e sigurimeve kanë paguar më shumë dëme në sigurimin e pronave, sesa për sigurimin e përgjegjësive ndaj palëve të treta në aksidentet automobilistike.
Në raportimin para Kuvendit të Shqipërisë, në muajin korrik, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i AMF-së, Ervin Mete, tha se kompanitë e sigurimeve deri në atë kohë kishin paguar rreth 82% të kërkesave për dëme nga tërmetet e vitit 2019. Nga 6200 dëme të raportuara për tregun e sigurimeve në Shqipëri, AMF raportonte të paguara 5150 prej tyre.
Shuma totale e kërkesave për dëmshpërblim nga tërmetet preku vlerën e rreth 4.1 miliardë lekëve ose 33 milionë eurove. Megjithatë, dëmet nga katastrofat zakonisht kompanitë i risigurojnë dhe AMF vlerëson që rreth 90% e shumës totale të dëmeve të tërmeteve do të rimbursohet nga risiguruesit, pa shkaktuar ndonjë goditje serioze për kompanitë shqiptare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.