Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka bërë disa ndryshime në “Për procedurat dhe mënyrën e depozitimit të informacionit dhe dokumentacionit në lidhje me burimin e kapitalit për aksionarët e shoqërisë së sigurimit” e përqendruar në të paktën tre pika. Së pari tek dokumentacioni që duhet të paraqesë aksionari themelues dhe ai juridik, së dyti tek kriteret për të qenë aksionar influencues dhe së treti për rastet kur dyshohet për pastrim parash apo kur burimi i kapitalit dyshohet se vjen nga llogari në parajsa fiskale.
Konkretisht pas nenit 7 të rregullores, shtohet neni 7/1 ku sanksionohet bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.
“Në rast se Autoriteti konstaton, apo ka dyshime të arsyeshme se aksionari themelues, aksionari influencues dhe/apo burimi i parave të tij lidhet me persona të dënuar për kryerjen e veprave penale, që kanë lidhje familjare apo marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi me aksionarët e propozuar, njofton Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe pezullon procedurën e licencimit apo miratimit deri në një përgjigje nga kjo e fundit.
Në rast se Autoriteti konstaton, apo ka dyshime të arsyeshme se struktura e kapitalit të shoqërisë së sigurimit apo burimi i tij lidhet me kompani të regjistruara në parajsa fiskale, njofton dhe kërkon informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe pezullon procedurën e licencimit apo miratimit deri në një përgjigje nga kjo e fundit” thuhet në nenin e ri të rregullores.
Nga ana tjetër lidhur me dokumentacionin për aksionarët nënvizohet se ata duhet të vërtetojnë se nuk janë në ndjekje penale, nuk kanë qenë të dënuar penalisht, ekzekutimi të detyrueshëm për detyrime pasurore të pashlyera.
Lidhur me aksionarin juridik ka një seri kërkesash të tjera mbi dokumentacionin të lidhura me pasqyrat financiare, me mos të qenit në mes të një procesi falimenti apo likuidimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.