Borxhi i mbartur prej 1.3 miliardë lekësh nga kompanitë e sigurimeve në formën e dëmeve të papaguara do të shlyhet në tre këse thuajse të barabarta gjatë tre viteve në vijim. Sipas burimeve zyrtare nga AMF, pagesat për dëmet pezull deri më 31.12.2013, do të shlyhen brenda vitit 2016, përkatësisht 430 milionë lekë në vitin 2014, 450 milionë lekë në vitin 2015, si dhe pjesa që mbetet në vitin 2016.
Pagesat për dëmet pezull do të kryhen sipas vitit të ndodhjes, duke ndjekur parimin që më parë të kryhet pagesa për ngjarjen më të hershme të dëmit të ndodhur, dhe do të përballohen sipas peshës në treg të shoqërive për periudhat e pagesave, bazuar në konceptin e nenit 45 të ligjit për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit.
Kështu, fondi për përballimin e pagesave për vitin 2014 u përcaktua sipas detyrimeve të krijuara në periudhën e viteve 2001-2009, njoftojnë të njëjtat burime . Në rezolutën e miratuar nga Kuvendi për veprimtarinë e AMF-së për vitin 2013, u vu detyrë “zgjidhja përfundimtare e problematikës së detyrimeve për pagesat e dëmeve të papaguara, që nga viti 2002 e deri në fund të dhjetorit të vitit 2013, brenda afatit kohor të përcaktuar”.
Përveç numrit të lartë të mjeteve të pasiguruara në qarkullim, që në fund të vitit 2013 vlerësohej rreth 27% të mjeteve të regjistruara kanë ndikuar edhe vonesat në kryerjen e pagesave, si dhe administrimi jo efektiv nga Byroja Shqiptare e Sigurimeve.
Për këtë arsye, vendimet e AMF-së të vitit 2013 në lidhje me Fondin e Kompensimeve, përcaktuan një nivel më të lartë, si dhe njohjen përkatëse të detyrimeve për dëmet e mbetura pezull.
Në vijim të këtyre vendimeve, sipas AMF-së, në vitin 2014 janë ndërmarrë masa stabilizuese për tregun e produktit MTPL.
Sipas AMF, për një proces transparent, për dëmet në lidhje me ngjarjet e sigurimit të ndodhura gjatë vitit 2014 e në vijim, është krijuar një tjetër fond, veçmas fondit për dëmet e prapambetura, në masën 20 milionë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.