Kompanitë e sigurimit të jetës rrisin fitimet me 23%

25/12/2020 11:00 AM 0 komente

Kompanitë e sigurimit të jetës i kanë zgjeruar fitimet ndaj këtij viti.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), kompanitë e sigurimit të jetës realizuan një fitim neto në vlerën e rreth 160 milionë lekëve ose rreth 1.3 milionë eurove. Krahasuar me një vit më parë, fitimi i këtyre kompanive është rritur me 23%.

Rritja e fitimi të kompanive të sigurimit të jetës ka ardhur kryesisht si rezultat i uljes së shpenzimeve neto për dëmet e paguara, në 204 milionë lekë, 11% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Gjithashtu, siguruesit e jetës në vitin e pandemisë kanë ulur edhe shpenzimet operatitve të veprimtarisë me 5% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Këta faktorë kanë bërë që, megjithë uljen e të ardhurave nga primet, siguruesit e jetës të përmirësojnë rezultatin financiar deri tani gjatë vitit 2020.

Për 10 muajt e parë të vitit 2020, kompanitë e sigurimit të jetës kanë pësuar rënie të primeve të shkruara bruto në vlerën e 921 milionë lekëve, 6.7% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Pesha specifike e sigurimit të jetës kundrejt volumit total të tregut të sigurimeve nuk ka ndryshuar shumë, me 6.8% të totalit, nga 6.9% që ishte një vit më parë. Sipas numrit të kontratave, rënia e tregut të sigurimit të jetës paraqitet edhe më e thellë, me 21% më pak krahasuar me 10-mujorin e vitit të kaluar.

Kompanitë e sigurimit të jetës në Shqipëri kanë aktive totale në vlerën e 4.3 miliardë lekëve ose rreth 35 milionë eurove.

Shifrat tregojnë se tregu i sigurimit të jetës në Shqipëri ngelet shumë i vogël dhe kryesisht në funksion të produktit faktikisht të detyrueshëm të sigurimit të jetës së debitorëve. 67% e totalit të primeve vijnë nga ky produkt, që në fakt është kërkesë e detyrueshme e bankave dhe institucioneve të tjera financiare për kreditë afatgjata të individëve. Primet e shkruara bruto nga ky produkt kanë rënë me 4% krahasuar me një vit më parë.

Në tregu e sigurimit të jetës janë të licencuara katër kompani. Tregu dominohet nga Sigal Life, me 56% të primeve, e ndjekur nga SiCRED me 18.5%, Insig Jetë me 17.5% dhe Albsig Jetë me 8%./E.Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of