Disa nga kompanitë më të mëdha në botë po përballen me zhvlerësime disa miliarda dollarëshe në blerjet e fundit, pasi vala e transaksioneve po i hap rrugën një epoke të re të pasigurisë ekonomike dhe normave më të larta të interesit.
Me një të tretën e ekonomisë globale që parashikohet të jetë në recesion këtë vit, liderët botërorë do të takohen këtë javë në Davos të Zvicrës për të diskutuar atë që Forumi Ekonomik Botëror e ka quajtur një “polikrizë”.
Mediat amerikane dhe kompanitë e kujdesit shëndetësor janë ndër ato që kanë ulur ndjeshëm vlerën e njësive të bizneseve të tyre në muajt e fundit dhe kontabilistët po paralajmërojnë që reduktime të tjera mund të jenë të pashmangshme me fillimin e sezonit të raportimit vjetor.
Kompanive u kërkohet që të vlerësojnë vlerën kontabël të aktiveve jo-materiale të paktën një herë në vit, duke përdorur supozime për flukset e ardhshme të parasë dhe krahasime me vlerësimet e tregut të aksioneve, të cilat patën një rënie të ndjeshme në vitin 2022.
Me kostot e shtuara për shkak të inflacionit dhe perspektivës së dobët për kërkesën, shumë biznese të blera së fundmi mund ta kenë të vështirë të justifikojnë vlerësimet e tyre, edhe përpara se të llogarisin normat më të larta të interesit, të cilat reduktojnë më tej vlerën aktuale të flukseve të ardhshme të parasë.
“Është një kombinim mjaft i rrezikshëm faktorësh,” tha Jasmeet Singh Marwah, drejtor në Stout, një kompani që ofron shërbime për vlerësimin e kompanive. “Shumë biznese kanë bërë blerje të ndryshme dhe performanca nuk ka qenë në të njëjtin nivel me çfarë ato prisnin.”
Transaksionet globale arritën një rekord prej 5.7 trilion dollarësh në vitin 2021, por pësuan një rënie të ndjeshme gjatë vitit 2022. Sipas Refinitiv, në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, vlera e transaksioneve të kryera ishte 1.4 trilion dollarë, krahasuar me 2.2 trilion dollarë në gjashtëmujorin e parë, duke shënuar kështu rënien më të madhe nga njëra periudhë gjashtëmujore te tjetra që nga vitet 1980.
Primi i paguar për një blerje më të lartë se vlera e aktiveve neto njihet me termin “goodwill” dhe regjistrohet në bilancin e blerësit. Rëniet e vlerës së këtyre primeve ishin shumë të konsiderueshme në SHBA vitin e kaluar, deri në atë pikë sa herë pas here zeronin fitimet e një kompanie në tremujorin kur regjistroheshin.
Dhjetë reduktimet më të mëdha të goodwill-it të kompanive të S&P 500 në vitin 2022 arritën vlerën 35.4 miliardë dollarë, sipas të dhënave të mbledhura nga agjencia e konsulencës Kroll, krahasuar me 6.1 miliardë dollarë në vitin 2021.