Kompanitë me fitime më të larta në Kosovë

29/01/2021 10:00 PM 0 komente

Cilat janë 10 bizneset me fitimet më të mëdha në Kosovë për vitin 2019. Kryesojnë bankat. Ndjek energjia, tregtia e karburanteve ka marzhet më të ulëta

 

Nga Ersuin Shehu

Bankat janë, me diferencë të thellë, biznesi më fitimprurës mes sektorëve kryesorë të ekonomisë në Kosovë. Sipas të dhënave nga pasqyrat financiare të kompanive, të përpunuara nga “Monitor”, sektori bankar për vitin 2019 kishte një normë fitimi para tatimit në nivelin 38.7%. Kthimi nga kapitali aksioner shënoi nivelin 18.9%, ndërsa fitimi neto i sektorit arriti vlerën e 86.2 milionë eurove, në rënie të lehtë me 2% krahasuar me një vit më parë.

Arsyeja kryesore pse bankat në Kosovë janë kaq fitimprurëse është gjendja mjaft e shëndetshme e bilanceve. Bankat në Kosovë, në fund të vitit të kaluar, kishin një raport të kredive me probleme në nivelin 1.9%, më i ulëti në rajon. Edhe në momentet më të vështirë të krizës për sektorin financiar, ku në shumicën e vendeve raporti i kredive me probleme preku nivele të larta dyshifrore, për Kosovën ky tregues nuk arriti asnjëherë nivele alarmante. Raporti më i lartë i kredive me probleme u shënua në vitin 2013, me 8.5%. Më pas, ky tregues pësoi rënie të vazhdueshme, deri në nivelin 1.9% në fund të vitit të kaluar.

Përmirësimi i cilësisë së portofolit të kredisë gjatë viteve të fundit ka mbështetur performancën e bankave, jo vetëm nëpërmjet uljes së shpenzimeve për fondin rezervë të kredive me probleme, por në shumë raste edhe falë rimarrjeve nga llogaria e provigjioneve.

Gjatë vitit 2019 u regjistrua edhe një rritje e lehtë në marzhet e ndërmjetësimit të sektorit bankar. Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës, dallimi në mes të normës mesatare të interesit në kredi dhe asaj në depozita u zgjerua në 4.8% në krahasim me 4.5% në të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Norma mesatare e interesit në kredi në dhjetor 2019 u rrit në 6.4%, kurse norma mesatare e interesit në depozita arriti në 1.6%.

 

Ndjek energjia, tregtia e karburanteve ka marzhet më të ulëta

Ndërmarrjet e prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike në shumicën e tyre ishin fitimprurëse për vitin 2019. Norma e fitimit para tatimit ishte mesatarisht në nivelin 19.5%, niveli i dytë më i lartë në ekonominë e Kosovës.

Tregu i energjisë elektrike sigurisht ka tipare të veçanta, sepse funksionon me tarifa të rregulluara periodikisht nga entet rregullatore. Në ndryshim nga Shqipëria, sektori energjetik në Kosovë është më pak i varur nga burimet hidrike, që sjellin luhatje të mëdha të prodhimit. Energjia elektrike në Kosovë prodhohet kryesisht përmes termocentraleve që funksionojnë me qymyr. Kompania më fitimprurëse ishte operatori i sistemit të transmetimit, me 35% marzh para tatimit, ndërsa kompanitë e prodhimit dhe shpërndarjes kishin marzhe fitimi në intervalin me 11% dhe 12%.

Linjat e mëdha të shitjes me pakicë për vitin e kaluar raportuan një marzh mesatar të fitimit para taksave pranë nivelit të 8.1%. Mbështetur në të dhënat e pjesshme të analizuara nga revista “Monitor” mes bizneseve me xhiron më të lartë, marzhet e fitimit janë më të larta në tregtinë me pakicë të veshjeve dhe vijnë në rënie në aktivitetet e tjera të shitjeve me pakicë, si tregtia e artikujve industrial, pajisjeve elektronike apo mallrave të konsumit.

Marzhi mesatar i fitimit për kompanitë e pakta të industrisë përpunuese mes 50 bizneseve më të mëdha për nga xhiroja vjetore është në nivelin e 6.7%. Sidoqoftë, kjo mesatare ndikohet shumë nga marzhi i lartë prej më shumë se 20% e kompanisë Coca-Cola, ndërsa ndërmarrjet e tjera prodhuese kanë marzhe fitimi poshtë nivelit të 5%.

