Kompanitë koncesionare, në pamundësi financiare

28/05/2019 2:22 PM 0 komente

“Monitor” ka analizuar më herët bilancet financiare të vitit 2017, të kompanive që janë angazhuar me kontrata Partneriteti Publik-Privat A.N.K., Gjikuria, Gener 2, Gjoka Konstruksion, si dhe Albstar. Sipas deklarimeve zyrtare në bilanc, kompanitë kanë të ardhura, likuiditete dhe kapital modest në raport me projektet që pretendojnë të financojnë, ndërkohë që kanë nivel më të lartë detyrimesh në raport me mjetet e veta (me përjashtim të Alb-Star), çka e bën të vështirë marrjen e kredive në banka.

Dy kompanitë më të mëdha janë Alb-Star dhe Gener 2, me të ardhura rreth 68 milionë euro secila. Këto janë dhe kompanitë më të mëdha të ndërtimit në Shqipëri, sipas të ardhurave. Alb-Star ka një kapital total prej 50 milionë eurosh dhe Gener 2, rreth 28 milionë euro.
Asetet afatshkurtra, që tregojnë likuiditetin e kompanisë (si cash-i në bankë dhe llogaritë e arkëtueshme) janë 60 milionë euro për Alb-Star dhe 38 milionë euro për Gener 2.

Pas tyre renditet Gjoka Konstruksion me 36 milionë euro të ardhura dhe asete afatshkurtra 43 milionë euro. Kompani më të vogla janë Gjikuria dhe A.N.K, me të ardhura përkatësisht 19.5 dhe 16.5 milionë euro dhe asete afatshkurtra që nuk i kanë 14 milionë euro secila. Me përjashtim të Gjoka Konstruksion, që ka një normë fitimi prej 16%, kompanitë e tjera e kanë këtë tregues minimal, në 1-4%. Kompanitë kanë të ardhura, likuiditete dhe kapital modest në raport me projektet që pretendojnë të financojnë, ndërkohë që kanë nivel më të lartë detyrimesh në raport me mjetet e veta, çka e bën të vështirë marrjen e kredive në banka.

 

Kompanitë, më shumë borxhe sesa mjete të vetat

Sipërmarrjet e ndërtimit të rrugëve nuk i kanë “shpëtuar” tendencës së përgjithshme të ekonomisë shqiptare, ku kompanitë kanë një nivel të lartë të detyrimeve (borxheve), në raport me mjetet e veta, kryesisht të marra nga palë të treta jo banka, p.sh. ortakët.Raporti optimal i borxhit ndaj kapitalit konsiderohet të jetë maksimumi 1, pra detyrimet të jenë të barabarta me kapitalin. Ai përdoret për të matur qëndrueshmërinë, shëndetin e kompanisë dhe aftësinë e saj për të paguar detyrimet.

Në rast se ky raport po rritet, kompania po financohet nga kreditorët sesa nga mjetet e veta, që mund të jetë një tendencë e rrezikshme. Huadhënësit dhe investitorët zakonisht preferojnë raporte të ulëta të borxhit ndaj kapitalit. Bankierët pohojnë se në Shqipëri ata preferojnë që ky raport, i cili tregon se sa kompania financohet me borxhe dhe sa me mjetet e veta, të jetë më i ulët se 1, për shkak se do të jenë më të mbrojtura, në rast se biznesi ka probleme.

Nga kompanitë në fjalë, vetëm Alb-Star ka një raport të detyrimeve/kapitalit prej 0.8, pra më të ulët sesa 1 (ka më pak borxhe sesa mjete të veta) dhe Gjoka e ka këtë raport në 1.13. Treguesin më të përkeqësuar e ka Gjikuria, pra 4.96 (detyrimet janë pesë herë më të mëdha se kapitali), A.N.K e ka 3.96 dhe pak më të ulët e ka Gener 2, në 2.13.

 

Bankat, skeptike për kredi sindikatë

Teksa kompanitë më të mëdha të ndërtimit në vend nuk rezultojnë të kenë kapitalet e mjaftueshme për të ndërtuar projekte që i tejkalojnë disa herë të ardhurat e tyre vjetore dhe kapitalin e disponueshëm, shpresa kryesore e financimit të PPP-ve është nëpërmjet kredive bankare. Bëhet fjalë për hua në shuma të mëdha, të cilën, një bankë e vetme është e pamundur ta financojë një koncesion. Bankat, në bazë të ligjit, nuk mund të japin kredi për një klient të vetëm më shumë se 20% të kapitalit të tyre rregullator (10% kur bëhet fjalë për një kompani që ka lidhje me grupin bankar).

Banka më e madhe në vend ka një kapital prej rreth 300 milionë eurosh, pra nuk mund të japë hua më shumë se 60 milionë euro për një klient të vetëm. Ndonëse bankat vitet e fundit e kanë rritur kapitalin, si kërkesë rregullatore e Bankës së Shqipërisë apo se një pjesë e fitimeve nuk janë shpërndarë si dividend, por kanë kaluar si shtesë kapitali, bankat nuk kanë qenë të prira të rrisin shumën e financimit për një klient të vetëm.
Zgjidhja e vetme për kredi në shuma të mëdha, pohojnë bankierët, është nëpërmjet huave sindikatë.

Por, këto hua janë pak të preferuara nga bankat në Shqipëri. “Projektet sindikatë janë me risk të lartë dhe nuk kanë rezultuar shumë të suksesshme”, thotë drejtuesi i departamentit të kredisë së një banke, që ka qenë e përfshirë në një hua të tillë. Bankat shpesh kanë hasur vështirësi në gjetjen e gjuhës së përbashkët, për vendime si p.sh. ristrukturimi i huasë. Për më tepër që pjesa më e madhe e bankave janë përfshirë në një proces shitblerjesh, duke e lënë mënjanë huadhënien.

Në fund të vitit 2017, kapitali rregullator i sistemit bankar, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë ishte rreth 1.1 miliardë euro. Sikur të gjitha bankat të mblidheshin bashkë (që nuk ka gjasa të ndodhë), shuma maksimale që mund të jepej për një klient të vetëm është 220 milionë euro.
Një tjetër problem është ekspozimi i kredimarrësit. Nëse kompania ka hua në të paktën një prej bankave të projektit sindikatë, kjo mund të çojë në mosmiratimin e kredisë së përbashkët.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of