Kompanitë e sigurimit në Kosovë vitin 2021 nuk e kanë nisur mirë. Madje tre muajt e parë i kanë mbyllur edhe me humbje. Sipas BQK-së humbjet neto kapin vlerën prej 578.1 mijë euro. Në bazë të raporteve të BQK-së, katër kompani të sigurimit operojnë jashtë parametrave ligjor për kapital dhe solvencë.
Gjatë tremujorit të parë 2021, sektori i sigurimeve në Kosovë performoi me humbje neto në vlerë prej 578.1 mijë euro, thuhet në raportin për vlerësimin tremujor të ekonomisë, i hartuar nga Banka Qendrore e Kosovës.
Nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, sektori pati një fitim neto në vlerë prej 1.7 milionë euro.
Sipas raportit, rezultatet negative financiare gjatë këtij tremujori reflektojnë kryesisht nivelin më të lart të dëmeve të ndodhura krahasuar me nivelin e arkëtimeve prej primeve të shkruara.
Vlera e primeve të shkruara bruto në sektorin e sigurimeve në TM1 2021 arriti në 25.1 milionë euro, një rritje vjetore prej 12.6 për qind (2.1 për qind rritje vjetore gjatë TM1 2020) (grafik 25).
Primet e kategorisë ‘jo-jetë’ përbëjnë 95.9 për qind të gjithsej primeve të shkruara, ndërsa ato të kategorisë ‘jetë’ 4.1 për qind.
Ndërsa, vlera e dëmeve të paguara nga sektori i sigurimeve (përfshirë edhe Byronë Kosovare të Sigurimit) shënoi rritje gjatë TM1 2021 kundrejt periudhës së njëjtë të vitit të kaluar. Në TM1 2021, dëmeve të paguara arritën vlerën prej 15.6 milionë euro (13.9 milionë euro në TM1 2020).
Pasi që primet dhe dëmet gjatë kësaj periudhe u rritën njëtrajtshëm, raporti dëme/prime në TM1 2021 mbeti pothuajse i pandryshuar me periudhën paraprake, në 62.0 për qind.
Në bazë të raporteve të BQK-së, katër kompani të sigurimit në Kosovë operojnë jashtë parametrave ligjor për kapital dhe solvencë.
Edhe në raportin vjetor për vitin 2020, BQK-ja i ka raportuar këto raste, por pa i përmendur emrat e kompanive.
“Për shkak të mos përmbushjes së planit të rimëkëmbjes financiare dhe gjendjes së rëndë financiare, Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka vendosur siguruesin Kosova e Re nën administrim të përkohshëm nga 1 nëntor 2020 deri më 30 prill 2021”.
Në raport thuhet se si rezultat i mbikëqyrjes së afërt të sigurimeve dhe masave administrative të BQK-së, siguruesit edhe gjatë vitit 2020 kanë vazhduar me shtim të kapitalit.
“Në këtë vit janë shtuar 7.2 milionë euro, përderisa gjatë vitit 2019 ishin shtuar 6.9 milionë euro. Kjo ka ndikuar në uljen e numrit të siguruesve të cilët kanë qenë jashtë parametrave ligjor të kërkuar për kapital, solvencë dhe asete në mbulim të provizioneve teknike”.
Gjithashtu, viti 2020 është përmbyllur me një rritje të provizioneve teknike prej 9.0 milionë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Për shkak të problemeve të ngjashme, BQK e kishte dërguar në likuidim kompaninë e sigurimit “Insig”, e cila nuk arriti të këndellet as pas fazës së administrimit. Kompania la borxhe rreth 8 milionë euro, ku u dëmtuan financiarisht mijëra qytetarë që kishin polica të sigurimit në këtë kompani.
Shqetësime për situatën në këtë sektor kishte ngritur edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në raportin “Rishikimi i stabilitetit të sektorit financiar”.
Me rregullore të BQK-së, shpenzimet e kompanive kufizohen në nivelin 35 për qind të primeve, por në vitin 2018, FMN-ja gjeti se shpenzimet në disa kompani e tajkaluan këtë prag, duke shkuar në rreth 50 për qind të primeve.
“Normat e larta të shpenzimeve mbizotërojnë me gjithë faktin se BQK-ja si duket ka nxjerrë një rregullore që kufizon shpenzimet në 35 përqind të primeve, normë kjo e cila respektohet vetëm nga kompanitë udhëheqëse në treg”, thuhej në raport.
Në tregun e Kosovës aktualisht operojnë 13 kompani të sigurimeve, prej të cilave 7 janë me kapital të huaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.