Sektori i distribucionit dhe tregtisë me shumicë për vitin 2019 kishte një normë mesatare fitimi në nivelin e 4.25%. Gjatë vitit 2019, ky sektor u prek ndjeshëm prej vendosjes së taksës 100% mbi importet nga Serbia. Kosova ka një varësi të lartë nga importet për sa i takon mallrave të konsumit dhe sektori i distribucionit është ndër më të mëdhenjtë në ekonominë e Kosovës.

Ndër sektorët kryesorë, tregtia e karburanteve ka marzhet më të ulëta të fitimit, me 2.15% për kompanitë më të mëdha. Shumica e kompanive kanë si aktivitet primar si tregtinë me shumicë, ashtu edhe atë me pakicë të karburanteve, ndaj është e vështirë të analizohen marzhet në secilin nivel të tregtimit.

 

 

 

10 bizneset me fitimet më të mëdha në Kosovë për vitin 2019

 

ProCredit

Sipas të dhënave të mbledhura nga revista “Monitor”, kompania me fitimin më të lartë vitin e kaluar në Kosovë ishte ProCredit Bank. ProCredit raportoi një fitim para tatimit në vlerën e 24.2 milionë eurove, në rritje me 24.6% krahasuar me vitin 2018. Faktori me ndikimin kryesor në performancën financiare të ProCredit Bank në vitin 2019 ishte rritja e bazës së të ardhurave nga rikthimi i provigjioneve për kreditë me probleme. Ndërkohë, shpenzimet operative të bankës ishin në nivele të ngjashme me vitin 2018. Norma e fitimit në raport me xhiron totale të kompanisë ishte mjaft e lartë, në nivelin 43.7%.

 

Operator Sistemi, Transmisioni Dhe Tregu – KOSTT SH.A.

Kompania e dytë, me fitim më të lartë para taksave për vitin 2019 në Kosovë ishte Operator Sistemi, Transmisioni Dhe Tregu – KOSTT SH.A. Kompania publike e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike raportoi një fitim para taksave në vlerën e 23.8 milionë eurove, ndërsa vitin 2018 e pati mbyllur me humbje në vlerën e 845 mijë eurove.

Baza e përmirësimit të rezultatit financiar të KOSTT ishte rritja e ndjeshme e të ardhurave krahasuar me vitin 2018. Të ardhurat nga aktiviteti primar i kompanisë u rritën me 158%, ndërsa të ardhurat e tjera u rritën me 23%. Ky zë lidhet në pjesën më të madhe me të ardhurat nga burimet e rinovueshme të energjisë. KOSTT raportoi një normë fitimi para taksave në nivelin 35.5%.

 

KEK

Korporata Energjetike e Kosovës për vitin 2019 raportoi një fitim para taksave në vlerën e 22.3 milionë eurove, në rritje me 12.3% krahasuar me një vit më parë. Rritja e fitimeve u mbështet kryesisht prej rritjes së fitimit nga shitjet e energjisë elektrike dhe qymyrgurit. Megjithatë, paralelisht kompania raportoi rritje të shpenzimeve në shumicën e zërave, që nga shpenzimet operative, ato të personelit, shpenzimet e pagesës së rentës për qymyrin, etj.

Për shkak të kostove më të larta të veprimtarisë, KEK kishte një normë fitimi para tatimit ndjeshëm më të ulët se KOSTT, në nivelin 12%.

 

NLB Banka

NLB Banka ishte kompania e katërt për nga vlera absolute e fitimeve në vitin 2019. Sipas pasqyrave financiare të kompanisë, fitimi para taksave kishte vlerën e 22 milionë eurove, në rritje me 30.5% krahasuar me vitin paraardhës. Rritja e fitimeve të NLB Banka u mbështet nga rritja e ndjeshme si e të ardhurave nga interesat, ashtu edhe e atyre nga tarifat dhe komisionet. NLB kishte një normë fitimi para tatimit në nivelin 48.5%.

 

Raiffeisen Bank Kosovë

Kompania e pestë për nga fitimi vitin e kaluar ishte sërish një bankë, Raiffeisen Kosovë. Për vitin 2019, banka më e madhe në Kosovë raportoi fitim para taksave në vlerën e 20.5 milionë eurove, në rënie me 13% krahasuar me vitin 2018. Për vitin 2019, Raiffeisen nuk arriti të zgjeronte në mënyrë domethënëse bazën e të ardhurave, ndërsa shpenzimet shënuan rritje për shumicën e zërave. Megjithatë, sërish Raiffeisen Bank arriti një normë të lartë fitimi para tatimit, në nivelin 31.1%.

 

TEB

TEB është banka e katërt në renditjen e pesë kompanive me fitimet më të mëdha në Kosovë. Për vitin 2019, banka me kapital turk dhe francez, raportoi fitim para tatimit në vlerën e 17.8 milionë eurove, në rritje të lehtë me 4.1% krahasuar me vitin 2018.

TEB shënoi rritje të të ardhurave, kryesisht falë rimarrjes në vlerë të provigjioneve, megjithatë kjo u shoqërua edhe me rritje të shpenzimeve në shumicën e zërave, duke bërë që rritja e fitimeve krahasuar me një vit më parë të ishte në përmasa të vogla. Megjithatë, edhe TEB arriti një normë fitimi ndaj xhiros në vlerë mjaft të lartë, prej 38.7%.

 

Kompania e Kosovës për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS)

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, KEDS, për vitin 2019 raportoi një fitim para tatimit në vlerën e 12.7 milionë eurove. Ky rezultat përfaqëson një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitin 2018, kur kompania pati raportuar humbje në vlerën e 7.4 milionë eurove. Përmirësimi i rezultatit financiar erdhi nga rritja e ndjeshme e shitjeve krahasuar me vitin 2019 dhe nga mbajtja nën kontroll e shpenzimeve të aktivitetit, me rritje mjaft të ulët në raport me vitin 2018. Norma e fitimit mbi xhiron për vitin 2019 rezultoi në nivelin 11.3%.

 

BKT Kosovë

Banka Kombëtare Tregtare është banka e pestë mes 10 kompanive me fitimet më të mëdha në Kosovë. Për vitin 2019, BKT raportoi një fitim para tatimit në vlerën e 11.2 milionë eurove, vlerë kjo dy herë më e lartë krahasuar me vitin 2018. Dyfishimi i fitimit erdhi kryesisht si pasojë e rritjes së ndjeshme të bazës së të ardhurave nga interesat, në përmirësimin e balancës së provigjioneve dhe në rritjen e të ardhurave nga rivlerësimi i letrave me vlerë. BKT raportoi një normë fitimi para tatimit në nivelin 42.1%.

 

Elkos

Mbështetur në shifrat që na dërgoi vetë kompania, Elkos Group për vitin 2019 raportoi një fitim neto prej 9.5 milionë eurosh, që do të përkthehej në një fitim para tatimit në vlerën e të paktën 10.5 milionë eurove. Kompania më e madhe në Kosovë për nga xhiroja pësoi një rënie të fitimit me rreth 28% krahasuar me vitin 2018. Rënia e fitimit ka ardhur kryesisht nga ulja e shitjeve të kompanisë gjatë vitit 2019. Norma e fitimit para tatimit kundrejt xhiros për vitin 2019 rezultoi rreth 4.3%.

 

Coca-Cola Hellenic Bottling Company-KOSOVO

Kompania e dhjetë për nga vlera e fitimeve gjatë vitit 2019 ishte përfaqësuesi i autorizuar i prodhimit dhe ambalazhimit të Coca-Cola për tregun e Kosovës. Vitin e kaluar, kjo kompani realizoi një fitim para tatimit në vlerën e 10.5 milionë euro. Krahasuar me vitin 2018, fitimi i kompanisë është rritur me 37.1% krahasuar me vitin 2018. Rritja e fitimit erdhi paralelisht nga zgjerimi i shitjeve, por edhe nga ulja e ndjeshme e shpenzimeve administrative të kompanisë.

Norma e fitimit para tatimit të biznesit për vitin 2019 ishte 20.4%.

 

INTERVISTA

 

Ja pse bankat janë ndërmarrjet më fitimprurëse të ekonomisë në Kosovë 

 

Intervistë me Milazim Abazi, ekspert i tregut bankar

Milazim Abazi, ekspert i tregut bankar në Kosovë ka folur për “Monitor”, lidhur me tregun që ofron Kosova për bankat komerciale. Ai thotë se bankat kanë hapësirë të mjaftueshme për të vepruar dhe si të tilla janë ndërmarrjet më fitimprurëse nga y të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë.

Sipas Abazit, në Kosovë nuk ka konkurrencë të mjaftueshme bankare. Ai thotë se BQK duhet të thërras lojtarë të rinj në treg në mënyrë që të rritet konkurrenca bankare.

 

A ofron, sipas jush, Kosova hapësirë dhe kushte të mjaftueshme për bankat dhe me çfarë problemesh përballen ato më së shumti?

Kosova, me legjislacionin e vet ligjor në fushën e bankave dhe të mikrofinancave, si dhe të institucioneve të tjera financiare ofron rregullative të mjaftueshme për të funksionuar aktorët bankarë. Bankat kanë hapësirë të mjaftueshme për të vepruar dhe si të tilla janë ndërmarrjet më fitimprurëse nga të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë.

Kosova, në aspektin e afarizmit bankar, paraqet mundësinë më të mirë nga gjithë Ballkani Perëndimor. Fitimet në banka janë më të lartat, ndërsa kreditë e këqija janë më të ulëtat në rajon. Interesat në kredi janë të larta, ndërsa interesat e depozitave janë të larta krahasuar me vendet e tjera fqinje. Këto tri elemente kanë bërë që bankat në Kosovë, që të gjitha të performojnë jashtëzakonisht mirë.

 

A ka konkurrencë të mjaftueshme në Kosovë mes bankave? 

Në Kosovë nuk ka konkurrencë të mjaftueshme bankare. Deri tani, në Kosovë kanë operuar 10 banka komerciale, ndërsa para dy javësh ka filluar aktivitetin edhe një bankë e re: CREDINS nga Shqipëria. Nga 11 lojtarë, vetëm 4 prej tyre paraqesin një peshë në treg. Prandaj BQK duhet të mendojë seriozisht për nxitur hyrjen në treg të aktorëve të rinj, në mënyrë që të rritet konkurrenca bankare.

 

Sipas jush a janë bankat dhe institucionet e tjera mikrofinanciare një nga bizneset që mbështesin rritjen e ekonomisë dhe punësimit në Kosovë?

Kosova ka ngecje në legjislacionin për tregun e kapitalit dhe të ligjit për letrat me vlerë, si dhe të fondeve të investimeve. Korniza aktuale ligjore në këtë fushë është arkaike dhe e pazhvilluar, dhe rrjedhimisht nuk iu përgjigjet nevojave të tregut të kapitalit. Themelimi dhe funksionimi i fondeve të investimeve do të pasuronte strukturën institucionale të sektorit financiar si dhe do të rriste konkurrencën në këtë sektor.

 

Çfarë përmirësimesh ligjore do të sugjeronit?

Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Financave, duhet urgjentisht që të fillojë nismën për hartimin e legjislacionit për fondet investive, i cili në mes të tjerash do të rregullonte:

-themelimin, regjistrimin dhe veprimtarinë e fondeve investive;

-themelimin, regjistrimin dhe veprimtarinë e depozituesve të fondeve investive;

themelimin, regjistrimin dhe veprimtarinë e Agjencionit kosovar për regjistrimin e letrave me vlerë, si dhe të nxjerrë dhe miratojë Ligjin për letrat me vlerë.

 

Këtë vit po përballemi me pandeminë e COVID-19. Sipas jush, sa e ka dëmtuar ekonominë e Kosovës kjo situatë dhe çfarë ndikimi ka pasur ajo tek bankat?

Pandemia e COVID-19 në sistemin bankar pothuajse nuk ka ndikuar fare. Bankat po ndihen mjaft komode, sepse kërkesa për kredi ka rënë, ndërsa kursimet edhe në ketë periudhe pandemie kanë shënuar rritje. Megjithatë, bankat kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në financimin e ekonomisë dhe të projekteve zhvillimore si tek bizneset dhe tek ekonomitë familjare. Bankat dhe remitancat, bashkë me Buxhetin e Kosovës kanë qenë financuesit kryesorë të zhvillimit ekonomik.

Intervistoi: Fatos Shala

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of